ilir
Albani (Albanoi)(kliko këtu për ta zmadhuar) nga Alexander G. Findlay prej Classical Atlas to Illustrate Ancient Geography (Atlasit klasik për të ilustruar gjeografinë e lashtë) , New York (Nju Jork), 1849 | Pjesëtar i njërit prej popujve të lashtë të Ilirisë që popullonin përpara mësymjeve barbare ato pjesë të Ballkanit ku nuk kishte as grekë, as dakë, as maqedonas, kryesisht anën lindore dhe veriore të Adriatikut deri edhe të sotmet Kroaci, Slloveni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Shqipëri, Mal i Zi, Kosovë dhe Serbi dhe që sipas mendimit të përgjithshëm janë stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm.
Në shekullin I, Pliny (shqip. Plini) përmend një fis ilir të quajtur Olbonenses, që duhet të jetë fjala për 'Albanenses', ashtu si latinët quanin arbrit.
Në shekullin II, gjeografi dhe astronomi nga Aleksandria, Ptolemaeus (Ptolemeu), skicoi një hartë me domethënie të jashtëzakonshme për historinë e Ilirisë. Kjo hartë tregon qytetin e Albanopolisit (me vendndodhje të përcaktuar në jug të Durrësit). Ptolemeu përmend gjithashtu fisin ilir Albanoi, që jetonte rreth këtij qyteti.
Ilirët kishin vendosur sundimin e tyre mbi lundrimet dhe tregtinë që bëhej mbi detin tepër të populluar Adriatik të asaj kohe i cili kishte një rëndësi të veçantë pasi lidhte Mesdheun me Europën Qendrore. Grekët që bënin tregti me ilirët i shihnin këta të fundit si luftëtarë barbarë. Nuk dihet shumë mbi jetën e tyre të përditshme.
Në nje vend në gadishullin Peljesac rreth 90 kilometra në veriperëndim të Dubrovnikut në Kroaci është zbuluar një shpellë që mendohet të ketë qenë një vend i shenjtë i ilirëve ku nuk ka shkelur këmbë njeriu për rreth 2 mijë vjet. Ilirët duhet ta kenë mbyllur vetë këtë shpellë rreth shekullit të parë para erës sonë për ta mbrojtur nga legjionet romake që po përparonin gjithnjë e më tepër në Iliri. Një shtatore prej guri stalagmiti 60 cm e gjatë qe vendosur në qendër të dhomës së fundit në atë mënyrë që një tufë rrezesh dielli që vinin nga hyrja e shpellës binin mbi të vetëm në çaste të veçanta të vitit dhe kjo periudhë duhet të ketë qenë ajo e solsticit të Diellit (periudhë e vitit kur Dielli është më larg nga Ekuatori). Përveç kësaj u gjetën në sasi të papara më parë, rreth 100 kg qeramikë dhe në një gjendje tepër të mirë me qindra copa poçesh, qypash, amforash nga Iliria, Roma, Athina, Egjypti në disa prej të cilave qe shënuar se i kushtoheshin Afërditës. Nga gjetjet mirret vesh se njerëzit (duhet të kenë qenë një grup i zgjedhur njerëzish) mblidheshin për të kryer rituale të mistershme gostie dhe mbarsjeje. Kjo e fundit mund të jetë kryer në formën e orgjisë.
Të gjithë këto fakte të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë me një tempull i cili i kushtohej perëndeshës së dashurisë dhe mbarsimit Afërditë. Kjo perëndeshë njihet si të jetë greke, por disa historianë shqiptarë dhe të huaj janë të bindur se perëndesha ka qenë ilire por e huazuar nga grekët e vjetër. Drejtuesi i projektit studiesi kanadez Tim Kaiser i cili punon për llogari të Muzeut Royal Ontari të Torontos thotë: "Ky është një monument seksualiteti, potence, burrërie dhe fuqie..."
Qeramikat më të vjetra datonin rreth 2500 vjet p.e.s, ndërsa më të rejat 400 vjet p.e.s. Gjetje të tjera datonin deri 6000 p.e.s. Kjo tregon që kjo shpellë ka pasur rëndësi të madhe për një mijëvjeçar të tërë. U gjetën gjithashtu eshtra fëmijësh dhe delesh, dhe copa karboni. Kjo gjetje është shumë e rrallë, zbulohet për herë të parë një vend i shenjtë i ilirëve aq më tepër që është i paprekur për mijëra vjet. Mendohet se enët ose duhet t´u jenë dhënë ilirëve si një formë takse për të kaluar në ujërat e tyre ose u janë rrëmbyer anijeve që kanë kaluar andej përgjatë një akti piraterie. Enët e qeramikës nuk ishin të thyera nga koha apo dheu por mendohet të jenë përplasur e thyer me qëllim nga vetë njerëzit pas gostive.
Me pushtimet sllave, njëmijë vjetët që ndajnë fundin e lashtësisë me epopenë e Skënderbeut janë histori tragjike e fillimit të shuarjes së një populli, të një trungu etnik vendës.
Shih: Përmendjet e hershme të arbërveNjë tempull ilir kushtuar Afërditës Arbëria e kohës së Skënderbeut
[ Kthehu mbrapa ]
Enciklopedi shqip e Rruzull.net (Albanian etymology, etimologji) Tė gjitha tė drejtat e Enciklopedisė dhe fjalorėve tė Rruzullit janė tė rezervuara © nga Rruzull.net - (669 herė lexuar) |