[angl. stress < shkurt. frëngj. mesj. destresse = ankth, shqetësim < frëngj vjet. estrece = ngushmëri, shtypje < lat. vulg. *strictia < lat. strictus = i ngjeshur]
Gjendje tendosjeje apo pezulli mendor apo emocional.
Stresi apo ndryshe ndemja, nuk është diçka e re, por është gjendur gjithmonë si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët. Stresi ka qenë gjithnjë jetësor kur për shembull është dashur për t'iu shmangur rreziqeve që kanoseshin. Kur truri bën të ditur rrezikun, zemra nis të rrahë më shpejtë, muskujt tkurren dhe në gjak lëshohet adrenalinë për të çliruar shtytje në mënyrë që trupi të kundërvepronte më me të shpejtë dhe të duronte më tepër. Nëse stresi nuk do të gjindej, njeriu nuk do të kishte arritur të mbijetonte. Pra stresi mund të përshkruhet si kundërveprim i i trurit dhe i pjesës tjetër të trupit ndaj atyre kërkesave, sfidave dhe ngarkesave të cilave i nënshtrohemi në rrethana të ndryshme të jetës. Stresi ka për qëllim të kujdeset që aftësia fizike t'i përgjigjet atyre kërkesave që truri pret të gjejë. Por sot kundërveprimet nuk janë aq të vyeshme si dikur, për më tepër janë të vështira t'i shfryesh jashtë.
Kur mbi njeriun ushtrohen lloje të ndryshme kërkesash, sfidash dhe ngarkesash, është truri ai që interpreton të dhënat. Interpretimi është vetiak dhe njerëz të ndryshëm nuk kundërveprojnë me të njëjtën forcë ndonëse mbi ta mund të ushtrohen të njëjtat ngarkesa.
Nëse përjetimi nuk sjell kënaqësi, truri dërgon shtysa stresi përmes sistemit të stresit në trup i cili përbëhet nga nerva dhe hormone.
Shtysat ndezin një mori kundërveprimesh të ndryshme në trup në mënyrë që të ndihmojnë këtë të fundit që të ballafaqojë atë që është stresuese.
Organet kryesore që bëjnë që trupi të kundërveprojë ndaj stresit janë sistemi nervor i dhembshmërisë dhe gjëndrat adrenale mbi veshka. Sistemi nervor i dhembshmërisë hyn tek ato sisteme të trupit të ashtuquajtura vetëvendosëse, të cilat njeriu nuk mund t'i kontrollojë përmes dashjes së tij. Kur njeriu stresohet, sistemi nervor i dhembshmërisë dërgon shtysa nervore nga truri, përgjatë shtyllës kurrizore deri tek organet e trupit, i cili kundërvepron me p.sh. ndjenjën e dhimbjes.
Gjëndrat adrenale mbi veshka prodhojnë hormonet e stresit
adrenalinë, noradrenalinë dhe kortizol.
Përmes
nervave të sistemit nervor të dhembshmërisë dhe hormoneve të stresit nga gjëndrat adrenale mbi veshka ndikohen një mori organesh të ndryshme dhe funksionesh të trupit:
Zemra dhe enët e gjakutZemra rreh më shpejt dhe më fuqishëm në mënyrë që të pompohet më tepër
gjak përqark për tek ato organe që kanë nevojë për më tepër gjak gjatë stresit. Ndërkohë tkurren
enët e gjakut dhe rritet aftësia e gjakut për t'u
mpiksur. Kjo është njëfarë gatishmërie për rastin kur trupi do të pësonte lëndime të cilat do të shoqëroheshin me derdhje gjaku.
MushkëritëFrymëmarrja bëhet më e shpeshtë dhe e thellë për të shtuar përqindjen e oksigjenit përmes gjakut në muskuj dhe organe të tjera.
Muskujt
Muskujt tkurren kur trupi bëhet gati për të luftuar apo për t'ia mbathur këmbëve.
Stomaku dhe zorrët
Gjaku rishpërndahet nga stomaku, zorrët dhe disa rropulli për tek muskujt, zemra dhe mushkëritë. Stresi çliron gjithashtu acide yndyrore dhe sheqer që u japin energji muskujve dhe organeve. Gjithashtu shtohet përqindja e kolesterolit të dëmshëm.
Sistemi imunitar i mbrojtjesNë rastin e stresit kohëshkurtër përforcohet
sistemi imunitar i mbrojtjes ndaj sulmeve. Por kur stresi vazhdon për një kohë të gjatë pa pasur mundësi trupi për të marrë vehten atëherë sistemi imunitar dobësohet.
HormonetStresi kohëgjatë bën që të
tajiten përqindje të mëdha hormonesh stresi ndërkohë që sasia e hormoneve seksuale dhe atyre të rritjes në gjak, ulet.
Hulumtuesit e stresit kanë dëshmuar se trupi kundërvepron ndaj stresit në dy mënyra, duke dashur të luftojë apo të ia mbathë. Kundërveprimi për luftim bën që veprimtaria nervore në sistemin nervor të dhembshmërisë dhe tajitja e hormoneve të stresit adrenalinë dhe noradrenalinë të shtohet në trup. Gjaku ntrashet, pulsi dhe shtypja në gjak rriten. Nëse faza e stresit zhduket menjëherë, trupi mund të kthehet përsëri në gjendje normale pa pasur pasoja për shëndetin.
Nëse njeriu nuk ia arrin ta heqë qafe stresin atëherë lufta duhet të vazhdojë. Kjo do të thotë se sistemi nervor i dhembshmërisë stërmundohet dhe se shkallë të larta të hormoneve të stresit adrenalinë dhe noradrenalinë mbesin në trup. Hormonet shkaktojnë një puls dhe shtypje gjaku të lartë. Gjë që në largpamësi mund të ndikojë shëndetin për të keq.
Kur njeriu ka kaluar përgjatë një periudhe me stres të qëndrueshëm atëherë ky ka mbetur akoma jo vetëm në tru por edhe në bark.
Marrja e arratisë kur mungon kontrolli
Nëse stresi ndjehet mbizotërues dhe i pamundur për ta kontrolluar atëherë krijohet një kundërveprim për të marrë arratinë. Njeriu ndjehet i varur nga të tjerët, i nënshtruar, i pashpresë, i shqetësuar dhe i
molisur.
Në këtë lloj kundërveprimi stresor rritet aktiviteti i trurit gjë që bën që të dërgohen hormone për tek gjëndrat adrenale mbi veshka. Gjëndrat adrenale mbi veshka rrisin prodhimin e kortizolit në trup, ndërkohë që prodhimi i hormonit gjinor testosteron, insulinës dhe hormonit të rritjes pakësohet. Në afat të shkurtër trupi merr më tepër energji në formën e sheqerit në gjak (glukozës) dhe acideve të lirë yndyrorë. Por mund të bëjë me kalimin e kohës që njeriu të ndjehet i pafuqishëm dhe t'i mungojnë energjitë, ta ketë të vështirë për të kujtuar gjëra dhe të përqendrohet.
Trupi jep gaz dhe frenon
Gjatë stresit kohëshkurtër, tajitja e adrenalinës dhe noradrenalinës në trup bën që ky t'i "japë gazit". Trupi nxehet dhe aftësia për ta zotëruar stresin përmirësohet.
Ndërkohë tajiten gjithashtu hormone të cilat riparojnë dhe qetësojnë trupin, për shembull oksitocinë e cila ka një ndikim qetësues. Trupi "frenon".
Kur stresi i ngutshëm merr fund atëherë trupi "heq këmbën nga gazi" dhe "frena" bën që trupi të marrë vehten. Por në rastin e stresit kohëgjatë trupi "i jep gazit" në të njëjtën kohë që efekti frenues zhduket. Përqindja e hormoneve të marrjes së vetes ulet. Mu këtu shfaqet rreziku për efekte negative të stresit mbi shëndetin.
Sëmundje dhe shqetësime që shkaktohen nga stresi
Stresi që kthehet shpesh, që është kohëgjatë apo i thellë është i dëmshëm dhe mund të sjellë sëmundje. Kjo ka të bëjë me hormonet e stresit në trup dhe me atë që sistemi nervor i dhembshmërisë mbingarkohet.
Një shembull mbi gjendje që kanë të bëjnë me stresin janë çrregullimet hormonale të cilat mund të çojnë në mbipeshë dhe në rritje të shtypjes së gjakut, ose në probleme me
zemrën dhe
stomakun.
Ulcerat, dhimbjet e kokës nga migrena shkaktohen ose rëndohen nga stresi psikologjik.
Stresi i dëmton qelizat e reja.
Stresi shton zbokthin.
Stresi në të cilin ndodhet ama kur pllenimi i vezës nis të zërë vend, pakëson ndjeshëm numrin e synuesve "meshkuj" në mitër.
Stresorët fizikë dhe psiqikë Fjala stresor është përdorur për ato gjëra që shkrehin stresin në tru dhe trup. Këto mund të jenë fizike ose psikologjike.
Tek stresorët fiziologjikë hyjnë tuhatja, alkoholi dhe ndotësit e mjedisit por edhe dëmtimet fizike ndezin kundërveprimet stresore.
Tek stresorët psikologjikë hyjnë për shembull andrallat në marrëdhëniet ndërnjerëzore, tallja nga shokët, pakënaqësia me punën, humbja e ndonjë të afërmi dhe mungesa e të çmuarit nga të tjerët.
Trupi dhe shpirti mund të kundërveprojnë me stres pozitiv kur njeriu është i ngarkuar me gjëra që i sjellin kënaqësi të cilat njeriu i ka zgjedhur vetë dhe që e cytin përpara. Por edhe nëse njeriut i pëlqen puna që bën, trupi nuk mund t'i përballojë ngarkesat e tepërta. Prandaj stresi pozitiv mund të kthehet në negativ nëse njeriu nuk i dëgjon paralajmërimet e trupit. Të gjitha llojet e stresit kthehen në të dëmshme nëse trupi është i stresuar për një kohë të gjatë pa pasur mundësi për t'a marrë veten sërish. Shumë prej atyre që e kanë pësuar kanë qenë të frymëzuar nga një punë nxitëse sa që nuk kanë pasur ndonjë balancë në jetë, dhe nuk u kanë kushtuar vëmendje atyre paralajmërimeve të trupit dhe shpirtit.
Ndërsa stresi negativ shfaqet kur njeriu ndjen pakënaqësi dhe nuk mundet ta ndryshojë këtë gjendje. Kjo mund të vlejë si për jetën private ashtu edhe për atë në punë.
Thyerja psiqike dhe fizike është faza e fundit e stresit. Njeriu nuk u ka kushtuar vëmendje paralajmërimeve mbi atë që trupi dhe shpirti nuk po ndjehen mirë. Atij do t'i duhet një kohë e gjatë për t'u riaftësuar por jo të kuptohet sikur ai ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Çrregullimet somatoforme dhe të shkëputjes përbëjnë mënyra me anë të të cilave individët reagojnë ndaj stresit dhe ankthit të skajshëm. Çrregullimet somatoforme përqendrohen te dhimbja,ndërsa çrregullimet e shkëputjes përqendrohen te kujtesa.
Simptoma kryesore e
çrregullimit të dhimbjes somatoforme (dikur e quajtur çrregullimi i dhimbjes psikogjene) është ankesa për një dhimbje të madhe, për të cilën nuk ka asnjë shkak të njohur organik. Në disa raste, ekziston një lidhje midis një ngjarjeje stresuese dhe shfaqjes së dhimbjes, por në raste të tjera nuk ekziston asnjë provë për ndonjë stres mjedisor.
Çrregullimet e shkëputjes duket se janë mënyra për të përballuar ankthin ose stresin e tepërt.
Vetëm kohët e fundit ka pasur përfillje dhe dijeni të mjaftueshme për të matur stresin.
Qëndrimi për një kohë të gjatë në një ambient të mbyllur është një prej faktorëve që diskutohet sot si shkak i stresit në punë. Një mjedis më i mirë dhe i këndshëm në punë shmang stresin.
Faktor antistres është edhe ushqimi i mirë, parë jo më tepër në sasinë e tij sesa cilësinë.
Në ishullin japonez
Okinawa (shqip. Okinaua) njerëzit rrojnë më gjatë se të tjerët. Njerëzit atje hanë para së gjithash
perime e zarzavate të freskëta,
alga deti dhe
peshq - lëndë të rëndësishme ushqyese, pak
kalori. Ata jetojnë larg nga qyteti i madh pa
stres dhe ngut.
***
Trupi i gërhitësit është tërë kohën në stres dhe nuk arrin të marrë veten gjatë gjumit.
Shih:
(Albanian etymology, etimologji) Tė gjitha tė drejtat e Enciklopedisė dhe fjalorėve tė Rruzullit janė tė rezervuara © nga Rruzull.net - (2545 herė lexuar)