Perandoria Bizantine
[greq. Βασιλeία των Ρωμαίων - Basileia tōn Romaiōn]
Me këtë term përshkruhet që nga shekulli i 19-të pjesa lindore e Perandorisë Romake në Mesjetë, që gati për dhjetë shekuj kishte qenë fuqia kryesore politike, ekonomike dhe ushtarake e qytetërimit të mesjetës, e përqendruar rreth kryeqytetit të saj Konstandinopojës apo siç quhej ”Roma e Re”, që është Stambolli i sotëm.
Kjo periudhë është quajtur periudha më e shkëlqyer e qytetërimit mesjetar. Në kulmin e vet, kjo perandori sundonte nga Rusia deri në Egjipt.
Iliria e Jugut ishte nën ndikimin e qytetërimit dhe gjuhës greke/bizantine, sidomos pas rënies së Perandorisë Romake.
Përmendja e parë e padiskutueshme e shqiptarëve në rajonin që i përgjigjet Shqipërisë së sotme është si Arbanites nga Arbanon në raportin e Anna Komnenes mbi trazirat në atë rajon që ishte pjesë e Perandorisë Bizantine, të shkaktuara gjatë sundimit në të të të atit të saj Alexios I Komnenos (shqip. Aleks Komneni) (1081- 1118) nga normanët. Shqiptarët u bashkuan me forcat bizantine më 1081 kundër aventurierit norman Robert Guiscard. Arbanon ishte një zonë në qendër-veri të Shqipërisë.
Në 'Historinë' e shkruar 1079-1080, historiani bizantin Michael Attaliates (shqip. Mihail Ataliati) përmend "Albanoi" si të kenë marrë pjesë përkrah grekëve në një kryengritje kundër Kostandinopojës në 1043 dhe Arbanitai si nënshtetas të dukës së Dyrrachium'it (Durrësit).
Në shekullin II, gjeografi dhe astronomi nga Aleksandria, Ptolemaeus (Ptolemeu), skicoi një hartë me domethënie të jashtëzakonshme për historinë e Ilirisë. Kjo hartë tregon qytetin e Albanopolisit (me vendndodhje të përcaktuar diku në lindje të Durrësit). Ptolemeu përmend gjithashtu fisin ilir Albanoi, që jetonte në këtë qytet dhe rreth tij.
A ka ndonjë mënyrë për të lidhur 'Albanoin' e shekullit të dytë me arbrit mesjetarë? Dosja historike hesht. Për disa studiues, heshtja do të thotë se nuk ka pasur ndonjë mërgim të përmasave të mëdha të shqiptarëve të hershëm për në Arbëri pasi kjo do të ishte shënuar nga autorët bizantinë. Por e vërteta është se këto autorë ishin të interesuar pas fiseve të huaj vetëm kur veprimet e tyre cënonin ushtarakisht apo politikisht Perandorinë. Një popullatë e vogël baritore, që po largohej prej tyre brenda disa zonave të largëta malore, mund të mos ketë tërhequr kurrë vëmendjen e tyre.
Të bazuara mbi Krishtërimin Lindor Ortodoks, punimet e artistëve bizantinë i shërbenin pikërisht këtij besimi mistik.
Arti bizantin i largohet botës natyrore duke u përpjekur të paraqesë atë që është e përjetshme, e shenjtë dhe e pandryshueshme. Shumica e veprave që mbijetuan u përkasin kishave. Ato mund të jenë ikona njerëzish të shenjtë si shenjtorët rusë Borisi dhe Glebi: dy burrave që qëndrojnë në këmbë me kryqet dhe shpatat e martirizimit duke mbrojtur Rusinë dhe të veshur me rroba që të kujtojnë oborret e botës Bizantine, sidomos këpucët e kuqe të cilat janë simboli bizantin i familjes mbretërore.
Ari dhe bojrat e arit janë përdorur shpesh në krijimin e këtij lloj arti sepse mendohej se drita simbolizonte praninë hyjnore. Më shpesh, figurat paraqesin Shën Mërinë, nënën e Krishtit dhe vetë Jezu Krishtin, si foshnje por edhe të rritur.
Arti Bizantin është ndikuar edhe nga kultura islamike. Periudha e vonë bizantine fillon me vitin 1261 dhe mbaron në vitin 1557, 100 vjet pas rënies së Bizantit nën turqit osmanë.
Arti Evropiano perëndimor i Rilindjes ka qenë ndikuar nga estetika bizantine siç mund të shihet në veprat e El Grecos, artist spanjoll me prejardhje nga Kreta.
Pushtimi i Kostandinopojës më 1453 nga turqit shënoi fundin e Perandorisë Bizantine.
Shih: Përmendjet e hershme të arbërveArti BizantinArmët e zjarrit, shpikja dhe përdorimiOrigjina e shqiptarëve
[ Kthehu mbrapa ]
Enciklopedi shqip e Rruzull.net (Albanian etymology, etimologji) Tė gjitha tė drejtat e Enciklopedisė dhe fjalorėve tė Rruzullit janė tė rezervuara © nga Rruzull.net - (204 herė lexuar) |