[ protoindoevr. *s(h2)wel- = diell + jo- > diell; P. Gasiorowski ]
1. Trup qiellor që ngjan si një disk në qiell, që ndriçon në të verdhë deri në të kuqe të ndezur, i cili i jep Tokës dritë dhe ngrohtësi.
Dielli është një rruzull i gaztë prushërues me temperatura të jashtëzakonshme. Ai është një reaktor i madh bërthamor: Në brendësi të tij përftohet energji përmes shkrirjes së
hidrogjenit në
helium në temperatura rreth 15 milionë gradëve. Kjo është energjia që na ngroh ne.
Dielli është qendra e sistemit tonë diellor, që prapëseprapë është vetëm një ndër shumë sistemet e galaktikës tonë, Udhës Qumështore.
Përbrenda galaktikës sonë ka përafërsisht 100 miliardë yje, e cila ka një formë të sheshtë të ngjashme me një disk. Struktura e Udhës Qumështore është formë spiraleje, masa përqendrohet në qendër dhe e gjithë qendra rrotullohet. Kjo do të thotë se vetë galaktika sillet rrotull. Edhe sistemi ynë diellor, që ndodhet larg nga qendra e galaktikës sonë, i bie përqark kësaj qendre. Për këtë merr ca kohë... Një qark të plotë rreth qendrës së udhës Qumështore Dielli ynë e kryen për plot 240 milionë vjet.
Dielli ynë është një yll i përmasave të zakonshme i cili u krijua prej resh gazi dhe pluhuri.
Dielli ynë nuk është as më i shndritshëm se diejt e tjerë ndërsa madhësia e tij aspak e pazakonshme. Fuqia ndriçuese e yllit më të shndritshëm është 10 000 herë më e madhe se e diellit tonë, kurse e atij më të zbehtit është 10 000 më pak. Kështu dielli ynë është mesatar. Po ashtu edhe për sa i përket temperaturës së sipërfaqes së Diellit. Yjet më të nxehtë kanë një temperaturë prej afërsisht 30 000 Kelvin, ndërsa më të ftohtit prej 3 000K. Në sipërfaqen e diellit tonë mbizotërojnë temperatura prej rreth 6 000 K (rreth 5 500 gradë). Diametri i diellit tonë është gjithashtu mesatar. Ka yje gjigandë që kanë një rreze 500 herë më të madhe, dhe të veckël me një rreze 100 herë më të vogël se të diellit tonë.
Që nga koha kur Dielli lindi deri tani rrezatimi i tij mbi Tokë është rritur me 30 përqind dhe rritet akoma me një përqind çdo njëqindmiljonë vjet.
Sidoqoftë dukuria e cilësuar si "errësimi global" shkakton në mbarë botën që nga vitet '50-të një rënie të dritës së diellit mbi sipërfaqen e tokës me më shumë se 10 %. Në disa qytete të mëdha, si në Hongkong, është regjistruar madje një rënie e dritës së diellit me 35 %.
Edhe në Gjermaninë e Veriut është pakësuar kohëzgjatja e dritës diellore çdo vit që nga viti '50 deri në '90 me rreth 100 orë. Gjithsesi gjatë 15 viteve të fundit është vënë re një nivel i pandryshuar.
Dielli Ynë do të shkelqejë me 10% më tepër mbas një miliard vjetësh. Modelet mbi klimën e përgjithshme tregojnë se kjo do të bënte Tokën në fillim të kthehej në një "serë të lagësht". Mbas tre miljardë vjet shkëlqimi i Diellit do të rritet me 40% që do të bënte që gjendja e Tokës do t´i ngjante asaj të planetit Afroditë. Kjo do të sillte dhe fundin e jetës në planetin tonë.
Mbas 6,5 miliardë vjetësh Dielli do të ketë djegur pjesën e hidrogjenit që ndodhet në qendër dhe do të nisë të shuhet. Faza e shuarjes do të zgjasë një miljard vjetë. Rruzulli i përtharë tokësor do të kapet nga flakët e Diellit. Dielli do të zmadhohet me shpejtësi dhe do të ketë një rreze sa largësia nga Dielli në Tokë. Më vonë ai do të kalojë në një jetë të dytë duke u zvogëluar dhe nisur së djeguri heliumin. Pas djegies së krejt heliumit Dielli do të humbasë sasi të mëdha materie me çlirimin e stuhive diellore që do të vjedhin jashtë të brendshmet e tij. Ajo që do të mbesë nga Dielli do të jetë një bërthamë e vdekur, e vogël dhe e nxehtë në një mjegull ciflash shumëngjyrëshe.
Planeti më afër Diellit është Mërkuri. Toka është planeti i tretë prej Diellit.
Planeti i katërt në largësi prej Diellit, 228 miljonë km prej tij, largësi e cila i përgjigjet 1.52 herë asaj të Tokës, është Marsi. Stinët atje janë të ngjashme me Tokën pasi anohet përkundrejt Diellit në pothuajse të njëjtin bosht si edhe Toka por ato janë dy herë më të gjata pasi viti marsian ka 678 ditë ! Kur Marsi i ka rënë Diellit përqark një herë, Toka i ka rënë dy.
Objektin më të largët që sillet rreth Diellit është Sedna. Për të kryer një rrotullim rreth diellit atij i duhen afro 10 mijë vjet.
Solsticit i
Diellit është periudha e vitit kur Dielli është më larg nga Ekuatori.
Filozofët grekë e mbanin Diellin të ishte, si pasqyrim i përpiktë i asaj që shihnin, një trup i vogël. Për një kohë të gjatë Dielli mbahej të ishte më i vogël se Toka. Toka qëndronte në qendër të botës, e rrethuar nga trupa në
qiell, që quheshin
planetë.
Ptolemeu (Claudius Ptolemeus rreth 75 - rreth 160 ) ishte përpjekur, të formulonte lëvizjen e planetëve në një teori të ndërlikuar. Kështu kishte shtatë planetë - Dielli dhe
Hëna numëroheshin gjithashtu si të tillë - të cilët silleshin rreth Tokës. Toka "qëndronte e palëvizur" dhe Dielli endej gjatë një
viti përqark kubesë së yjeve të palëvizshëm. Të gjithë yjet e palëvizshëm duken si të mbërthyer pikërisht në këtë kube, e cila një herë në ditë sillej rreth e qark Tokës.
Ky lloj përfytyrimi i Botës njihet si Sistemi Dheqendror (Gjeocentrik). Ai është mbajtur si i vërtetë deri në shekullin e 16-të, pra deri në kohën e Nikolaus Kopernikus (shqip. Kopernikut).
Koperniku (1493-1543) e zhvendosi Diellin duke e sjellur atë në mes. Ai hodhi dyshime mbi botëkuptimin dheqendror dhe e ktheu mbrapsh: Sipas mendimit të tij ishte Toka ajo që rrotullohej rreth Diellit dhe jo e kundërta. Një teori e guximshme të cilën e bëri të ditur më 1543.
Që kjo qëndronte me të vërtetë mund ta vërtetonte pak kohë më vonë Johannes Kepler (1571-1630): në bazë të vëzhgimeve që i kishte bërë Marsit ai provoi që planetët lëviznin përgjatë shtigjesh eliptike rreth Diellit.
Një ligj tjetër i Keplerit thotë se lëvizja shtegore e Tokës rreth Diellit nuk është e pandryshueshme. Ajo është më e shpejtë kur largësia midis Diellit dhe Tokës është më e vogël. Dhe ajo bëhet më e ngadalshme kur kjo largësi zmadhohet.
Kjo ndikon mbi
stinët: Ato nuk janë njësoj të gjata. Në fillim të
Janarit largësia midis Tokës dhe Diellit është më e vogla, në Korrik Toka është më së largëti Diellit. Kështu koha midis vjeshtës dhe fillimit të pranverës është prej 179 ditësh dhe koha prej pranverës deri në fillim të vjeshtës prej 186 ditësh.
Rrezet e diellit janë një kusht i rëndësishëm për qenien e jetës në tokë si dhe kanë shumë ndikime shëndetsjellëse. Ne ndjehemi fizikisht dhe psiqikisht më mirë kur shndrin dhe është ngrohtë.
Dielli ndihmon gjithashtu trupin për të prodhuar vitaminën D, e cila nevojitet për të ndërtuar skeletin. Vitamina D ndihmon trupin të marrë gëlqere nga zorra.
Kështu që natyrisht njeriu duhet të dalë e të marrë rreze dielli gjatë verës. Por kjo duhet bërë ashtu si duhet.
90 % e kancerit në lëkurë ka lidhje me
rrezet ultravioletë të diellit.
Ata që heqin më keq se të tjerët nga rrezet e diellit janë personat me
lëkurë tepër të bardhë dhe me shumë prenka dhe nishane.
Për tu mbrojtur nga rrezet e këqia të diellit duhet përdorur krem me filter mbrojtës ndaj diellit. Një krem mbrojtës ndaj diellit duhet të mbrojë qoftë nga rrezet ultravioletë A poashtu edhe ato B si dhe duhet t´i qëndrojë ujit.
Mbrotja e kremit mund të jetë një
filtër kemikal ose
filter kokrrizash.
Filtri kemikal përmban lëndë që shkrihen dhe thithen nga trupi i cili më vonë i nxjerr jashtë në formën e urinës. Këto lëndë e mbrojnë trupin duke thithur rrezet e diellit.
Disa studiues zvicerianë kanë arritur në përfundimin se lëndët kimikale që përdoren në këto kremra, mund të sjellin çrregullime të disa hormoneve tek njerëzit, prandaj studime të mëtejshme duhen bërë në këtë drejtim.
Meqënëse rrezatimi ultravioletë kalon përmes bebes së syrit, syzet e diellit janë mbrojtës tepër të rëndësishëm. Një sasi drite tepër e madhe mund të bëjë që dalëngadalë thjerra e syrit të turbullohet dhe shikimi përkeqësohet.
Gjithashtu njeriu duhet t´i shmanget marrjes së rrezeve në mesditë, kur rrezatimi është më i fuqishëm, duke gjetur kështu strehë nën hije. Kështu fuqia e rrezeve ultravioletë pakësohet me gjysmën.
Në vendet mesdhetare ku bën pjesë edhe Shqipëria nuk duhen marrë rreze dielli në më tepër se 15-30 minuta në orën 12 të drekës.
Diçka tjetër që është e rëndësishme të dihet është ajo që era dhe retë e vogla freskojnë motin por nuk pengojnë rrezet ultravioletë.
Nëse njeriu është djegur nga rrezet e dielli, nuk mbetet shumë për të bërë. Këshillohet që në këtë fazë, për t´u mbrojtur nga kanceri i lëkurës i shkaktuar nga marrja e tepruar e rrezeve të diellit, të mirren hape vaji peshku ose të lyhet lëkura me vaj ulliri. Sipas një studimi të bërë nga Universiteti Mbretëror i Liverpool-it ka dalur se nëse mirret dhjetë miligram vaj peshku në ditë për tre muaj me rradhë, lëkura merr një mbrojtje të brendshme përkundër veprime dëmtuese të diellit. Disa studiues mendojnë se gjithashtu marrja e vitaminave C dhe E mund të ndihmojë lëkurën të marrë veten.
Kur njeriu është djegur, duhet të presë një javë që lëkura të marrë veten përpara se të marrë përsëri rreze dielli.
Një ngushëllim për ata që janë djegur është ai që nuk është vetëm djegia e çastit ajo që çon drejt kancerit në lëkurë. Besohet që ka të bëjë edhe me sasinë e rrezeve ultravioletë të cilave u nështrohet trupi ynë. Por me rëndësi në sa më sipër është edhe sasia e përgjithshme e rrezeve të cilave trupi yni i nënshtrohet përgjatë jetës. Prandaj nuk duhet tepruar me marrje rrezesh dielli.
Akulli që mbulon 6-15 milionë kilometra katrorë të Tokës duke u varur nga stina e vitit, është një pasqyrues efektiv i dritës së diellit. Nëse akulli do të shkrinte krejt, deti do të thithte më tepër ngrohtësi nga dielli dhe Toka do të bëhej më e ngrohtë përvit e më tepër.
Diellit i pëlqen e errëta, ndonëse kjo tingëllon shumë çuditshëm. Rrezatimi i ngrohtë që lëshon dielli në qytete thithet prej ziftit dhe asfaltit.
Kur kemi të bëjmë me dritë intensive, energjia e thithur shpërndahet në
molekulë; kjo bëhet e paqendrueshme dhe për shkak të kësaj energjie shtesë mund të kryejë lehtë reaksione me elementët përbërës të ajrit. Molekula shkatërrohet.
Në këtë mënyrë zbardhen pjesa më e madhe e pigmenteve natyrorë. Po kështu edhe rrobat tona nën dritën e fortë të diellit.
Ndërsa fibrat artificiale si poliakrili e përballojnë më mirë dritën e diellit. Pëlhura sintetike mund ta heqë shpejt qafe energjinë.
Vëzhguesi më i vjetër astronomik në Evropë është zbuluar afër qytetit Gosek të shtetit Saksoni-Anhalt në Gjermaninë Lindore. Diamteri i tij është 75 m.
Analizat dëftyen që mosha e tij është diku midis viteve 5000 p.e.s. and 4800 p.e.s. Pra, ky vëzhgues astronomik është 7000 vjeçar dhe me këtë moshë para daton vendin arkeologjik në Britani të njohur me emrin Rrethi i Gurëve (Stonehedge, 2000 p.e.s.).
Vendi arkeologjik në Gosek dallon qartë nga 180 vendet e tjera të ngjashme parahistorike të shpërndara nëpër Evropë.
Rikonstruim i vëzhguesit astronomik në Goseck |
Zakonisht, katër porta të çojnë në ambjente rrethorë tek vendet e tjera, porse në Gosek ndodhen vetëm tre porta të atilla. Vendi arkeologjik i zbuluar ka qenë ndërtuar për të vezhguar ndodhitë astronomike të tilla si lëvizjet ë Diellit, Hënës, yjeve dhe për të ndjekur kohën. Portat jugore shënojnë lindjen dhe perëndimin e Diellit në ditët më të gjataeverore dhe më të shkurtra dimrore, duke i mundësuar kështu Evropianët e hershëm të përcaktojnë me saktësi drejtimin e Diellit ndërkohë që ai zhvendoset në qiell.
Vendodhja, drejtimi i saj, shënimi i ditëve më të gjata verore dhe më të shkurtra dimrore tregojnë ngjashmëri me diskun e famshëm në botë Nebra i krijuar 2400 vjet më vonë. Disku Nebra e ka diametrin 32 cm dhe u gjet në pyjet e rajonit Nebra, 25 km larg Gesekut, dhe gjykohet si përfaqësimi material më i vjetër i kozmosit. Shkencëtari Shloser beson se formacionet mbi disk kanë qenë mbështetur në vëzhgimet e mëparshme astronomike të bëra në Gosek.
Ambjenti me mure i Gosekut përbëhet gjithashtu nga një formacion i pazakontë unazash njëqëndrore të gardheve drunore me lartësinë e njeriut. Për shkak se unazat dhe portat në rrathët e brendshëm bëhen më të ngushta sa me shume i afrohesh qendrës, arkeologët mendojnë që vetëm pak njerëz lejoheshin të futeshin në unazën më të vogël. Arkeologët kanë gjetur mjaft dëshmi që provojnë që Goseku ishte një vend ku nderoheshin kultet parahistorike. Rregullimi i kockave njerëzore, për shembull, nuk i përket një vendvarrimi dhe shenjat e prerjeve mbi kocka tregojnë që kurbane njerëzore kanë qenë zbatuar tek ai vend. Ky vend arkeologjik gjykohet të jetë vendi më i vjetër i shenjtë i zbuluar në Evropën qëndrore.
(Albanian etymology, etimologji) Tė gjitha tė drejtat e Enciklopedisė dhe fjalorėve tė Rruzullit janė tė rezervuara © nga Rruzull.net - (1815 herė lexuar)