Përplasja e një trupi jashtëtokësor mund të ketë sjellur rënien e dinozaurëve, por tani po duket se, një përplasje tjetër, më e hershme, mund të ketë qenë faktori që në rradhë të parë i bëri këto bisha gjigande të sundonin mbi tokë.
Një grup ndërkombëtar shkencëtarësh bëri gërmime në 70 vende të Amerikës së Veriut, duke hetuar gjurmët e këmbëve të dinozaurëve dhe fosile të tjera si dhe duke studiuar gjurmët kimikale në shkëmbinj.
Profesor Paul Olsen i Universitetit Columbia, në New York (Nju Jork) të SHBA-së thotë se përpara fundit të periudhës Triasike kishte dinozaurë relativisht të vegjël dhe një numër të madh grupesh të tjera zvarranikësh. Dëshmitë e gjetura tregojnë se dinozaurët gjigandë mishngrënës u shfaqën relativisht menjëherë pas mbarimit të periudhës Triasike (përafërsisht 210 miljonë vjetë më parë), dhe se kalimi nga gjurmët e këmbëve të tipit triasik në atë jurasik ndodhi brenda një periudhe relativisht të shkurtër prej vetëm 50 000 vjetësh.
Njëra prej gjetjeve kyçe të këtyre kërkimeve të reja është iridiumi i zbuluar në shkëmbinjtë e formuara në atë kohë.
Iridiumi është një element që haset rrallë në Tokë por i cili gjendet me shumicë në asteroide dhe kometa.
Studiuesit thonë se prania e tij na sugjeron me të madhe se Toka është goditur nga diçka jashtëtokësore - gjë që përforcohet nga prania e një numri të madh sporesh të fiereve të gjetura gjithashtu në shtresat sedimentare. Fieret janë bimët e para që kthehen në sipërfaqet e shkretuara.
Përplasja duhet të ketë ndodhur përreth kohës në të cilën gjeologët mendojnë se jeta në Tokë iu nënshtrua një shfarosjeje masive. Diçka më tepër se gjysma e qenieve nuk u shfaq më midis fosileve të gjetura në periudhat e mëvonshme.
Profesori Dennis Kent i Universitetit Shtetëror në New Jersey (Nju Xhërsi) të SHBA-së është i mendimit se efektet e përplasjes sollën asgjësimin apo pakësimin e shumë lloje qeniesh të gjalla të cila ishin në konkurim me dinozaurët duke u hapur këtyre të fundit rrugën për t'u përshtatur dhe shumuar.
Shumë shkencëtarë besojnë sot se një përplasje tjetër masive mbi gadishullin Yucatan (Jukatan) në Meksikë 65 miljonë vjetë më parë (në fundin e periudhës Cretaceous) e shndërroi klimën në Tokë, duke e bërë të pamundur për dinozaurët të vazhdonin të sundonin; ishin gjitarët ata që përfituan nga ky rast.
Sidoqoftë, shumë shkenctarë do të donin të shihnin prova të tjera përpara se t´u besonin këtyre analizave të reja.
Dr Norman MacLeod, i Muzeut të Historisë së Natyrës në Londër BM, thotë se iridiumi joizakontë mund të ketë prejardhje tjetër nga ajo jashtëtoksore. "Mund të ketë prejardhje vullkanike", thotë ai.
Përgatiti Alvin Ekmekçiu Burimet: Science, BBC Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|