1. Shteti ligjor, aspekti juridik-politik, elementet e shtetit ligjor dhe dallimet e tij me parimin e sundimit të së drejtës? 2. Si ndërtohet dhe si funksionon gjyqësia e pavarur? 3. Si ndikon globalizimi me katër dimensionet e tij në ndërtimin e sistemit juridik të një vendi?
1. Shteti ligjor, aspekti juridik-politik, elementet e shtetit ligjor dhe dallimet e tij me parimin e sundimit të së drejtës?
Një shtet ekziston atëherë kur në një territor të caktuar ka një aparat politik (institucionet qeveritare) që sundon, autoriteti i të cilit mbështetet nga një sistem ligjor dhe nga aftësia për të përdorur forcën për zbatimin e politikave të tij.
Koncepti i shtetit ligjor është mjaft kompleks dhe shumëdimensional. Në aspektin juridik-politik me shtet ligjor nënkuptojmë “sistemin në të cilin pushteti shtetëror, në veçanti pushteti ekzekutiv dhe ai administrativ, është i kufizuar më normat e veta juridike (kushtetutë dhe ligj), në ç’mënyrë garantohet pacenueshmëria e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe shtetasit. Ky parim, nënkupton njëkohësisht edhe kufizimin juridik të arbitraritetit të pushtetit nëpërmjet garancive ligjore, sigurisë dhe të lirisë së njeriut.”
Pra, me nocionin shtet ligjor duhet nënkuptuar të gjitha parimet dhe mënyrat procedurale të rregullimit shtetëror, të cilat garantojnë lirinë e individit dhe mundësojnë pjesëmarrjen e tij në jetën politike. Shteti ligjor paraqet të kundërtën radikale të shtetit policor apo të shtetit arbitrar. Mirëpo, të gjitha institucionet ligjore e demokratikë, duhen të shprehen përmes tri atributeve themelore: legjitimitetit, autoritetit dhe fuqisë politike.
E vërejtëm se shteti ligjor në aspektin juridik-politik, paraqet një koncept të gjerë, përmes të cilit sigurohet sundimi i ligjit dhe vlerave demokratike në një shoqëri. Një nga elementet kryesore të një shteti ligjorë janë: kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, barazia para ligjit (ku të gjithë qytetarët pa dallim moshe, gjinie, religjioni, përkatësie etnike janë të barabartë para ligjit), liritë dhe të drejtat e njeriut, ndarja dhe kufizimi i pushtetit, gjyqësi të pavarur, shoqëria civile, etj.
Ndërsa parimi i sundimit të së drejtës nënkupton një sistem normash juridike të cilat i sanksionon shteti, qëllimi i të cilave është mbrojtja e rendit të caktuar shoqëror. Pra, ky parim është bazë për sigurinë individuale dhe kolektive të qytetarëve dhe për funksionimin demokratik të pushtetit shtetëror.
Në kohët bashkëkohore, sundimi i së drejtës dhe shtetit ligjor, nuk mund të paramendohet pa respektimin dhe realizimin e institucionit të drejtësisë, ku kjo ka të bëjë me barazinë e të gjithë individëve, në pacenueshmërinë e lirive dhe të drejtave të njeriut, pluralizmin politik dhe ekonomik, përgjegjësia politike, procedura demokratike e marrjes së vendimeve, zgjedhjet e lira dhe të drejtpërdrejta, kultura dhe toleranca politike etj.
2. Si ndërtohet dhe si funksionon gjyqësia e pavarur?
Një nga parakushtet elementare të shtetit ligjor dhe sundimit të së drejtës është pavarësia dhe mëvetësia e gjyqësisë. Si organe të drejtësisë, ato luajnë rol të rëndësishëm në shoqëri, duke mbrojtur interesat dhe vlerat themelore të shoqërisë demokratike. Pra, “Pavarësia e gjyqësisë, nënkupton ekzistimin e gjykatave të pavarura në punën e tyre dhe në pajtim të plotë me ligjin.”
Po ashtu, mund të pajtohemi me mendimin sipas të cilit “specifiteti i gjyqësisë qëndron në atë se ajo paraqitet si organ i së drejtës dhe i drejtësisë, ndërsa në esencë i peshon ato të drejta dhe atë drejtësi në bazë të “racionalitetit shoqëror” i cili, me kushtetutë caktohet si interes dhe dëshirë e grupeve sunduese.” Pavarësia objektive e gjyqësisë, duhet të garantojë që gjykatësit gjatë kryerjes së detyrës së tij, të mos jetë i nënshtruar ndaj asnjë direktive. Pra, ai ka për detyrë t'i shërbej vetëm ligjit dhe drejtësisë, e këtë ai duhet ta interpretoj pa qenë i urdhëruar gjatë marrjes së vendimeve të tij nga prokuroria, qeveria apo nga një instancë tjetër e lartë.
Ndarja e pushteteve është shtylla kryesore e një shteti funksional demokratik. Kjo ndarje manifestohet në tri forma themelore: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, të cilat janë të balancuara dhe kufizuara në bazë të përgjegjësive që ju garanton kushtetuta.
Gjykatat ushtrojnë funksione gjyqësore në procedurën gjyqësore dhe në bazë të ligjit. Sistemi gjyqësor përcaktohet me ligj dhe mbështetet në organizimin dhe funksionimin unik të hierarkisë funksionale të një shteti.
Kushtet themelore që një shtet të siguroj gjyqësinë e pavarur janë: pavarësia e gjyqësisë nga legjislativi dhe ekzekutivi, depolitizimi i gjykatave, zgjedhja e gjyqtarëve me afate të gjata, financimi i pavarur, respektimi i procedurave gjyqësore etj.
Ndikimi i shtetit, në vendet demokratike është i kufizuar nga një sistem i komplikuar i kufizimit të pushtetit përmes peshave dhe kundërpeshave. Në pikëpamjen e demokracisë moderne, mbrojtës i të gjithave është norma e shtetit ligjor, e cila duhet të mbrohet në mënyrë të posaçme nga gjyqësori i pavarur.
Pra, në fund mund të themi se funksioni i gjyqësisë paraqet një ndër elementet qenësore të domosdoshme të sistemit politik të një vendi. Ky funksion i gjyqësisë është formë themelore e mbrojtjes juridike të rendit juridik, të drejtave të njeriut, e në vendet që kanë zbatuar mbrojtjen gjyqësore të kushtetutshmërisë, edhe formë themelore e mbrojtjes së kushtetutshmërisë e të rendit kushtetues.
3. Si ndikon globalizimi me katër dimensionet e tij në ndërtimin e sistemit juridik të një vendi?
Një nga përcaktimet e ofruar nga Forumi Ndërkombëtar i Globalizimit, e cila e paraqet globalizimin si një nivel kulmor politik dhe ekonomik, që është procesi i de-nacionalizimit të tregjeve, politikave dhe sistemeve legale, d.m.th. ngritja e të ashtuquajturës ekonomi globale.
Dimensionet të cilat e përbëjnë globalizimin janë: dimensioni politik, ekonomik, ideologjik dhe kulturor, dimensione këto që kanë ndikim edhe në ndërtimin e sistemit juridik.
Dimensioni politik – Paraqet harmonizimin dhe përshtatshmërinë e ligjeve me ligjet ndërkombëtare, të cilat janë në pajtueshmëri të plotë me vlerat demokratike. Kështu, shembull tipik paraqet integrimi evropian, pasi që shtetet të cilat dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj familje duhet t’i harmonizojnë ligjet e tyre me ato të unionit evropian.
Dimensioni ekonomik - Në plan të parë paraqet rritjen e madhe të tregtisë dhe investimeve direkte, globalizimin e tregjeve financiare, prodhimi i integruar ndërkombëtar, sipërmarrje ndërkombëtare, konkurrenca lokale e shteteve dhe rajoneve, fundi i ekonomive kombëtare etj. Gjithashtu, implementimi i ligjeve kërkon shumën për t’u realizuar, pra ligjet kombëtare për t’u përshtatur me ato ndërkombëtare, drejtpërsëdrejti ndikon në rritjen e kostos së ligjeve.
Dimensioni ideologjik – Ndryshimet nga një ideologji në tjetër, nga një sistem në tjetër sistem, lejnë efektet e tyre në të gjitha sferat politike, ekonomike e shoqërore të një shteti. Andaj, tranzicioni përmes të cilit po kalojnë shtetet dal nga dal po reformohen dhe po përshtaten me kohët demokratike përëndimore. Pra, ndikim ideologjik në ndërtimin e sistemit juridik është në zhdukje e sipër, pra sistemi juridik po bëhet dita ditës më i unifikuar dhe më fleksibil.
Dimensioni kulturor – Zhvillimet e mëdha teknologjike në vendet e përparuar, si SHBA, vendet evropiane, po mundësojnë ndikimin e tyre përmes botës filmit, muzikës, modës etj, në vendet e tjera. Mirëpo, kjo nuk do të thotë, se kulturat rajonale apo lokale po zhduken, ato po bëhen pjesë e botës bashkëkohore.
4. Bibliografia
Bajrami, Arsim. “Demokracia Parlamentare”. Botimi i katërt. Botues Flaka, Shkup. Prishtinë 2005. Saliu, Kurtesh. “E Drejta Kushtetuese”. Libri I. Botues Universiteti i Prishtinës. Prishtinë 2001.
Autor : Samir Ramadani, MA Candidate Shkenca Politike dhe Administrate Publike Universiteti i Prishtines
|