Teknologji: Tanket e gjeneratës së tretë: T-72 Data e botimit: Thursday, 03 April 2008
Lėnda: Ushtri
|
Edhe pse në Bashkimin Sovjetik në vitet tetëdhjeta realizohet modeli i tankut T-80 dhe më vonë në Rusi modeli T-90, tanku T-72 është prodhuar më së shumti në vendet e Lindjes dhe për një kohë ishte mjeti kryesor mësymës në shumë ushtri të vendeve të Paktit të Varshavës dhe më gjerë
Në Bashkimin Sovjetik është modifikuar në vazhdimësi, gjë që ka rezultuar që të prodhohen 20 versione. Prodhimi serial i këtij tanku filloi në vitin 1974 në fabrikën »Vagonka« në Njizhni Tagilu. Projekti për fillimin e konstruktimit të këtij tanku filloi që në vitin 1970 dhe është udhëhequr me shifrën Objekti 172, ndërsa versioni i parë i dalë nga prodhimi serial është emëruar si T-72 Ural, i cili është prodhuar deri në vitin 1976.
T-72BM (foto: The Armor Site!)
| Ndër versionet me modifikime më të ndjeshme veçohen: Versioni T-72A i dalë nga prodhimi në vitin 1979. Në këtë version vendoset topi më i përsosur i tipit 2A46, shënjestra me largmatës laseri e tipit TPD-K1 dhe shënjestra e tipit TPN-3-49 me rreze aktive infra të kuqe për përdorim gjatë natës. Ky version modifikohet përsëri. Përmirësimet u bënë në blindë ku u vendos blinda reaktive. Versionet me këtë modifikim njihen si T-72AV. Versioni i ardhshëm T-72M , i cili dedikohet për eksport, nuk ka ndryshime të theksuara. Ai është i njëjtë me versionin T-72A. Nga viti 1985 filloi prodhimi i versionit T-72B, ku ndër përmirësimet më të theksuara janë rritja e fuqisë së motorit, vendosja e stabilizatorit të ri të topit, si dhe vendosja e sistemit për qitjen dhe dirigjimin e raketave 9M119 nga tyta e topit. Versioni i fundit i T-72BM i dalë në fund të viteve tetëdhjeta, dallohet vetëm për vendosjen e blindës reaktive. Mbi bazë të këtij versioni, me pak modifikime filloi prodhimi në seri i tankut T-72BU, i cili më vonë emërohet T-90. Përveç vendeve anëtare të Paktit të Varshavës, me tankun T-72 ishin të furnizuara Algjeria, Angola, Finlanda, Kuba, Irani, Iraku, India, Jugosllavia, Libia dhe Siria. Po ashtu mbi bazë të versionit T-72M, Jugosllavia në vitin 1983 prodhoi versionin M-84, Rumania TR-125, Polonia PT-91, Çekia T-72M3CZ e T-72M4CZ, Ukraina T-72AG dhe T-72MP. T-72 shquhet për topin me mbushje automatike me kalibër të madh, si dhe për siluatën më të vogël në botë. Lartësia e tij është 2, 22 m. Është menduar se këto dy karakteristika, atij do t’i japin epërsi të konsiderueshme karshi tankeve perëndimorë. Gjatë Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991, nga 4.000 tanke që dispononin irakianët, përpos një sasie të vogël të tankeve T-62, pjesa tjetër ishin T-72M1. Gjithashtu edhe në kuadër të forcave të koalicionit gjendej një sasi e vogël e këtyre tankeve. Ushtria e Kuvajtit kishte importuar nga Jugosllavia tankun M-84AB, i cili prodhohet në bazë të modelit T-72, ku pas pushtimit irakian, një pjesë të tyre kishte arritur që t’i tërheqë në Arabinë Saudite. Kjo forcë u vu në dispozicion të forcave të koalicionit. Gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake me tanke, praktikisht u vërtetuan mangësitë e këtij tanku në raport me tanket perëndimorë e veçanërisht me tankun amerikan M1A1. Njëra nga mangësitë ishte sistemi i shënjimit, i cili kishte aftësi shumë të kufizuara për veprime gjatë natës. Megjithatë, kur të kihet parasysh fakti se veprimet luftarake të tankeve të forcave të koalicionit u zhvilluan nën mbështetje të fortë të aviacionit dhe të helikopterëve, ndërsa irakianët në këtë drejtim ishin të hendikepuar, prapëseprapë duhen pasur në konsideratë mundësitë luftarake të këtij tanku.
Degman
| Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, uzina e prodhimit të M-84 »Đuro Đaković«, mbeti në Slavonski Brod të Kroacisë. Kroatët shumë shpejtë mbërritën që të fillojnë prodhimin për nevojat e tyre. Mbi modelin bazë, ata e prodhuan një sasi të konsideruar, të cilin e shënjuan si M-84A4. Në fund të viteve nëntëdhjeta, kroatët arritën ta modifikojnë këtë tank duke i ruajtur në të karakteristikat e përgjithshme, por duke e përmirësuar sistemin e shënjimit me pajisje perëndimore. Në fillim të vitit 2000, ata finalizuan versionin Degman, për të cilin pretendojnë se kanë arritur të prodhojnë njërin ndër tanket më të mira të gjeneratës së tretë. Përpos topit i cili në kuadër të kompletit luftarak ka 44 fishekë, T-72 është i armatosur me një mitraloz NVS të kalibrit 12, 7 që është i vendosur në pjesën e jashtme të kupolës, të cilin e përdorë komandanti i tankut dhe një mitraloz PKT i kalibrit 7, 62 që është i vendosur në kupolë në një aks me topin. Meqë topi mbushet në mënyrë automatike, ekuipazhi përbëhet nga tre veta; nga komandanti, shënjuesi dhe shoferi. Pesha e përgjithshme e tankut është 41 ton (T-72/M peshon 45 ton, ndërsa M-84A peshon 41,5 ton). Gjatësia është 9,53 m. ndërsa gjerësia 3, 37 m. Mund të zhvillojë shpejtësi deri në 60 km/h. dhe me një rezervar karburant të veprojë deri në 500 km.
Challenger 2 (foto: hyperscale.com/)
| Në kuadër të tankeve moderne të gjeneratës së tretë, bëjnë pjesë edhe tanku britanik Challenger 2, ai francez Leclerc dhe ai izraelit Merkava Mark 3, të cilët për nga karakteristikat tekniko-taktike, janë të përafërt me tankun amerikan dhe gjerman. Një pjesë e madhe e pajisjeve të tyre është bërë në kooperim, në kuadër të standardizimit të pajisjeve për vendet anëtare të NATO-s. Sikur M1A2 Abrams ashtu edhe Challenger 2 shfrytëzojnë të njëjtin sistem të drejtimit të zjarrit të prodhuar në kompaninë kanadeze »CDC«. Po ashtu topi i M12 Abrams është i njëjti me atë të Leopard 2. Një ndryshim i theksuar sa i përket tankeve të prodhuara në Perëndim është te tanku francez Leclerc i prodhuar në vitin 1989 nga firma GIAT dhe i futur në përdorim të ushtrisë franceze në vitin 1991. Ndryshimi konteston në faktin se ky tank ka sistem automatik të mbushjes së topit GIAT CN 120-26 të kalibrit 120 mm. i cili mundëson qitje me shpejtësi prej 12 fishekësh në minutë. Gjithashtu, ky sistem mundëson edhe mbushje të topit me dorë në rast të ngecjeve teknike, por kjo mënyrë e mbushjes nuk është e preferuar pasi është shumë e ngadalshme. Edhe në shekullin e ardhshëm, nga ushtritë e botës, tanket do të jenë mjete luftarake më të kërkuara për luftë në tokë. Si mjete luftarake, ato më nuk do të kenë vlerë vetëm si çelik i trashë dhe i armatosur që e vë në lëvizje motori. Efekti në luftë i tankeve të ardhshme në masë të madhe do të varet nga elektronika ultra moderne, të cilën të gjithë nuk janë në gjendje ta prodhojnë. Kështu, tanket për luftërat në këtë shekull me vështirësi do t’i sigurojnë të gjithë ata që i dëshirojnë. Prodhimi i tyre do të koncentrohet në vendet e fuqishme ekonomike, të cilat përpos që do të mund t’i prodhojnë në numër të madh, do të kenë mundësinë e përsosjes së tyre në vazhdimësi. Vendet e botës së dytë dhe të tretë, do t’i furnizojnë ushtritë e tyre me modele të tankeve të një ose dy gjeneratave më të vjetra, të cilat në një luftë eventuale, nuk do të kenë ndonjë efekt.
Fadil Kajtazi – Gilan fadilkajtazi@hotmail.com
|
|
| |
| Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 3 Votues: 3

| |
|