Më në fund Kosova, është e lirë, e pavarur. Pas shumë luftërash e përpjekjesh, pas 9 vitesh administrim nga Kombet e Bashkuara, Kosova më në fund shpalli mëvetësinë e saj të dielën e 17 shkurtit duke hapur kështu një periudhë tranzicioni delikat, por jo të pamundur drejt stabilizimit të Ballkanit.
Të 109-të deputetët e parlamentit kosovar aprovuan në unanimitet deklaratën e pavarësisë të lexuar nga kryeministri Thaçi. Me qëllim mungonin në këtë ditë të shënuar, 11 deputetët që përfaqësojnë pakicat serbe në Kosovë, të cilët e zgjodhën kështu mënyrën për të treguar kundërshtinë e tyre ndaj lindjes së këtij shteti, tek i cili në fund të fundit do të jenë dhe ata banorë. Pjesa më e madhe e serbëve në Kosovë qëndron e izoluar në veri të qytetit të Mitrovicës, ku për ironi të fatit, sot qëndron nën mbrojtjen e të të njëjtës NATO e cila më 1999 bombardonte Serbinë për ti dhënë fund spastrimeve etnike.
Në Kosovë ndodhen rreth 20.000 ushtarë të KFOR-it, me misionin të garantojnë paqen dhe sigurinë, për të ndaluar një rifillim të mundshëm të dhunës etnike megjithëse orët e para të pavarësisë sollën momente shumë inkurajuese në këtë aspekt. Pas një mankthi të gjatë se si do shkojnë momentet e para të shpalljes së pavarësisë, as gjë nuk ndodhi për të preokupuar, përjashto rastin e dy apo tre incidenteve të izoluara e pa rëndësi. Çdo gjë shkoi siç i ka hije një feste, lirie dhe mëvetësie pas vitesh e vitesh robërie.
...leader-t e moderuar te Serbise, e kuptojnë fare mirë që nuk mund të ndalojnë me forcë pavarësinë e Kosovës. Akte të tilla force do të ishin vetëm në dëm të Serbisë. Sanksionet ekonomike dhe politike, të parashikuara në raste të tilla, s’do bënin gjë tjetër vetëm se do dëmtonin më tej Serbinë duke e izoluar atë nga i gjithë rajoni. Gjithashtu
leader-et e Serbisë kuptojnë fare mirë se, marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Evropën janë më të rëndësishme se sa krenaria kombëtare e ofenduar. Periudha e kolonializmit ka mbaruar me kohë...
Tashmë periudha e globalizimit kërkon politika të tjera. Nacionalizmat nuk kanë më vlerë. Vetë fqinjët e Serbisë, Maqedonia dhe Shqipëria e kanë kuptuar me kohë, dhe po përpiqen çdo ditë me politikën e tyre për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon, në mënyrë për të mos prishur shanset që këto vende kanë për tu anëtarësuar në NATO dhe BE. Tani është rasti më i mirë për një fillim të ri në Ballkan. Vullneti ekziston i të dy-ja fuqive perëndimore, ShBA-së dhe BE-së për të ndërtuar një shtet në Kosovë të lirë dhe demokratike, në mënyrë për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon. Bashkimi Evropian në vijim të një politike të tillë i dha mandatin forcave të quajtura “EULEX” të cilat do të bashkëpunojnë gjithashtu me trupat e NATO-s për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Ky është një mision tek i cili shtetet perëndimore nuk duhet të dështojnë në qoftë se duan një herë e mirë të mbyllë vazon e pandorës së Ballkanit.
MARION GAJDA