Edhe pas vitit 1945, tanket mbetën si mjet më i
rëndësishëm për zhvillimin e aktiviteteve luftarake në tokë. Kështu, shtetet
fitimtare të luftës, por edhe ato të cilat filluan t’i modernizojnë ushtritë e tyre
nga e para, tanket i konsideronin armë kryesore për zhvillimin e veprimeve
mësymëse dhe mbrojtëse në luftë tokësore. Natyrisht që edhe tanket e pasluftës,
u zhvilluan krahas të arriturave tekniko-shkencore.
AMX - 13 (foto: militaryfactory.com)
|
Kjo ndikoi që zhvillimi i tyre të jetë i ndarë në
gjenerata, të cilat dalloheshin nga njëra-tjetra sipas modernizimit teknik, i
cili i rriste dukshëm aftësitë luftarake nga njëra gjeneratë në tjetrën.
Shikuar në këtë prizëm, pas Luftës së Dytë Botërore e deri sot, janë zhvilluar
tri gjenerata të tankeve. Gjenerata e parë e tankeve ka filluar të prodhohet
nga viti 1944 dhe ka vazhduar deri në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjeta.
Gjenerata e dytë filloi të prodhohet nga vitit 1954 dhe ka vazhduar deri në
fund të viteve shtatëdhjeta. Tanket e gjeneratës së tretë filluan të prodhohen
në vitet shtatëdhjeta dhe vazhdojnë të prodhohen edhe në ditët e sotme.
Gjenerata e parë e tankeve nuk solli ndonjë risi.
Tanket e kësaj gjenerate, kryesisht ishin versione të reja të tankeve të
prodhuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose modele të reja të bëra mbi bazë të
tyre. Tanket e kësaj gjenerate mbetën në përdorim të disa ushtrive deri në
vitet shtatëdhjeta, por shtetet e zhvilluara ekonomikisht filluan t’i heqin nga
përdorimi menjëherë pas ardhjes së gjeneratës së dytë. Tanket më të njohura të
kësaj gjenerate janë ato amerikane M-26 Pershing, i prodhuar në vitin
1944 dhe M-46 Paton, i prodhuar në vitin 1949. Këto tanke në veprime
luftarake u angazhuan në mënyrë të kufizuar gjatë Luftës së Koresë dhe asaj të
Vietnamit, ku përdorimi i tyre nuk pati ndonjë efikasitet të madh. Terreni ku
zhvilloheshin veprimet luftarake nuk lejonte përdorim masiv të tyre, prandaj
këto dy luftëra përfunduan pa ndonjë betejë të madhe tankiste.
Tanket e
gjeneratës së dytë
Në zhvillimin e gjeneratës së dytë të tankeve, e
cila fillon të zhvillohet në vitet pesëdhjeta, ndikim të madh pati rritja e
aftësisë së madhe shpuese të armëve kundërblinduese dhe rritja gjithnjë e më e
madhe e rrezikut nga përdorimi i armëve nukleare, kimike dhe biologjike. Mbi
bazë të kësaj, në radhë të parë u hoq dorë nga ideja e rritjes së trashësisë së
blindës, e cila vetëm sa i zvogëlonte aftësitë manovruese të tankeve, ndërsa
karshi armëve të reja kundërblinduese, ishte pa ndonjë vlerë të madhe. Kështu,
tankeve të kësaj gjenerate, iu shtuan disa komponentë, të cilat dukshëm ndikuan
në rritjen e rezistencës së tyre karshi armëve kundërblinduese. Komponentët, të
cilat iu shtuan kësaj gjenerate janë si vijon: U pajisën me motorë të fuqishëm,
të cilët e rritën aftësinë manovruese; u pajisën me armatim, i cili kishte
mundësi të goditjes në distancë më të madhe se mjetet kundërblinduese dhe
kishte fuqi të madhe zjarri; u bë pajisja e tyre me stabilizator të topit, i
cili krijonte mundësinë e gjuajtjes së caqeve edhe në lëvizje; u bë zvogëlimi i
siluetës së përgjithshme të tyre, e cila mundësonte maskim më efikas. Po ashtu te
tanket e kësaj gjenerate në kuadër të sistemit të identifikimit dhe shënjimit,
filloi aplikimi i elektronikës dhe rrezeve laser, të cilat e lehtësuan procesin
e llogaritjeve, i cili ndikoi në rritjen në masë të madhe të shkallës së
saktësisë gjatë qitjes. Aplikimi i rrezeve aktive infra të kuqe, në kuadër të
sistemit të vëzhgimit dhe shënjimit e bëri të mundur, që tanket e kësaj
gjenerate të kenë mundësi të lëvizjes dhe të qitjes edhe në kushtet e natës.
Në anën tjetër, me kohë ishte konstatuar se mjetet
e blinduara janë rezistente ndaj veprimeve goditëse, termike dhe rrezatuese të
armëve nukleare dhe mund të veprojnë pa problem edhe në zonat e kontaminuara
nga materiali radioaktiv. Për këtë, tanket e kësaj gjenerate, u pajisën me
filtrues të ajrit, të cilët mundësonin që ekuipazhi i tyre të jetë i siguruar
edhe në zonat e kontaminuara radioaktive, kimike e biologjike.
Përkundër aplikimit të teknologjisë së re, ajo nuk
ishte e përsosur sa duhet dhe për këtë,
në kuadër të kësaj gjenerate, prodhohen variante të ndryshme të një modeli duke
u provuar që të bëhet përsosja deri në atë masë, sa t’i përgjigjet kërkesave të
kohës. Stabilizatori i topit, si njëri prej komponentëve shumë të rëndësishme
te tanket e kësaj gjenerate, edhe pse është aplikuar që nga fillimi, ai nuk
ishte i përsosur sa duhet dhe për këtë, gjuajtja në lëvizje, nuk ishte e
nivelit të kënaqshëm. Stabilizatori i qitjes si komponent kushtëzohej nga të
arriturat elektrike, elektronike, hidraulike dhe zgjidhjet teknike që i bënin
konstruktorët. Për këtë, vetëm përsosja e tij ndikoi në ndryshimin e disa
versioneve nga modeli bazë. Ndërkohë, edhe përparimet në fusha të tjera ndikuan
që tanket e kësaj gjenerate të prodhohen në versione të ndryshme, duke mos u
shmangur nga modeli bazë.
Sa i përket numrit të tankeve të strukturës
organizative të divizioneve, në kuadër të formacioneve ushtarake të shteteve
perëndimore, organizimi ishte i larmishëm. Në ushtrinë e SHBA-ve, në kuadër të
divizioneve të këmbësorisë ka 126 tanke; në kuadër të divizioneve të
mekanizuara 189 tanke dhe në kuadër të divizionit të blinduar ka 351 tanke.
Britanikët kanë 235 tanke në kuadër të divizionit të këmbësorisë,
gjermanoperëndimorët në kuadër të divizionit kanë brigadën tankiste të përbërë
nga 108 dhe italianët në kuadër të
divizionit të blinduar kanë 300 tanke.
Shtetet e bllokut lindor kishin strukturë të
njëjtë organizimi të divizioneve dhe numrit të tankeve. Ky organizim ishte
diktuar nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa mënyra e organizimit ishte konceptuar mbi
bazë të përvojave të fituara në luftën me tanke të ushtrisë së kuqe gjatë
Luftës së Dytë Botërore, ndërsa divizioni sovjetik i këmbësorisë në përbërje të
tij ka 96 tanke.
Vendet anëtare të NATO-s dhe ato të Paktit të
Varshavës, në këtë kohë kanë llogaritur se në rast lufte nukleare ta rrisin
numrin e tankeve në kuadër të divizioneve të tyre, me qëllim që ta rrisin edhe
mundësinë e rritjes së fuqisë së zjarrit. Në NATO, është llogaritur që një
divizion, i cili lufton në kushte të këtilla, duhet të ketë aftësinë që me një
zbrazje nga tanket dhe mjetet e tjera të blinduara të hedhë afër 60.000 kg.
çelik. Kjo masë, në vendet anëtare të Paktit të Varshavës, është llogaritur të
jetë deri në 55.000 kg. Për luftime në kushte të këtilla, francezët llogaritnin
të formimin divizione të blinduara në përbërje të të cilëve do të kishte deri
1.200 tanksa.
Më tej: Modelet e tankeve të gjeneratës së dytë
Fadil Kajtazi – Gjilan
fadilkajtazi@hotmail.com
|