Pushkët
Luftëtarët e orëve të para të UÇK-së, Adem Jashari i armatosur me pushkë automatike T-56, Shaban Jashari i armatosur me pushkë përsëritëse të sistemit Mauzer dhe Hamzë Jashari i armatosur me pushkë automatike M-74 e prodhimit shqiptar.
|
Pjesa më e madhe e armatimit që përdori UÇK, ishte armatim i ushtrisë së Shqipërisë. Një pjesë të këtij armatimi ushtria shqiptare e kishte importuar nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kina, ndërsa pjesa tjetër ishte prodhim vendor. Prodhimi industrial i armëve në Shqipëri fillon më 1962. Në këtë vit filluan punën tri ndërmarrje për prodhimin e armëve dhe municionit. Së pari në funksion të prodhimit u lëshuan repartet e Kombinatit të Municionit në Poliçan, ku u startua me prodhimin e municionit 7,62 X 39, dhe granatave të mortajave 82 mm. Më pas filloi punën edhe Uzina e Armëve në Gramsh, me ç’rast u startua me prodhimin e pushkës automatike M-1963 dhe në Elbasan filloi punën Uzina e Lëndëve Plasëse, ku startohet me prodhimin e barutit dhe eksplozivit.
Arma më masive e përdorur nga formacionet luftarake të UÇK-së ishte pushka automatike. UÇK ka përdorur dy modele të pushkës automatike dhe atë
T-56 versioni kinez i AK-47, të cilin që nga viti 1974 e prodhoi edhe
Uzina e Armëve në Gramsh të Republikës së Shqipërisë, si dhe versionin jugosllav
M-70, i cili gjithashtu është version i AK-47 i prodhuar nga firma jugosllave »Crvena Zastava«, që njëherësh ishte arma standarde e ushtrisë serbe gjatë luftës me UÇK-në.
[1]Gjithashtu mjaft e përhapur në radhët e ushtarëve të UÇK-së ka qenë edhe pushka automatike
M-1963 e kalibrit 7,62 X 39 prodhim i Shqipërisë, të cilin në vitin 1962 fillon që ta prodhojë Uzina e Armatimit në Gramsh. Kjo pushkë është punuar mbi bazë të pushkës gjysmëautomatike sovjetike të modelit sovjetik
SKS (Simonov). Në fakt, pushka gjysmëautomatike e konstruktuar nga Simonov, është modifikim i realizuar mbi bazë të dy pushkëve. E para është modeli sovjetik
SVT-40 (Samozarjadnaja Vintovka sistem Tokareva) e kalibrit 7,62 X 54R dhe që është përdorur në mënyrë të kufizuar nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore. E dyta është pushka gjysmëautomatike gjermane G-43 e prodhuar nga Walther.
[2] Ekspertët shqiptarë, duke i ruajtur në masë të madhe karakteristikat teknike të modelit sovjetik, e konstruktuan këtë pushkë më kompakte, ndërsa si ndryshim themelor, ata e aftësuan këtë pushkë për qitje në mënyrën një nga një dhe automatike dhe ia shtuan kapacitetin e municionit nga 10 fishekë, që ishte te modeli bazë në 20 fishekë, duke ia vendosur pushkës karikatorin në vend të arkës. Kjo pushkë, ka peshë të përgjithshme prej 3, 92 kg. dhe shpejtësia e qitjes luftarake me të shtëna një nga një arrin 35 deri në 40 fishekë në minutë, ndërsa përmes qitjes automatike mund të realizohet zjarr nga 90 deri në 100 fishekë në minutë.
[3] Oficeri i UÇK-së, Agim Ramadani i armatosur me pushkë automatike R-4 e prodhuar nga Republika e Afrikës së Jugut mbi bazë të pushkës izraelite Galil. Kjo pushkë i është konfiskuar njësive speciale të ushtrisë Serbe në aksionin e Zharës. |
Nga pushkët tjera të përdorura nga UÇK dhe të cilat i përkasin pushkëve të prodhuara në vendet socialiste, është edhe pushka përsëritëse e sistemit Mauzer
M-48 e kalibrit 7, 9 mm. prodhim jugosllav, dhe pushka gjysmëautomatike
M-59/66 e kalibrit 7,62 X 39 e prodhimit jugosllav. Kjo e fundit gjithashtu është prodhuar nga Jugosllavia mbi bazë të modelit sovjetik SKS (Simonov) dhe deri në fund të viteve tetëdhjeta ishte armë standarde e Armatës Popullore të Jugosllavisë, ndërsa pas futjes në përdorim të pushkës automatike M-70, kjo gradualisht u tërhoq nga njësitë e rregullta të ushtrisë dhe kaloi në kuadër të njësive të Mbrojtjes Territoriale, të cilat ishin formacione rezervë të ushtrisë jugosllave.
Pushkët e prodhuara në Perëndim, janë përdorur shumë pak për shkak të kalibrit, i cili krijonte vështirësi për furnizim me municion. Megjithatë, me to u armatosën një numër i vogël i ushtarëve tanë. Nga këto pushkë më e përhapura ishte
SG-550, si dhe versioni i shkurtër i saj
SG-551 e kalibrit 5,56 X 45 e prodhuar më 1984 nga kompania zvicerane SIG. Për nga karakteristikat tekniko-taktike, kjo pushkë është e përafërt me pushkët e shteteve perëndimore anëtare të NATO-s dhe ndonjë karakteristikë të veçantë nuk ka, përveç që duhet theksuar se në mënyrë automatike punon duke shfrytëzuar sistemin e huazimit të gazrave të barutit nga tyta.
[1] Karakteristikat tekniko-taktike për armatimin jugosllav janë marrë në: Priručnik za komandira odeljenja, botuar nga Vojnoizdavački Zavod, Beograd 1988.
[2] Më gjerësisht në kapitullin Lufta e Dytë Botërore – armët e lehta të këmbësorisë.