Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, NATO-ja ka ndërmarrë një sërë reformash të gjera, duke synuar të përshtatet ndaj kërcënimeve dhe sfidave të reja të sigurisë. Vendet e hershme anëtare i kanë dhënë Aleancës role të reja strategjike. Vende të reja janë pranuar, janë instaluar programe partneriteti e dialogu me vende jo anëtare. Këto zhvillime kanë lehtësuar më shumë veprimin ushtarak kolektiv. Ka marrë tanimë formë dhe po zhvillohet një përmasë e re e rolit të Aleancës: përhapja globale e asistencës dhe këshillës teknike lidhur me sigurinë. Një Aleancë, që dikur ishte një instrument frikësimi e frenimi po kthehet në një mekanizëm për përhapje globale force e këshillimi për sigurinë.
Rinovimi i Aleancës mbetet gjithsesi një projekt në zhvillim, duke u bazuar në konceptin se, transformimi është forcë shtytëse në përpjekjet për ta bërë NATO-n më të dobishme e më të frytshme. Transformimi synon rritjen e kapaciteteve për përdorim global të forcave ushtarake, duke thithur njëherësh zhvillimet e reja doktrinore e teknologjike dhe duke rritur, mbi këtë bazë, ndërveprueshmërinë. Të tilla përpjekje janë jetësore nëse Aleanca dëshiron të mbetet një instrument i frytshëm për veprim ushtarak kolektiv.
Nga natyra e saj, sidoqoftë, agjenda e transformimit është ngushtësisht e përqendruar në çështje ushtarake. Porse NATO duhet t’i nënshtrohet një transformimi politik nëse dëshiron të bëhet një instrument i frytshëm për përhapjen globale të forcës dhe të këshillimeve për sigurinë. Në të ardhmen, ky transformim politik duhet të përfshije rritjen e partneritetit global me shtete e institucione kyçe rajonale, rritjen e kapaciteteve për informacion e analizë social-ekonomike e politike, zhvillimin e aftësive për t’iu përgjigjur përmasës etike të veprimit ushtarak dhe përmirësimin e kapaciteteve shtet-ndërtuese e paqe-ndërtuese të Aleancës.
Nevoja për transformim politik
Ndërsa shtetet anëtare të NATO-s përballojnë një hapësirë të gjerë kërcënimesh për sigurinë, kërcënimi nga terrorizmi mbetet në qendër të politikës së sigurisë në të dyja anët e Atlantikut. Konfliktet ndërshtetërore dhe vendet që “s’bëjnë dot shtet” janë shfaqur gjithashtu si shqetësime kryesore të sigurisë ndërkombëtare, duke i renditur operacionet e paqes e të stabilizimit një përparësi politike. Ndërkaq, shtetet diktatoriale vijojnë të kërcënojnë qëndrueshmërinë rajonale. Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë apo kërcënimi prej tyre, krijon frikën e përdorimit të tyre në veprime luftarake dhe provokon kriza me vende të tilla si: Koreja e Veriut apo Irani. Krimi i organizuar ushqen korrupsionin dhe frikën, duke zhvendosur burimet nga veprimtaria e ligjshme ekonomike dhe nga përparësitë e tjera të rendit normal. Lëvizja e pakontrolluar e njerëzve brenda apo jashtë vendit dhe moskrijimi i kushteve për integrimin në shoqëri të komuniteteve të formuara nga emigracioni, mund të krijojë një nënshtresë të përbuzur në pikëpamje racore e fetare, duke lënë kësisoj hapësira për të nxitur ekstremizmin e dhunën që frymëzohet nga mungesa e identitetit. Siguria e burimeve të energjisë është një shqetësim në rritje, përderisa varësia e vendeve të NATO-s nga burimet e jashtme të energjisë po rritet gjithnjë e më shumë. Më në fund, ndryshimet e klimës dhe degradimi i mjedisit ka shumë të ngjarë të sjellin konflikte të reja apo të përkeqësojnë konflikte të vjetra.
Këto çështje, të marra së bashku, paraqesin një sfidë shumë më të ndërthurur sigurie për shtetet anëtare të NATO-s, në krahasim me sfidat që paraqiteshin gjatë Luftës së Ftohtë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Në radhë të parë, këto sfida të reja sigurie janë të ndryshme në karakter, si dhe të ndërthurura në orgjinë e në rrjedhime. Për shembull, konfliktet ndërshtetërore dhe vendet që “s’bëjnë dot shtet”, si rregull, përbëjnë ushqim, terren dhe strehë të sigurt për krimin e organizuar e organizatat terroriste. Ato bëhen gjithashtu burime për lëvizje të pakontrolluara e të paligjshme masash të mëdha njerëzish, si nga një shtet në tjetrin, ashtu edhe brendapërbrenda të të njëjtit shtet. Kërcënimi nga terrorizmi ndërkombëtar lidhet gjithnjë e më shumë me terrorizmin që “kultivohet brenda vendit”. Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë e rrit kërcënimin që bartin regjimet diktatoriale e grupet terroriste. Përgjigja ndaj këtij mjedisi të larmishëm dhe madje të pleksur sigurie, shtron detyrime për mbledhje informacioni dhe analizë të shëndoshë politike e shoqërore.
Së dyti, këto sfida të reja sigurie janë mbizotërimisht shoqërore-ekonomike e jo aq tekniko-ushtarake në karakter. Konfliktet ndërshtetërore, terrorizmi, lëvizja masive e pakontrolluar dhe e paligjshme e njerëzve brenda vendit dhe krimi i organizuar motivohen e përcaktohen edhe nga kushte të rënda politike, ekonomike e shoqërore. Natyrisht që fuqia ushtarake e regjimeve diktatoriale, përftimi prej tyre i armëve të shkatërrimit në masë dhe mundësitë taktike të luftëtarëve të armatosur në luftërat ndërshtetërore, janë rrethana, të cilat lypin vlerësime ushtarako-teknike. Sidoqoftë, përgjigjet e suksesshme afatshkurtra dhe zgjidhjet afatgjata ndaj kërcënimeve të sotme dhe atyre që mund të shfaqen në të ardhmen, varen nga formulimi dhe zbatimi i zgjidhjeve të frytshme politike, shoqërore dhe ekonomike. Për rrjedhim, NATO duhet të bëhet një instrument më i frytshëm për analiza e diskutime rrethanash shoqërore-ekonomike që nxisin kërcënime për sigurinë dhe mbi këtë bazë, edhe për hartimin e politikave për t’i zgjidhur ato.
Së treti, sfidat e sigurisë që i dalin përpara NATO-s s’mund të përballohen vetëm përmes përparësisë që ka NATO si organizatë kërcënimi për përdorim apo përdorimi force. Forca ushtarake mund t’i japë fund një konflikti midis shteteve ose të vendosë rendin në vendet që “s’dinë të bëhen shtet”, porse nuk mund të instalojë një paqe afatgjatë vetëm mbi bazën e forcës ushtarake. Veprimi ushtarak mund t’i vrasë terroristët apo të ndërpresë rrjetin e tyre, porse nuk mund t’u adresohet shkaqeve rrënjësore e as që mund të pengojë rekrutimin e terroristëve të rinj. Parandalimi ushtarak i mundësive të përdorimit të mjeteve të luftës bërthamore, biologjike e kimike është i rrezikshëm si politikisht, ashtu edhe praktikisht. Regjimet diktatoriale mund të përmbysen me anë të mjeteve ushtarake, por këto regjime do të duhet, në vijim, të zëvendësohen me organizma joushtarake. Lëvizjes së paligjshme të masave të popullsisë brenda e jashtë vendit dhe krimit të organizuar mund t’u adresohesh më mirë përmes ruajtjes policore dhe politikave sociale. Siguria e burimeve të energjisë nuk mund të arrihet përmes përdorimit të fuqisë ushtarake. Nëqoftëse NATO do të duhet të japë ndihmesë në përparimin e sigurisë përballë sfidave të tilla, ajo lypset të bëhet një instrument më i frytshëm për angazhime të gjera e të gjithanshme diplomatike. Të gjitha këto ajo duhet t’i mishërojë në programet politike dhe ekonomike, në planifikim dhe në operacionet ushtarake.
Së katërti, sfidat e mjedisit bashkëkohor të sigurisë, si në kufij konceptuale, ashtu edhe praktikë, duket se kërkojnë një “shkrirje” midis sigurisë së brendshme dhe asaj të jashtme, në ndarjen tradicionale të përgjegjësive midis institucioneve ndërkombëtare dhe agjencive të brendshme. Nga brenda, policia dhe agjenci të tjera të sigurisë së brendshme, po përdorin gjithnjë e më shumë taktika e teknika të stilit ushtarak, qoftë për detyra pasive, qoftë për detyra reaguese. Duket se, gjithnjë e më shumë, forca ushtarake po angazhohet me detyrë të përgjigjet e para, madje edhe në kohë, ndaj ngjarjeve që lidhen me sigurinë e brendshme. Në kushtet e misioneve të NATO-s jashtë zonës së përgjegjësisë klasike të NATO-s, forcat ushtarake gjithnjë e më shumë po marrin përsipër detyra rendi e ligji, kurse forcat policore gjithnjë e më shumë po përdoren në bashkëpunim me misionet e NATO-s. Përballimi i sfidave të sigurisë, të cilat janë njëherësh ndërshtetërore dhe pa kufij natyralë, do të kërkojë që NATO-ja të përmirësojë mjetet e komunikimit dhe këshillimit, si me organizatat e brendshme, ashtu edhe me ato ndërkombëtare të sigurisë.
Së pesti, sfidat e sigurisë që përballon NATO, shpesh provokojnë e pasqyrojnë ndeshje idesh, sistemesh vlerash, konceptesh të së drejtës dhe të së gabuarës. Veprimi apo mosveprimi në ndonjë nga këto sfida, ngarkohet me mëdyshje etike, të cilat, nga ana e tyre, mund te krijojnë implikime të mëdha politike ndërkombëtare e të brendshme. Qartësia morale që karakterizonte Luftën e Ftohë në Europë është një etapë së cilës pothuajse i ka ikur koha. Në ditët e sotme, kategoritë morale, ligjore dhe etike luajnë një rol shumë më të dukshëm në krijimin e ruajtjen e legjitimitetit ndërkombëtar të NATO-s, në sigurimin e mbështetjes së opinionit publik të brendshëm, opinionit publik të vendeve anëtare e partnere dhe të vendeve të tjera të botës, veçanërisht në rastin kur do të duhet të përdoret forca ushtarake. Përderisa çështjet morale, ligjore dhe etike përcaktojnë gjithnjë e më shumë suksesin apo dështimin e politikave të sigurisë dhe kushtëzojnë çfarë është politikisht e mundshme apo e dëshirueshme, atëherë lypset që NATO të përmirësojë kapacitetet e saj për t’u informuar, vlerësuar, analizuar dhe integruar të tilla çështje në politika dhe në planifikim.
Transformimi politik i NATO-s
Nëqoftëse NATO do të duhet të bëhet një instrument i frytshëm i përhapjes globale të forcës dhe i këshillimeve për sigurinë, në përgjigje ndaj kërcënimeve aktuale dhe atyre të pritshme, ajo duhet t’i nënshtrohet një transformimi politik. Theksi i këtij transformimi duhet të vihet në rritjen e kapaciteteve të Aleancës për të kryer me frytshmëri role kyçe, jo thjesht në ripozicionimin e Aleancës në arkitekturën e re të sigurisë euro-atlantike apo në riformulimin e procedurave të vendimmarrjes. Shumë vëmendje politike i është kushtuar marrëdhënieve NATO-BE. Pak është për t’u fituar duke hapur një debat të gjatë dhe pambarim mbi reformat e strukturave vendim-marrëse të NATO-s. Nuk ka të ngjarë që NATO-s t’i kërkohet të ofrojë ndonjë gjë më shumë se sa një rol operacional mbështetës ndaj terrorizmit, krimit të organizuar, lëvizjes së paligjshme të popullsisë, sigurisë së burimeve të energjisë, degradimit të mjedisit, fatkeqësive të ndryshme të natyrës, etj. Natyrisht që NATO do të vijojë të përdoret si një instrument i veprimit ushtarak kolektiv dhe i bashkëpunimit për sigurinë. Në këtë synim, transformimi politik i Aleancës duhet të ndjekë një agjendë të përkushtuar ndaj këtyre dy funksioneve parësore.
Rritja e partneritetit global
Transformimi politik i NATO-s duhet të përfshijë zhvillimin e partneritetit me shtete dhe institucione në rajone të tjerë të botës. Shumë nga sfidat e sotme dhe të pritshme të sigurisë që përballohen nga Aleanca, e kanë origjinën jashtë zonës euro-atlantike dhe kanë tipare, ndikime dhe rrjedhime globale. Nëqoftëse NATO kërkon të ruajë funksionet e një mekanizmi të dobishëm për bashkëpunimin e sigurinë kundër të tilla kërcënimeve, ajo nuk mund të mbetet psikologjikisht e kufizuar dhe e mbyllur në një botë të ngushtë gjeografike brenda territorit të shteteve anëtarë të saj dhe brenda një perferie mjegullisht të përcaktuar si zonë interesi. Zhvillimi i partneritetit formal me vende dhe institucione të bashkinteresuara në rajone të ndryshme të botës do të shtojë kapacitetet e NATO-s dhe do të rrisë besueshmërinë dhe legjitimitetin si institucion sigurie. Partneriteti global do të krijojë një kulturë bashkëpunimi në fushën e sigurisë midis NATO-s dhe aktorëve të tjerë, do të pakësojë keqkuptimet e keqkomunikimin dhe do të rritë njohjen e politikave rajonale e rrethanave shoqërore, të cilat janë themelisht të rëndësishme në hartimin e mënyrave të suksesshme të përgjigjes ndaj sfidave të sigurisë, ndaj kërcënimeve të sotme dhe atyre të pritshme.
Për të arritur avantazhin më të madh të ndërsjellët për çdo nivel të partneritetit global, elasticiteti duhet të jetë parimi udhëheqës i Aleancës. Nivelet e partneritetit global duhet të instalohen mbi baza bilaterale, për fusha të veçanta bashkëpunimi, të përcaktuara nga një proces këshillimesh e negocimesh. Mund të instalohet një forum global partneriteti ose një forum rajonal partneriteti, nëse ka interes në bashkëpunimin shumëpalësh midis pjesëmarrësve. Ngjashmërisht, mund të zhvillohen forume funksionale partneriteti për fusha të veçanta bashkëpunimi (të tilla si oferta e forcave për operacione stabiliteti ose operacione detare kundërterroriste). Nivelet partnere duhet të zgjerohen përtej bashkëpunimit ushtarak për të përfshirë këshillime më të gjera, për shembull, për çështje të përgjigjeve ndaj terrorizmit, krimit të organizuar, përhapjes së armëve, metodave të rritjes së sigurisë së burimeve të energjisë dhe implikimeve për sigurinë që mund të rrjedhin nga degradimi i mjedisit apo varfërimi i burimeve.
MARION GAJDA