Natyra: Kujtesa fleksible Data e botimit: Thursday, 19 April 2007
Lėnda: Kujtesa
|
Prof. Dr. Eric (shqip. Erik) R. Kandel i Universitetit Kolumbia (Columbia University) në Nju Jork (New York) të ShBA-së mbahet si "Einstein (shqip. Ajnshtajn) i hulumtimit të trurit". Në vitin 2000 ai mori Çmimin Nobel në Mjekësi për hulumtimin e tij mbi themelet e mendjes. Në një kërmill tepër të thjeshtë, që zotëron qeliza të veçanta nervore, "lepurin e detit" (shkc. aplysia), ai zbuloi proteina të cilat krijojnë kujtesën afatgjatë.
Lepuri i detit (fig. uoregon.edu) | Ai ka gjetur atë mbi të cilën edhe Freud (shqip. Frojdi) kishte pasur një ide se kontaktet midis qelizave nervore, sinapset, nuk janë fikse por fleksible. Ato mund të ndërrojnë vend dhe këtë e bëjnë të shtyra nga të mësuarit dhe kujtimet. Ky është një parim i përgjithshëm.
Immanuel Kant duhet të ketë qenë i pari që përmes të menduarit ka kuptuar se truri lind i ditur, me një program të vetin. Sot e dimë që ashtu është, thotë Kandel i cili nga ana e tij adhuron si Freud'in ashtu edhe Kant'in. Truri ka programe që nuk janë krijuar nga përvoja. Këtë mund ta shohim edhe gjatë zhvillimit të trurit ku shumë prej zhvillimeve janë të programuara gjenetikisht. Këtë Kant e ka quajtur "paradije", dije të brendshme dhe Kandel e ka parë përmes eksperimentesh me lepurin e detit ku ka dalë se ky kërmill i madh deti, me një trup të një maceje të vogël e me qeliza nervore të pakta por të mëdha, lind me atë arkitekturë refleksesh që ka. Por a mundet ky kërmill atëherë të mësojë diçka nga përvoja ?
qelizë nervore (fig. Selket, Wikipedia) | Filozofi britanik John Locke (shqip. Xhon Lok) ka thënë se shumë në jetë vjen nga të mësuarit. Kandel ka zbuluar se lepuri i detit mund të mësojë shumë gjëra. Kjo pasi me të vërtetë arkitektura e reflekseve është me të lindur por të mësuarit është hapi tjetër, një shtresë tjetër që krijohet mbi arkitekturën e reflekseve dhe që mund të ndërrojë elementet e kësaj arkitekture duke i bërë më të forta apo më të dobëta.
Kandel thotë se ai është evolucionist dhe se Darwin (shqip. Darvini) ka pasur të drejtë. Nëse një mekanizëm i jep përparësi organizmit atëherë ky ruhet dhe përcillet tek brezat e tjerë. Po ashtu të mësuarit dhe kujtesa janë shumë të rëndësishme kështu që çdo kafshë sado e vogël duhet t'i ketë. Ato duhet të dinë se ku të gjejnë ujë, ushqim, ku janë armiqtë, ku janë miqtë. Gjithkush duhet ta dijë këtë.
Truri është më i shpejtë se vetëdija
Njeriu merr një vendim dy milisekonda e gjysmë përpara se të jetë i vetëdijshëm mbi të. Ky mund të shihet në formën e një shtyse të vogël elektrike. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi vullnet të lirë por tregon se ky vullnet i lirë nis me diçka të pavetëdijshme. Edhe Freud'i ka thënë se shumë nga ajo që bëjmë vjen nga pavetëdija.
Një shembull është gjuha e folur. Ne nuk dimë nëse gjuha që përdorim është e rregullt nga ana gramatikore, se ku është folja apo emri, se a jemi duke përdorur një folje apo emër në fjalinë që po themi, mbi këtë jemi të pavetëdijshëm por ia arrijmë të merremi vesh me tjetrin pasi gjuha që flasim është njëfarësoj korrekte, ndonëse ndoshta jo në mënyrë të përsosur.
Truri ka një kore të jashtme që quhet korteks cerebral. Ky është i ndarë në katër rajone. Njëri prej tyre është korja ballore (korteksi frontal). Ky merret me vullnetin e lirë, me veprimet, me kujtesën tepër afatshkurtër dhe është sintezë e proceseve më të larta mendore.
Truri rindërton gjithçka mbi të dhëna tepër të kufizuara. Të dhënat atje jashtë janë të plota por truri përdor vetëm një sasi të kufizuar të tyre. Kështu atij i duhet gjithnjë t'i plotësojë me hamendësime. Gjatë plotësimit bëhen gabime pasi truri ka kufirin e tij.
Përgatiti për Rruzull.net : Alvin Ekmekçiu Burimet, gjermanet: - DCTP / Das flexible Gedächtnis/24.09.2006 - Deutsche Welle / Eric R. Kandel: Auf der Suche nach dem Gedächtnis - 3sat / Auf der Suche nach dem Gedächtnis Vë re! Ky shkrim nuk lejohet të kopjohet dhe të përdoret për qëllime komerciale (fitimprurëse). Mbi lejet e përdorimit të shkrimeve të © Rruzull.net lexo këtu.
|
|
| |
Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 4.21 Votues: 14
| |
|