Astronomi: Boshti kohor i Gjithësisë Data e botimit: Wednesday, 07 March 2007
Lėnda: Gjithėsia
|
Sateliti amerikan "WMAP" ka kapur një pamje të lindjes së Gjithësisë. Ajo rrjedh nga një e trilionta e sekondës së parë gjë që e bën atë dritën më të vjetër të Gjithësisë. Dijetarët e Universitetit amerikan "John Hopkins" (shqip. Xhon Hopkins) shpjegojnë se bëhet fjalë për muzgun e Bumit të Madh. Kjo është dëshmia më e fortë për këtë teori.
Diagrami i rrezatimit është sinjali më i dobët kozmik që është dokumentuar ndonjëherë. Megjithatë për herë të parë është bërë e mundur të bëhet dallimi midis dritës së Shpërthimit të Madh dhe të yllit të parë. Midis këtyre ka, sipas llogarive më të reja, një gjatësi kohore prej 400 milionë vjetësh.
Zgjerimi i Gjithësisë mbi pjesën më të madhe të historisë së tij ka qenë krahasimisht i dalëngadalshëm. Pikëpamja se një periudhë e menjëhershme "fryerje" pasoi zgjerimin nga Bumi i Madh u parashtrua për herë të parë 25 vjet më parë. Vëzhgimet e reja të WMAP përkrahin skenarë fryerje të veçanta më tepër sesa idetë e tjera që ka kohë që qarkullojnë.
Diagrami i rrezatimit i kapur nga sateliti WMAP (NASA WMAP Science team)Ngjyrat tregojnë njolla "më të ngrohta" (e kuqja) dhe "më të ftohta" (e kaltra). Shiritat e bardhë tregojnë drejtimin e "polarizimit" të dritës më të vjetër. Këto të dhëna të reja ndihmojnë për të gjetur me saktësi kur u formuan yjet e parë dhe na pajisin me udhëzime të reja mbi ngjarjet që ndodhën në të triliontën e një sekonde të Gjithësisë. |
Përmbajtja e Gjithësisë
Përbërja e Gjithësisë (NASA WMAP Science team)
| Të dhënat e WMPA-së zbulojnë se Gjithësia përmban 4% atome, blloqet ndërtuese të yjeve dhe planetëve. Lënda e errët përbën 22% të Gjithësisë. Kjo lëndë, e ndryshme nga atomet, nuk lëshon ose thith dritë. Është e zbuluar vetëm tërthorazi përmes rëndesës së saj. 74% e Gjithësisë është e përbërë nga "energjia e errët", që vepron si një lloj kundër-rëndese. Kjo energji, dallon nga lënda e errët, është përgjegjëse për përshpejtimin e zgjerimit të tanishëm të Gjithësisë.
Përgatiti për Rruzull.net : Alvin Ekmekçiu Burimet: - WMAP Mission - gjermanja 3sat /Satellit "WMAP" hat Bild von der Geburt des Alls eingefangen/17 .03.2006 Vë re! Ky shkrim nuk lejohet të kopjohet dhe të përdoret për qëllime komerciale (fitimprurëse). Mbi lejet e përdorimit të shkrimeve të © Rruzull.net lexo këtu.
|
|
| |
Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 5 Votues: 7
| |
|