Ēėshtje shqiptare: Konflikti shqiptaro serb qė eskaloi nė luftė Nga kajtazi - E premte , 28 korrik 2006
|
Luftës shqiptaro-serbe të vitit 1998-1999, i paraprin konflikti i filluar në pjesën e dytë të shekullin nëntëmbëdhjetë (XIX). Më saktë, baza e këtij konflikti është në platformat politike të hartuara nga elitat politike serbe e shqiptare të kësaj kohe.
Konflikti shqiptaro serb që eskaloi në luftë
Në dialektikë dëshira për të rrëmbyer diçka është veprim i natyrës psikologjike, të cilën dëshirojmë ta realizojmë te një subjekt që i përket gjëja e dëshiruar, e cila mundë të jetë morale apo materiale. Me këtë krijohet gjendja e kundërshtisë në mes palëve, ku si pasojë e kësaj manifestohen ndjenjat armiqësore dhe qëllimi armiqësor që janë brenda natyrës njerëzore dhe që çojnë në konflikt midis njerëzve. Konfliktet midis njerëzve për nga karakteri dhe mënyra e zhvillimit të tyre dallojnë mes veti, por, marrë në tërësi, ato janë individuale dhe grupore. Konflikti i armatosur, i cili zhvillohet në mes të njerëzve është pikësynim i trajtimit tonë, dhe atë me qëllim për të hequr dilemën se: a kishte konflikt apo luftë në Kosovë në vitet 1998 – 1999?
Përdorimi i forcës me anë të armëve daton që nga parahistoria. Mirëpo, edhe pse në këtë fazë përdorimi i forcës me anë të armëve ishte shndërruar në aktivitet ekzistencial (prirja për të rrëmbyer ishte shtuar tej mase), ende nuk kishte lindur lufta si fenomen shoqëror. Kjo ishte për faktin se te njerëzit, apo grupimet shoqërore të kohës, veprimi për të rrëmbyer diçka nuk bëhej nga një arsye e pastër por nga ndikimet e rastit që kryesisht mbështeteshin në instinkt.
Në fund të komunitetit primitiv, kur njeriu filloi të merret me aktivitet politik, dëshira për të rrëmbyer te pala tjetër fillon të bëhet më shumë komplekse dhe ajo nuk është më e thjeshtë dhe nuk bazohet nga një veprim i çastit (instinkt) por në qëllime të diktuara nga arsyeja.
Në këtë kohë, kompleksivitetin e dëshirës për rrëmbim e shton edhe më tepër fakti se ajo nuk është më kërkesë e një grupi të vogël njerëzish, por është kërkesë e një bashkësie të gjerë e të organizuar politikisht. Në këto kushte, dëshira për rrëmbim nuk është më e thjeshtë, ajo tani merr karakterin e një interesi jetik për palët dhe ndërthuret me shumë elemente prej të cilave varet superstruktura e shoqërive të kësaj kohe. Thënë më thjeshtë grupimet shoqërore fillojnë t’i artikulojnë interesat e tyre politike të cilat normalisht bien ndesh dhe shkaktojnë reaksion mes tyre ku për pasojë krijojnë gjendjen e konfliktit i cili me kalimin e kohës rezulton në përdorimin e armëve, që nuk është gjë tjetër përpos se luftë. Kjo rrjedhë organike pa dyshim na shpie në konstatimin e Karl Fon Klauzeviçit (1780-1831), i cili natyrën e luftës e përkufizon si trinitetin e çuditshëm të përbërë nga: “1. Ashpërsia origjinale e elementit të saj, urrejtja dhe keqdashja, që duhet konsideruar si një instinkt i verbër; 2. Llogaritja e mundësive dhe rasteve, që i japin karakterin e një veprimtarie të lirë të shpirtit; 3. Natyra e saj e varur, si mjet i politikës me anë të së cilës ajo i përket arsyes së pastër”
Duke e pas parasysh faktin se në pjesën me të madhe të vendeve të botës Klauzeviçi konsiderohet si babai i teorisë së luftës, dhe atë se pjesa më e madhe e shteteve anëtare të NATO-s doktrinat e tyre ushtarake i kanë të mbështetura mbi teorinë e Klauzeviçit, është i pa kuptimtë dhe skajshmërisht mediokër konstatimi se: “në vitin 1998-1999, në Kosovë nuk ka pasur luftë, por konflikt”.
Nga parashtrimi i dhënë më sipër, i cili nuk ka nevojë për kurrfarë shkence të stërholluar, del qartë se lufta nuk është fenomen i izoluar që ndodh papritmas, por asaj i paraprijnë edhe një varg elementesh që e dallojnë atë nga veprimet instiktive ku bëhet përdorimi i forcës. Siç pamë, realizimi i qëllimit politik është synimi kryesor i cili pretendohet të realizohet përmes luftës, kurse krijimi i gjendjes së konfliktit është element i cili krijohet si rezultat i kundërthënieve mes palëve për shkak të interesave të tyre dhe i paraprin veprimeve të cilat shpijnë në ndërmarrjen e veprimeve luftarake. Thënë më thjeshtë, pa konflikt nuk ka luftë dhe shumë herë ai vazhdon të jetë aktiv edhe pasi palët ndërluftuese përfundojnë luftën, ku në të shumtën e rasteve bëhet burim i rifillimit të saj.
Luftës shqiptaro-serbe të vitit 1998-1999, i paraprin konflikti i filluar në pjesën e dytë të shekullin nëntëmbëdhjetë (XIX). Më saktë, baza e këtij konflikti është në platformat politike të hartuara nga elitat politike serbe e shqiptare të kësaj kohe. Platforma politike serbe e mbështetur në Naqertanjen e I. Garashaninit të shkruar me 1844, përpos tjerash, parashihte veprimet të cilat duheshin ndërmarrë nga politike serbe me qëllim të zgjerimit të territoreve në drejtim të jugut dhe perëndim dhe njëkohësisht, me këtë edhe veprimet për pakësimin e elementit jo serb në këto territore ku pa dyshim dominonin shqiptarët. Me 1878 kur serbët fillojnë që praktikisht veprojnë (dëbimi i shqiptarëve nga Krahina e Toplicës), në Lidhjen e Prizrenit, shqiptarët hartojnë platformën politike për shtetin e tyre të pavarur në trojet etnike. Edhe pse shqiptarët nuk arritën që për një kohë të gjatë të krijojnë mekanizma për realizimin e platformës së tyre, prapë se prapë ajo prodhoi efektet e veta dhe për faktin se binte ndesh me platformën politike serbe, hapi konfliktin i cili u bart brez pas brezi deri në ditët e sotme. Pas vitit 1912, në trojet e mbetura jashtë shtetit amë, në pjesën më të madhe, u instalua administrate serbe e cila me masa represive tentonte që ta zvogëlonte në minimum prezencën e shqiptarëve. Si rezultat i reprezaljeve të mëdha që ushtronte shteti serb kundër popullatës shqiptare në Kosovë, Maqedoninë perëndimore dhe Mal të Zi, pati kryengritje lokale. Mirëpo në mungesë të elitës politike shqiptare dhe kushteve, ato mbetën nën hijen e rrethanave të cilat dominonin Evropën e viteve 1912-1940.
Vitet 1941-1945, janë vitet kur zë fill krijimi i elitës politike të shqiptarëve jashtë shtetit amë, dhe atë kryesisht në Kosovë. Pavarësisht se gjatë kësaj kohe bëhet profilizimi i dy vijave politike ekstremisht të kundërta (komunist dhe nacionalist), ato ndihmuan që të përparohet dukshëm mendimi politik i shqiptarëve jashtë shtetit amë. Ndonëse në raport me rrethanat kohore platformat politike të të dy grupimeve nuk ishin sa duhet kompaktibile (Lidhja e Dytë e Prizrenit, shtator 1943 dhe Konferenca e Bujanit, dhjetor1943-janar 1944), ato shërbyen si baza nga të cilat do të fillonte riartikullimi i qëllimeve politike të shqiptarëve jashtë shtetit amë. Vija komuniste e ndodhur para presionit të madh të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ), u detyrua të heqë dorë nga rezoluta e Konferencës së Bujanit, e cila parashikonte që pas luftës të bëhej bashkimi i trojeve shqiptare. Në kushtet ekzistuese, kjo vijë artikuloi qëllimin e vet i cili ishte më pak konfliktuoz me qëllimin serb, pasi që parashikonte integrim të shqiptarëve në jetën politiko-shoqërore të shtetit jugosllav. Vija tjetër politike, e udhëhequr nga elementi nacionalist të bashkuar në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, është përpjekje kohezive e vazhdimësisë së qëllimit politik të artikuluar në Lidhjen e Prizrenit me 1878. Meqenëse rrethanat në Kosovën e pasluftës së Dytë Botërore nuk lejuan veprim të gjatë të kësaj organizate politike, ajo u shpartallua shpejt, por arriti efektin e mbajtjes hapur të konfliktit, gjë që ndikoi që në vitin 1968, ky konflikt të përshkallëzohet. Si rezultat i kësaj, në Kosovë krijohen shumë organizata politike të cilat vepronin ilegalisht dhe mbajtën hapur konfliktin me shtetin Jugosllav pasi që në programet e tyre politike kishin artikuluar qëllimin politik për çlirim nga shteti jugosllav dhe bashkim me shtetin amë.
Me vitin 1989, pas formimit të partive politike të shqiptarëve të Kosovës të cilat filluan të vepronin legalisht, u bë riartikullimi i qëllimit politik, i cili rezultoi që në referendumin e vitit 1991 shqiptarët të deklarohen për Kosovën shtet i pa varur. Ky deklarim ndikoi që palët në konflikt të shtojnë përpjekjet për realizimin e qëllimit të tyre duke përdorur mjete dhe mënyra të ndryshme, të cilat nga viti në vit rritnin intensitetin e konfliktit, gjë që rezulton në formimin e formacioneve ushtarake (UÇK) dhe fillimin e veprimeve luftarake në shkallë të gjerë në vitin 1998.
Në raport me ushtrinë serbo-malazeze, formacionet e UÇK-së ishin shumë heterogjene. Faktori kohë dhe rrethanat nuk lejuan që ajo të krijojë një strukturë të përafërt me ushtrinë serbo-malazeze. UÇK, në raport me ushtrinë serbo-malazeze, si për nga numri i pjesëtarëve të mobilizuar, pajisjeve me armë, strukturës komanduese dhe mundësive operative-taktike, lente shumë për të dëshiruar. Mirëpo, ajo që i jep karakterin e luftës veprimeve luftarake të ndërmarra nga formacionet e UÇK-së është fakti se: që nga ushtari më i thjeshtë e deri te kuadri më i lartë komandues, motiv për të marrë pjesë në veprime luftarake ishte qëllimin politik (Pavarësia e Kosovës), për të cilin para 180 viteve, Klauzeviçi konstatonte se “është mitra në të cilën zhvillohet lufta”.
Trajtimi si konflikt i Luftës së Kosovës deri diku ka logjikën e vet nëse kjo shikohet nga prizmi i zhvillimeve të gjithmbarshme globale, ku gjatë Luftës së ftohët dhe pas saj, të gjitha luftërat që zhvilloheshin jashtë sferës së konfrontimeve të rivalëve bllokistë, quheshin si konflikt pasi që këto luftëra gjeografikisht ishin të izoluara dhe nuk rrezikonin përshkallëzim në shkallë të gjerë. Mirëpo edhe me kushtin e shikimit me këtë prizëm, Lufta e Kosovës i tejkalon përmasat e asaj që rivalët bllokistë e kishin standardizuar si konflikt. Kjo është kështu për faktin se në të u desh të angazhohet NATO si njëra prej aleancave më të mëdha ushtarake në historinë e njerëzimit, e cila gjatë 77 ditëve, sa zgjatën operacionet luftarake kundër caqeve të ushtrisë serbo-malazeze, u desh që pos tjerash të përdor edhe armatim strategjik duke përfshirë raketat kryqëzore Tomahok, aeroplanët strategjikë bombardues B-52, B-1 dhe B-2.
Fadil Kajtazi - Gjilan fadilkajtazi@hotmail.com
|
|
| |
Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 4.46 Votues: 13
| |
|