Profesori Neil Ferguson nga Kolegji Mbretëror i Londrës, i cili ishte në krye të kërkimit, thotë: “Modelimi kompjuterik tregon se nuk ekziston një mënyrë e vetme magjike për të vënë nën kontroll pandeminë e gripit, por një kombinim ndërhyrjesh do të ishte tepër i efektshëm në reduktimin e përhapjes së sëmundjes, dhe në shpëtimin potencial të shumë jetëve.”
Studimi tregon se shtrëngesat kufitare, nëse nuk do te ishin të efektshme më shumë se 99%, vështirë se do ta vononin përhapjen e gripit më shumë se disa javë. Studimi parashikon se kufizimi i udhëtimeve brenda një shteti do të kishte ndikim edhe më të limituar në ngadalësimin e përhapjes së pandemisë brenda shtetit.
Modelimi parasheh se pandemia brenda Anglisë do të arrinte majën brenda dy deri tre muajve nga paraqitja e rastit të parë, dhe do të mbaronte për katër muaj. “Shpejtësia e reagimit është vendimtare,” thotë profesori Ferguson.
Modelimi tregon se numri i njerëzve të sëmurë në një pandemi të tillë do të mund të përgjysmohej nëse mbyllja e shkollave do të kombinohej me përdorimin e barnave antivirale jo vetëm për kurimin e të sëmurëve (siç planifikohet tani për tani), por edhe duke i trajtuar pjesëtarët e familjes si të sëmurë. Ndikimi do të ishte edhe më i madh nëse familjarët e trajtuar si të sëmurë do të qëndronin në shtëpi. Vetëm mbyllja e shkollave do të kishte ndikim të vogël në numrin e përgjithshëm të rasteve, por do ta ngadalësonte epideminë aq sa për të reduktuar për 40 përqind kërkesat maksimale në shërbimet shëndetësore.
Ai gjithashtu tregon se vaksinat duhet të jenë në dispozicion brenda dy muajve nga fillimi i pandemisë për të pasur efekt të madh në uljen e shkallës së infektimit. Duke i pasur parasysh metodat e tashme të prodhimit, vaksinat do të duhej të siguroheshin përpara. Kjo do ta zvogëlonte dukshëm numrin e të infektuarve, edhe nëse vaksina nuk do të ishte qindpërqind e përshtatshme për virusin përgjegjës. Rezervat e vaksinës të mjaftueshme për vaksinimin e 20 përqind të popullsisë do të mund ta pakësonin numrin e rasteve për një të tretat nëse fëmijët do të vaksinoheshin brenda disa javëve nga fillimi i pandemisë. Duke kombinuar paravaksinimin me profilaksën shtëpiake numri i rasteve do të zvogëlohej për dy të tretat.
Modeli në superkompjuter kishte simuluar përhapjen e pandemisë në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara, duke shfrytëzuar të dhëna të hollësishme për dendësinë e popullatave dhe të dhëna demografike, së bashku me të dhënat për udhëtimet e njerëzve.
Burimi:
http://www.physorg.com/news65366240.html