Teknologji: Pushkėt ushtarake pas Luftės sė Dytė Botėrore Nga kajtazi - E hėnė , 17 prill 2006
|
Përdorimi masiv i pushkëve automatike në luftë, së pari është bërë gjatë Luftës së Vietnamit. Në këtë luftë, palët ndërluftuese ishin të armatosura me pushkë, të cilat do t’ia rivalizojnë njëra-tjetrës përgjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë, por edhe pas saj.
Pushka automatike Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, pushka vazhdon të mbetet arma kryesore e vijës së parë, e cila tani zhvillohet në rrethana të një teknologjie të përparuar. Në këtë fazë, teknologjia e përpunimit të metaleve ishte e përsosur aq shumë, sa më nuk bëhej fjalë për vështirësi në përpunimin edhe në atë të dhënies së formave të dëshiruara. Të gjitha përpjekjet bëheshin në konstruktim, finalizimi teknik i të cilit nuk paraqiste problem.
Ideja e zhvillimit të pushkës së pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të konsiderohet si diçka e re. Ajo më tepër është një vazhdimësi e ideve dhe përpjekjeve të filluara para Luftës së Parë Botërore dhe të përparuara deri në finalizim gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nisma e parë për armatosjen e ushtrisë me armë automatike, bëhet me shpikjen e mitralozit, i cili për shkak të peshës së madhe nuk mundi të bëhej armë personale e ushtarëve. Pas kësaj, u kalua në ekstremin tjetër kur u shpik automatiku, i cili për nga pesha i plotësonte kushtet e një arme personale, mirëpo për nga efektet ishte larg armëve që u nevojiteshin radhëve të para në front. Përmes pushkëmitralozit u tentua të gjendet mesi i dëshiruar, por edhe ai mbeti në radhën e armëve të kategorizuara si armë kolektive. Si rezultat i këtyre ecejakeve nga njëra anë në anën tjetër, atëherë u realizua pushka gjysmëautomatike, e cila edhe pse nuk mundi të masivizohet dhe të bëhet armë standarde e ushtrive, në mënyrë selektive mbeti në përdorim edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, në vazhdën e këtyre përpjekjeve e arritura më e madhe, e cila njëherësh shërbeu edhe si bazë për konstruktimin e pushkëve të pas Luftës së Dytë Botërore, është konstruktimi nga gjermanët i pushkës automatike MP-44 [1]. Po të krahasohet kjo pushkë me të gjitha modelet e pushkëve të prodhuara deri sot, do të shihet se çdo konstruktor me apo pa vetëdije, i ka marrë nga disa elemente konstruktive nga kjo pushkë, duke filluar nga dizajni e deri te mënyra e funksionimit. Në krahasim me dy luftërat botërore, pushka pësoi ndryshime të dukshme teknike, të cilat ndikuan edhe në përparimet e përdorimin të saj taktik. Këto përmirësime konsistonin në disa elemente, të cilat asaj i dhanë atributin e armës personale me mundësi të mëdha luftarake. Asnjëherë më parë, ushtari i këmbësorisë nuk ishte i pajisur me armë më efikase dhe më praktike se sa me pushkë automatike. Elementet, të cilat iu shtuan pushkës dhe ia rritën efikasitetin dhe prakticitetin janë; qitja automatike, mbushja përmes karikatorit, mundësia e hapjes së zjarrit nga të gjitha pozitat e mundshme (nga pozicioni, si dhe në lëvizje), pesha e vogël e armës dhe efektshmëria e goditjes nga 400 deri në 600 m. Po ashtu, vendosja në pushkë automatike e tromblonit dhe e pajisjeve për hedhjen e granatave, bëri të mundur që ushtari i armatosur me këtë armë, të ketë mundësinë e asgjësimit apo dëmtimit, të çdo objektivi të fortifikuar apo të blinduar, i cili do të paraqitej në fushëbetejë. Këto elemente bënë që ushtari i armatosur me pushkë automatike, të jetë në gjendje që të hapë zjarr të mjaftueshëm në mbrojtje apo në mësymje, pa pasur nevojë të bartë peshë të stërngarkuar. Po ashtu, këto përmirësime mundësuan që operimi i këmbësorisë në fushëbetejë të jetë shumë më i madh me numër shumë më të vogël të ushtarëve. Në kushtet e armatosjes së këmbësorisë me pushkë automatike, grupi i përbërë prej 4 deri në 7 ushtarë, bëhet njësi themelore operative. Kjo mund të shpjegohet me faktin se batalioni si njësi taktike standarde e këmbësorisë, në kushtet e armatosjes me pushkë automatike varësisht nga relievi, ka mundësi të mbulojë vijën frontale prej 3 deri 5 km. gjerësi, si dhe 2 deri 2,5 km. thellësi. Ndërkohë, në dy luftërat botërore, hapësirën frontale prej një kilometri, mesatarisht duhej ta mbulonin katër deri në gjashtë batalione. [2] Po të shikohet në prizmin e rendimentit, ushtari i armatosur me pushkë automatike i tejkalon shumë herë ata të armatosur me pushkë përsëritëse. Derisa një ushtar i armatosur me pushkë përsëritëse në dy luftërat botërore ishte në gjendje që mbrenda një minuti t’i ndezë 20 fishekë, ushtari i armatosur me pushkë automatike ka mundësi që të ndezë pesë herë më tepër dhe të ketë efektshmëri të kënaqshme në precizitet e distancë. * * * Meqë gjermanët pjesën më të madhe të pushkëve automatike MP-44 i kishin dërguar për testim në frontin e Lindjes, ushtria sovjetike ishte ajo, e cila e para është përballur me fuqinë e zjarrit të kësaj arme, por njëkohësisht kishte edhe privilegjin e posedimit të saj si trofe lufte. Se ai ka rënë në dorë rreshterit të ushtrisë së kuqe Mihail Timofejeviç Kallashnjikovit ndonjë ekzemplar i saj, nuk është konfirmuar deri sot. Mirëpo, modeli i konstruktuar nga ai, i njohur në mbarë botën si AK-47 është shumë i përafërt në të gjitha aspektet me pushkën gjermane MP-44. Në konkursin për konstruktim të pushkës automatike të shpallur pas lufte nga Ministria e Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik, konkurron edhe M. Kallashnjikov. Ai këtë konkurs e fiton në konkurrencë të fortë me konstruktorët e njohur sovjetikë të armëve, Vasilij Degtjarev dhe Georgij Simonov. Sipas M. Kallashnjikovit, pas testimit përfundimtar të modeleve konkurruese, Degtjarevi i madh thotë: »Rreshteri fitoi, dërgojeni modelin tim në muze!« [3] Pushka automatike e konstruktuar nga M. Kallashnjikov më 1951, pranohet nga ushtria sovjetike dhe merr emrin zyrtar AK-47, e cila deri sot bëhet pushkë zyrtare e ushtrive të rreth 55 shteteve të botës. Pas themelimit të Paktit të Varshavës, në shumë vende anëtare fillon edhe prodhimi i saj sipas licencës. Ndër versionet më karakteristike të bëra mbi bazën e AK-47 janë: Kina T-56, Çekosllovakia VZ-58, dhe Finlanda M-1962. Vlerësohet se deri sot janë prodhuar afër 100 milionë pushkë të prodhuara mbi bazë të këtij sistemi. Karakteristikat themelore të kësaj pushke janë: E shfrytëzon fishekun e modelit sovjetik M 43 të kalibrit 7, 62 X 39 mm. Parimi i punës së saj është mbi huazimin e gazrave të barutit nga tyta, pesha 3, 8 kg, gjatësia 876 mm. dhe mbushet me karikator prej 30 fishekësh. Pushka e parë automatike e adoptuar nga ushtritë e vendeve perëndimore është FN FAL M-50 të kalibrit 7, 62 X 51 mm. prodhim i fabrikës së njohur belge për prodhimin e armëve FN (Fabrique Nacional). Në përdorim eksperimental është lëshuar në vitin 1949, ndërsa me pak përmirësime në vitin 1950 fillon prodhimi serik i saj. Një sasi e pushkëve të këtij modeli janë prodhuar në kalibrin 7, 9 X 57 për ushtrinë gjermane, mirëpo pasi NATO e standardizoi fishekun 7, 62 X 51, prodhimi i saj vazhdon në këtë kalibër. Me këtë pushkë, veç ushtrisë belge dhe asaj gjermane furnizohet edhe ushtria britanike e Malajzisë dhe e Keniës. Më vonë britanikët mbi bazë të këtij modeli e filluan prodhimin e modelit L1A2. Karakteristikat e përgjithshme të kësaj pushke janë: Sistemi i punës automatik, mundësohet në bazë të huazimit të gazrave të barutit nga tyta, mbushet me karikator me kapacitet prej 20 fishekësh, masa e armës së zbrazët 3, 71 kg. ndërsa e mbushur 4,05 kg. gjatësia 1.000 mm. Përpjekjet për të futur në përdorim të ushtrisë pushkë automatike në SHBA e kanë fillimin në një porosi të Pentagonit në vitin 1950, kur është bërë specifikimi në të cilin është kërkuar që të shpallet konkurs për një pushkë luftarake, e cila duhej të ishte automatike e lehtë dhe e shkurtër. Projekti për këtë pushkë është zhvilluar nga Eugen Stoner dhe fillimisht ka qenë i njohur me emrin AR-15. Në vitin 1955, prodhohet prototipi i parë i kalibrit 7. 62 NATO. Vendi
| Modeli
| Mënyra e punës
| Pesha në kg.
| mbushja
| Firma prodhuese
| Gjermania
| HK-33
| Dridhja e shkurtër e tytës
| 3,8
| me karikator
| Hecler & Koch
| Franca
| FA MAS
| Huazimi i gazrave nga tyta
| 3,84
| me karikator
| Fusil Automatique Manufacture d’Armes de St Etienne
| Britania e Madhe
| L85A1
| Huazimi i gazrave nga tyta
| 3,8
| me karikator
| Royal Small Arms Factory at Enfield
| Italia
| AR-70
| Huazimi i gazrave nga tyta
| 3,5
| me karikator
| Beretta
| Karakteristikat tekniko-taktike të disa pushkëve automatike të vendeve kryesore të NATO-sPërkundër cilësive të mira, zyrtarët në Pentagon kërkuan që të bëhen përmirësime dhe Stoner arrin që më 1959 të realizojë versionin përfundimtar të pranuar nga autoritetet ushtarake të SHBA-ve, i cili zyrtarisht emërohet M-16. Pas kësaj, në korrik të po këtij viti, Stoner ia shet licencën kompanisë së njohur amerikane për prodhimin e armëve »Colt», në të cilën fillon prodhimi i kësaj pushke ku kontingjentet e para në ushtrinë amerikane filluan të mbërrijnë në vitin 1962. Karakteristikat e përgjithshme të kësaj pushke janë si vijon: Punon në mënyrë gjysmëautomatike dhe automatike, parimi i punës së saj është mbi huazimin e gazrave të barutit nga tyta, pesha me karikator të mbushur është 3. 18 kg. gjatësia 955 mm. shpejtësia teorike e qitjes 700 deri në 950 fishekë në minutë. Kjo pushkë, është ndër pushkët më të popullarizuara në vendet anëtare të NATO-s dhe llogaritet se deri sot janë prodhuar mbi 15 milionë ekzemplarë. Sot, pjesa më e madhe e ushtrive janë armatosur me pushkë automatike, të cilat kanë karakteristika të përafërta tekniko-taktike me AK-47 dhe M-16. Përdorimi masiv i pushkëve automatike në luftë, së pari është bërë gjatë Luftës së Vietnamit. Në këtë luftë, palët ndërluftuese ishin të armatosura me pushkë, të cilat do t’ia rivalizojnë njëra-tjetrës përgjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë, por edhe pas saj. Ushtria amerikane ishte e armatosur me pushkë M-16, ndërsa ajo vietnameze me atë nga familja e Kallashnjikovit dhe kryesisht me versionin kinez T-56. Gjatë kësaj lufte, veç aftësive të mëdha luftarake që treguan pushkët automatike, u hetua edhe ana negative e tyre, e cila nuk mund të anashkalohet lehtë. Fjala është për harxhim enorm të municionit, i cili bëhet në sajë të aftësive të mëdha që kanë këto pushkë. M-16 ka shpejtësi teorike të qitjes prej 950 fishekësh në minutë, ndërsa AK-47 prej 600 fishekësh në minutë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 1969, amerikanët kanë llogaritur se për një ushtar vietnamez të vrarë kanë shpenzuar 50.000 fishekë, e cila kur llogaritet në para, arrin shifrën 2.300 dollarë për një ushtar të vrarë. Sidoqoftë, ushtari i shekullit XXI, do të jetë i armatosur me pushkë automatike e cila në nuanca po pëson ndryshime të vazhdueshme, por në thelb mbetet po ajo e konstruktuar nga gjermanët në vitin 1944. Ndryshimet e kohëpaskohshme kanë të bëjnë me dizajnin, cilësinë e çelikut të tytës dhe pjesëve rrëshqitëse, pajisjen me shënjestra optike e lazerike, si dhe aplikimin sa më të madh të masave plastike te pjesët anësore. Municioni i pushkëve Predhat e kalibrit të vogël kanë shpejtësi fillestare të madhe, trajektore fluturimi më të shtrirë, mirëpo në distancë të largët e humbin shpejtësinë dhe stabilitetin gjatë fluturimit. Predhat e kalibrit të madh kanë shpejtësi të vogël fillestare, dhe trajektore më të lartë të fluturimit, mirëpo edhe në distancë të largët e ruajnë stabilitetin e fluturimit dhe kanë efekte më të mëdha në objektiv. Duke i ditur këta parametra, shumica e fishekëve të cilët sot përdoren për pushkë, kanë kalibër të vogël. Kjo zgjidhje është bërë mbi bazën e faktit se lufta efektive me armë zjarri të dorës, zhvillohet në distancë deri në 800 metra. Mbi këtë distancë, luftimi i këmbësorisë mund të zhvillohet vetëm me pushkë me pajisje optike-snajper dhe që kanë fishekë me mbushje të kalibrit mesatar, si dhe me pushkë me kalibër më të madh. Zakonisht, pushkët snajperiste të largësive mbi 800 m. nuk përdoren si armatim masiv i ushtrisë, për shkak të specifikave luftarake që kanë ato, ndërsa pushkët e kalibrit të madh me mbushje të madhe (12, 7 X 99 mm), për shkak të konstruksionit dhe peshës janë shumë të papërshtatshme për përdorim masiv të ushtrisë. Përdorimi i municionit në kalibër të madh dhe me mbushje mesatare, nuk dha rezultate të cilat do të ishin të pranueshme për luftë të këmbësorisë në front. Kjo u provua gjatë Luftës së Dytë Botërore kur u futën në përdorim automatikët, të cilët pas luftës u mënjanuan nga armatimi masiv i këmbësorisë. Arsye kryesore e mënjanimit të tyre nga përdorimi ishte se mbushja e fishekut që përdorte automatiku, nuk kishte mundësi të krijonte energji të mjaftueshme për të shtyrë predhën me aq forcë, sa për të realizuar goditje të saktë mbi distancën 200 m. Për këtë, shumica e automatikëve të përdorur e kishin të limituar shënjestrën për luftë në distancë deri në 300 m. Mangësia tjetër që kishin automatikët, ishte trajektorja e fluturimit të predhës, e cila nuk i plotësonte kushtet për luftë të këmbësorisë. Prej armëve të zjarrit të dorës, të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore, automatiku M-1 Thompson e ka pasur kalibrin më të madh. Po të analizohet trajektorja e fluturimit të predhës së fishekut 45 ACP e dalë nga tyta e tij, do të shihet se për goditjen e objektivit në distancën 300 m. trajektorja e fluturimit të predhës deri në cak ka parabolë shumë të lartë nga sipërfaqja e tokës. Në distancën prej 50 m. predha është një metër mbi sipërfaqen e tokës, ndërsa pika më e lartë, të cilën e arrin kjo predhë gjatë fluturimit është 1, 97 m. në distancë prej 150 m. që do të thotë se është lartësi mbi mesataren e gjatësisë së një ushtrie. Këto janë shkaqet, të cilat ndikojnë që pushkët luftarake të këmbësorisë të bëhen në kalibër sa më të vogël.[4]
Pas Luftës së Dytë Botërore, municioni më i përhapur në botë për pushkët është: Vendet anëtare të NATO-s në përdorim zyrtar për pushkët e tyre disponojnë fishekë të tipit SS-109 dhe M-193 të kalibrit 5, 56 X 45 mm. si dhe SS- 77 të kalibrit 7,62 X 51 mm. i cili përdoret edhe për pushkëmitraloz. BRSS dhe vendet e ish-Paktit të Varshavës për pushkë posedojnë fishekun e tipit M-43 të kalibrit 7, 62 X 39 mm. dhe fishekun M-908 dhe M-30 të kalibrit 7, 62 X 53, që përdoret për pushkëmitraloz.
Fisheku FN SS 109 i kalibrit 5, 56 X 45 i prodhimit belg është fishek zyrtar për pushkët në vendet anëtare të NATO-s, ndërsa masa e predhës së tij është 4 gr. derisa shpejtësia fillestare e predhës është 915 deri 990 m/s. Fisheku SS 77 i kalibrit 7, 62 X 51, ka masë të predhës 9, 3 gr. dhe shpejtësi fillestare 850 m/s.
Fisheku i tipit M-43 i kalibrit 7, 62 X 39 mm. ka masë të predhës 8 gr. dhe shpejtësi fillestare 715 m/s. ndërsa fisheku 7, 62 X 53, ka masë 13 gr. dhe shpejtësi fillestare 710 m/s.
[1] Për karakteristikat tekniko-taktike shiko kapitullin: Lufta e Dytë Botërore-Pushkët, f.98.
[2]Dendësia më e madhe në front ishte gjatë Luftës së Parë Botërore më 1916, ku një kilometër front e mbulonin nga dhjetë deri në dymbëdhjetë batalione.
[3] Boko Ljubinković, Put do slave upornog seranta, METAK, nr 17, Beograd 1991, f. 10.
[4] Karakteristikat balistike janë për fishekun standard 45 ACP M-1911, me predhë 14,8 gram dhe shpejtësi fillestare 279 m/s. si dhe për fishekun 7,62 X 39 me predhë 8 gram dhe shpejtësi fillestare 715 m/s. Shënimet janë marrë në: Municija, bot., Savezni secretariat za Narodnu Odbranu, Split 1974 f. 51 dhe 56.
Marrë nga libri "Armët dhe Lufta" autor Fadil Kajtazi, botuar nga I-BIMI, Gjilan 2004, faqe 158 - 162
|
|
| |
Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 4.66 Votues: 3
| |
|