 Qendra për Edukim dhe Përparim - QEP me seli në Prishtinë ka përgatitur fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës shqipe FESh, programin për drejtshkrimin e shqipes AS 2.0, programin mbi gramatikën e shqipes Kulla e shqipes, lokalizimin e Windows XP në shqip, si dhe disa libra elektronikë. Të drejtat e këtyre punimeve janë blerë nga Qeveria e Kosovës dhe u janë vënë për shkarkim të lirë nga interneti dhe përdorim falas banorëve të Kosovës.
Këto punime mund t'i gjeni dhe shkarkoni nga faqja Gjuha-Shqipe.com. Në këtë faqe janë shpjeguar edhe të drejtat e përdorimit sipas të cilave del se shtetasit e Shqipërisë nuk kanë të drejtë t'i përdorin falas këto punime, por duhet t'i blejnë. Kjo pasi qeveria e Shqipërisë nuk ka kontribuar në financimin e këtij projekti.
Sidoqoftë FESh është i mbështetur në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, botimin e vitit 1980 (projekt i financuar nga qeveria e Shqipërisë e asokohe), dhe ka një fond prej 41 mijë shprehjesh i cili sipas QEP-it do të mund të dyfishohet në të ardhmen me shprehje që nuk janë të përfshira në asnjë fjalor të derisotëm dhe të cilat ky është duke apo i ka grumbulluar. Një alternativë modeste e këtij fjalori është Enciklopedia e Rruzullit e shfletueshme në internet, e cila shpjegon gjerësisht, tani për tani, rreth 1700 terma shqipe, shumë prej të cilave nuk gjenden në fjalorët e tjerë dhe mund të shfrytëzohet falas qoftë nga banorët e Kosovës ashtu edhe ata të Shqipërisë ndonëse asnjëra prej qeverive të tyre nuk e ka financuar. AS 2.0 është një program që ka për qëllim të përcaktojë mënyrën më të mirë të drejtshkrimit të fjalëve shqipe dhe përdoret me Microsoft Word. Ai është i arritur në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (të financuar nga qeveria e Shqipërisë). Ndonëse thuhet se AS 2.0 është i njëjtë me programet e gjuhëve të tjera (Spell check) në kuadër të Microsoft Office ai në ndryshim nga gjuhët e tjera nuk është i aftë të ndreqë shkrimin (fjalitë, pjesët e tyre) nga ana gramatikore si ç'janë të afta të bëjnë programet në e gjuhëve të tjera, por është i kufizuar në dhënien e disa alternativave për fjalët që nuk gjenden në bazën e të dhënave të tij, e cila është prej rreth 150 000 fjalësh. Po këtu, shpesh herë nuk arrin të japë si alternativë trajtën e duhur të fjalëve shqipe të shkruara gabim. Për përdorimin e tij njeriu duhet të dijë gramatikën e shqipes. Me gjithë mangësitë ky program është shumë i nevojshëm.
QEP ka vënë për shkarkim edhe disa libra elektronikë si Albumin e Fan Nolit, Lulin e Vocërr të Migjenit, Përralla të Andersenit, Pinokun, Të vegjëlit të Naim Frashërit, Tregime të moçme shqiptare të Mitrush Kurtelit, Vjersha të zgjedhura për fëmijë të Ndre Mjedës.
Përgatiti për Rruzull.net: Alvin Ekmekçiu
|