Aubrey D.N.J. de Grey, një profesor në Universitetin e Cambridge'it (Kembrixhit), u premton njerëzve përjetësi. Premtimi joshës i tij ka tërhequr vëmendjen e njerëzve nga mbarë bota. Në një faqe të këtij universiteti ai u flet midis të tjerëve edhe shqiptarëve duke shpjeguar me dy fjalë në shqip projektin e tij dhe duke kërkuar ndihma financiare për vazhdimin e studimeve në këtë fushë. Më poshtë mund të lexoni se çfarë është shkruar aty.
SENS (Strategies for Engineered Negligible Senescence) - Strategjitë për Plakje të Papërfillshme nëpërmjet Bio-Inxhinierisë është projekt ixhinierik, që plakjen e trajton si problem mjekësor dhe mjekësinë si degë të inxhinierisë.
Plakja është një proces i ndryshimeve progresive në përbërjen e trupit, në nivelin molekular dhe qelizor, të cilat janë efekte anësore të proceseve thelbësore metabolike. Shumë nga këto ndryshime janë eventualisht të dëmshme për ne -- ato janë akumulim i dëmit, që bëhet patogjenik kur tejkalon një prag të caktuar sasior.
Trajtimi tradicional gjerontologjik i zgjatjes jetësore konsiston në përpjekjen për të ndalur metabolizmin të mos shkaktojë dëm. Kjo është një strategji e pakujdesshme, ngase, së pari, kërkon që ne t'i përmirësojmë proceset biologjike që nuk i kuptojmë sa duhet dhe, së dyti, sepse, edhe në parim, vetëm mund ta vonojë plakjen, por jo ta kthejë së prapthi.
Një alternativë edhe më afatshkurtër është mënyra gjeriatrike, d.m.th. përpjekja për të ndalur dëmin të mos shkaktojë patologji; kjo është një betejë e humbur sepse akumulimi i vazhdueshëm i dëmit e bën patologjinë gjithnjë më të paevitueshme.
Në vend të kesaj, strategjia e inxhinierisë (SENS) është të mos ndërhyhet drejtpërdrejt në metabolizëm por të eliminohet kohë pas kohe dëmi, duke mbajtur masën e tij nën nivelin që shkakton patologji.
Kjo është praktike sepse i anashkalon të dyja problemet me alternativat e tjera: anashkalon injorancën tonë për metabolizmin (sepse nuk mundohet të ndërhyjë në proceset metabolike dhe në prodhimin e efekteve anësore të tyre), por gjithashtu parandalon kaosin e patologjisë (sepse i korrigjon pararendësit e patologjisë, në vend të trajtimit të vetë patologjive).
Diagrami më sipër përmbledh filozofinë e SENS-it. Shigjetat e çuditshme me maja të rrafshëta janë shenja që përdoren në literaturën për shprehjen e gjeneve dhe rregullimin e gjeneve, dhe do të thonë "frenon"."
Rruzull.net do ta ndjekë në muajt e ardhshëm projektin e Aubrey de Grey duke sjellë pjesë më të hollësishme të tij të papërkthyera në shqip.
Burimi: SENS
|