Mënyra më e mirë për të gjetur ushqim është të dalësh e të gjuash për të. Por që të gjuash duhet më parë të jesh në gjendje të lëvizësh përpara. Dhe që të lëvizësh përpara duhet zakonisht një kokë me organe shqisore dy e nga dy për të ditur se ku po shkon, kjo bashkëngjitur një trupi simetrik për të të çuar atje ku don.
(vijon nga I pari që lëvizi)
Shkencëtarët besojnë se një kafshë e ngjashme me krimbin petashuq ishte krijesa e parë që zhvilloi një kokë, tru, shqisa çifte dhe një bisht, i pari që lëvizi përpara dhe kështu i pari që gjuajti për ushqim dhe për partner. Ky përparim i madh në formën trupore iu dhuroi këtyre krijesave përparësi të mëdha ndaj kafshëve të cilat nuk mund të bënin më tepër se të rrinin e të prisnin që ushqimi të pluskonte për tek to, si p.sh. sfungjerët dhe polipët, ose thjeshtë duke rrahur ujin pa planifikim në kërkim të ushqimit, si p.sh. kandili i detit.
Përfaqësuesit modernë të këtij kompozimi të lashtë udhëhapës janë krimbat petashuqë - një grup kafshësh të phylum Platyhelminthe. Ky grup i palavdëruar përfshin kafshë të tilla si planaria e ujërave të ëmbla, polikladët psikodelikë të detit dhe shiritat parazitë e krimbat parazitë të mëlçisë. Platihelmintët ndoshta nuk janë me famë por ato nuk janë aspak të rrallë. Sot jetojnë e ja çojnë mirë rreth 20 000 lloje krimbash petashuqë, në mjedise me ujë të ëmbël dhe të kripur si dhe në rrëza të tjera me lagështirë, si brenda kafshësh të tjera.
Fosile krimbash petashuqë
Fatmirësisht për shkencëtarin Whitey Hagadorn (shqip. Uiti Hegëdorn), tabani i detit i 540 milionë vjetëve më parë është hasur në malet Inyo (Inyo Mountains) në California (Kalifornia) të SHBA-së, midis parqeve kombëtare të Kings Canyon (Kings Kenjon = Gryka e Thiktë e Mbretit) dhe Death Valley (Deth Velli = Lugina e Vdekur). Hagadon kërkon për gjurmë të imëta në shkëmbinj, që mendon të jenë dëshmi e disa kafshëve të hershme që ishin në gjendje të bënin përpara -- kafshë të ngjashme me krimbat e sotëm petashuqë.
Fosile tragje krimbash (fig. PBS, Sea Studios Foundation)
|
"Para rreth 565 milionë vjetësh ka pasur një farë revolucioni në planin trupor të kafshëve. Organizmat për herë të parë u bënë të afta për të lëvizur me pëlqimin e vet sipas një mënyre me synim të caktuar. Këtë e dimë pasi mund ta shohim në fosilet e gjurmëve të tyre. Duke parë këtë tragë, mund të themi me siguri që cilado qoftë ajo që e la atë, ka pasur aftësinë të zhvendosë fundërri. Përpara kësaj kohe, nuk ka pasur shumë gjëra që mund ta bënin këtë."
Nëse krimbi i lashtë e dinte se po lëvizte, Hagadon'i dhe shokët e tij shkencëtarë vijnë në përfundimin se atëherë ka shumë të ngjarë që ai kishte në zotërim një ballë apo kokë, ishte i pajisur me shqisa të fiksuara në kokë duke lehtësuar lëvizjen përpara, dhe ka shumë gjasa të na paraqiste trurin e parë primitiv.
Vijon me: Nga uji në tokë
© 2002 Sea Studios Foundation Të drejtat e autorësisë së këtij versioni në shqip i përkasin Rruzull.net Përgatiti për Rruzull.net: Alvin Ekmekçiu Burimi: amerikanja PBS (Public Broadcasting Service) The shape of life Vë re! Ky shkrim nuk lejohet të kopjohet dhe të përdoret për qëllime komerciale (fitimprurëse). Mbi lejet e përdorimit të shkrimeve të © Rruzull.net lexo këtu.
|