Fatkeqësisht terrorizmi është një problem ekzistent që kurrë nuk ka fituar seriozitetin e duhur as nga politikanët dhe si pasojë as nga qytetarët që kërcënohen nga terrorizmi. Politikanët, që shumë herë i konceptojnë gjërat brenda kufirit katërvjeçar që ndan nga njëra-tjetra dy fushatat zgjedhore, bëjnë sa herë gabime fatale duke i veshur terrorizmit rroba të gabuara, duke e dedikuar atë në shkaqe jo-reale ose duke i dhënë atij fytyra sipas qejfit ( sipas nevojës të çastit si p.sh. armiku më i madh i S. Huseinit, Al-Qaeda, një ditë na u reklamua si aleati kryesor i tij etj.). Veçse këto veshjet e gabuara kanë disa pasoja të gabuara,..
Publiku fillon akuzon njerëz të gabuar, qeveria "detyrohet" të ndjekë njerëzit e gabuar dhe kështu si në kohën e Vdekjes së Zezë (nga e cila u shfaros 1/3 e popullsisë Europiane) të gjithë ndiqnin për të vrarë macet dhe qenët por asnjëherë nuk arritën të luftojnë armikun vërtet që ishte miu! Gjithashtu politika të tilla brumosin urrejtje të pafundme që vetëm mirë nuk bën!
Por ndodhi si 11 Shtatori, Beslani dhe sot Londra nuk mundet veçse të na shqetësojnë. Sepse nuk është gjë e bukur të shikosh trupa te ndarë në mes dhe fëmijë që qajnë, (mjaft më!). Gjithashtu asnjeri nuk do që të ketë frike kur i hipën autobusit për në punë ose shkollë. Asnjëri nuk do të niset për tek njerëzit e tij të dashur dhe të përfundojë tek varrezat!
Ngjarja e 07 Korrikut në Londër ishte një lajm i ri, nga të shumtit që na shërbehen së fundmi, i cili ia arriti përsëri të na trondisë dhe të na turpërojë (kur mendojmë se ç’dëm mund t’i shkaktojë njeriu njeriut). Megjithëse do ishte e lehtë për gjithkënd në çaste të tilla të nxjerri akuza andej-këndej dhe të nxjerri urrejtje kundrejt asaj që nuk bien dakord… Thash të bëj diçka tjetër, të përmbledh disa mendime dhe të piketoj ato që për mua mund të quhen si pjesë e shkaqeve të kësaj dukurie shqetësuese.
Midis të tjerash besoj se elementet shkaktare të kësaj gjendjeje pasigurie që po mbizotëron planetin dhe shoqërohet shumë herë nga goditje të tilla terror-vënëse mund të përmblidheshin si më poshtë:
1) Varfëria : varfëria ka shumë shkaqe -të panumërta- dhe mbizotëron aot rreth 80% të popullsisë njerëzore. Siç njeh shumë shkaqe njeh edhe shumë pasoja. Të tilla pasoja janë: shtete të dobëta (te cilat nuk mund të ndalojnë veprimtaritë kriminale), kriza rajonale dhe të brendshme (ku terroristët gjejnë fushë të përshtatshme për të marrë pjesë), injoranca (e cila injorancë shtyn në fanatizëm dhe fanatikun e bën ç'të duash) etj. Gjithashtu i varfëri e ka më pak frikë se i pasuri vdekjen dhe vendimin e guximshëm , ngase nuk ka shumë gjëra për të humbur dhe shumë herë është i pakënaqur nga jeta.
2) Krizat rajonale : si p.sh. në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore, Amerikën Latine, Afrikën Qendrore etj. Këto kriza kanë si pasojë ngatërrimin e shteteve të forta në to. Këto shtete do s'do do përplasen me grupet ose organizatat e armatosura që veprojnë në zonë, dhe kështu shumë herë përleshja zhvendoset nga gjeneza e saj dhe mund të arrijë deri në zemrën e shteteve të forta që marrin pjesë në këto kriza (p.sh. Beslan).
3) Lindja e Mesme: duhet të shikohet si një krizë e veçantë rajonale sepse nga njëra anë përbën zonën ku ndodhen shtresat më të mëdha të naftës (është e pasur edhe në gaz natyror) dhe ka rëndësi kolosale strategjike. Nga ana tjetër aty takohen tre fete monoteiste që sundojnë Tokën, takohet shteti i Izraelit me Palestinezët që kërkojnë shtetin e tyre (dhe kanë "përkrahjen" arabe) dhe aty u takonin në të kaluarën (mbase edhe sot) shpatat e dy superfuqive. Gjithashtu historia e zonës e ka kthyer Lindjen e Mesme në vatrën e feve dhe besimeve, dhe si pasojë të fanatikëve Myslimanë, Hebrenj apo të Krishterë).
4) Lëvizjet për pavarësi që shumë herë shtypen nga vet superfuqitë, nga shtetet status quo ose shtetet e forta të zonës (p.sh. Çeçenët, Palestinezët, Kurdët etj.). Kështu imponimi i të fortit lind kryengritjen e të dobëtit, pastaj ndëshkimin e tij nga i forti dhe si përfundim urrejtjen e të dobëtit kundrejt të fortit- e cila urrejtje në harmoni me problemet e tjera të zonës kthehet në fanatizëm dhe ekstremizëm.
5) Globalizmi : globalizmi vë në dyshim çdo standard dhe çdo klasicitet për hir të kapitalit. Kështu, sado fytyrë të mirë që të shfaqi, do vijë në kundërshtim me shoqëri që janë të ngjitura pas klasicizmit dhe e vendosin veten më larg botëkuptimit materialist të Perëndimit (të tilla besoj se janë shoqëritë arabo-islamike, persiane, indiane, kineze etj.). Kështu Globalizmi i egër, që për mendimin tim është ekzistent, lind kundërpërgjigjen e egër.
6) Shtypja e huaj që bëhet nga një shtet, kryesisht i fuqishëm, mbi një popull (p.sh. Izraeli mbi Palestinezet, Ruset mbi Çeçenët etj.).
7) Fanatizmi, fundamentalizmi dhe ekstremizmi fetar (por edhe ai nacional e ideologjik). Kështu fanatiku nga besimi i tij i madh kthehet ne fundamentalist (kthim në rrënjë) dhe kështu duke u kthyer në rrënjë e vendos veten jashtë realitetit, sepse të duash të veprosh si të parët p.sh. e një feje është e dëmshme përderisa mundohet dikush të veprojë si njerëz që jetonin qindra ose mijëra vjet më parë, në rrethana të tjera. Kështu fundamentalisti do s'do behet ekstremist dhe utopist (jashtë realitetit) dhe vë në dyshim parimet e botës së sotme (akoma dhe ato të qytetërimit e të shoqërisë ku ai përket).
8) Shtypja e Brendshme: për shembull shumë shtete arabe, aziatike e afrikane etj. ku elita qeverisëse shtyp për vite (akoma edhe për shekuj) me radhë një minoritet, kombësi, fe, ideologji, klase, race etj. Pasojë e këtij realiteti është lindja e një shtrese urrejtjeje dhe ndarja fatale brendashtetërore e cila shtyn në krijimin e dy poleve të dhunës (nga lartë dhe nga poshtë).
9) Imponimi : imponimi (në rastin tonë, global) ndaj një kombi, feje, qytetërimi etj. që të harmonizohet me parimet e imponuesit lind ndjenjën e padrejtësisë tek i imponuari i cili duke mos pasur shumë fuqi që të zmbrapsë këtë imponim (të krijojë një kundrapeshë) arrin në ekstremizëm ose ndryshe, përpjekje fatale për të ruajtur atë që e karakterizon.
10) Mesjetarizëm i vet-ushqyeshëm : këtë dukuri mund ta kuptojmë më mirë me shoqëritë e Lindjes së Mesme ku ekziston një rutinë e cila detyron kryetarin e shtetit të pranojë p.sh. nga njëra anë sheriatin (ligjin islamik), duke krijuar kështu bindjen tek populli se është ‘udhëheqësi moral’ … Kur të kuptojë udhëheqësi se nuk ia dilet me sheriatin, nuk bën dot ndryshe ngase ka një popull nga poshtë që e quan sheriatin diçka klasike dhe standarde (p.sh. siç është Kushtetuta për shumë Europianë). Udhëheqësi pas një përpjekjeje të vogël i kthehet përsëri klasicitetit (mesjetarizmit), publiku kënaqet, klerikët duartrokasin dhe vetvetiu këto shoqëri ndahen nga bota që "përparon". Kështu kur udhëheqësit e tyre kërkojnë "përparimin" hasin një sërë radikalësh që ushtrojnë akoma edhe dhunë për të mbrojtur atë që quajnë rrënjë, traditë dhe standartizëm!
11) Pabarazia në fuqi : kur shikon industri luftarake si ajo amerikane (që pa frikë ndodhet 100 vjet para botës tjetër), ajo ruse (që mundohet të konkurrojë, akoma edhe sot, industrinë luftarake amerikane), ajo izraelite përballë shteteve arabe (që furnizohet nga superfuqia e vetme) etj. sigurisht që flet për një pabarazi- nganjëherë kolosale- fuqie. Kështu lufta guerrilase, që shumë herë zgjidhnin popujt në përpjekjen e tyre për pavarësi, bëhet pothuajse e pamundur dhe këta luftëtarë fatalë të pamundur të gjejnë baraspeshën me shtetin që quajnë imponues (p.sh. shteti rus tek Çeçenet, ai izraelit tek Palestinezët por edhe ai amerikan tek Irakianët) fillojnë të shpikin logjika të reja fatale me një qëllim fatal (vdekja jote mbijetesa ime ose dhimbja jote gëzimi im). Ky qëllim fatal i shtyn akoma edhe në vetshkatërrim vetëm si e si mos t’i japin shijen e fitores imponuesit. Por meqenëse shtetet e forta kanë një distancë të madhe në sistemin e sigurisë dhe mbrojnë në mënyrë rezultative forcat e veta siguruese, qendrat e vendimeve dhe çdo organ shtetëror përgjithësisht atëherë këta luftëtarë fatalë mundohen ti godasin anash këto shtete demokratike, duke goditur bazën e strukturës shtetërore-demokratike të tyre që është mendimi publik. Gjithashtu publiku mbetet prehu më i lehte për këto organizata -përderisa siç e thamë shtetet e fuqishme kanë nivel të lartë sigurimi- dhe kështu veprimtaria e tyre ka sukses. Nga ana tjetër shteti gjendet midis dy thikave: A) publiku i trembur e dëshiron më pak luftën, që shumë herë adoptojnë këto shtete të fuqishme dhe B) me politikën e tyre antiterroriste duan s'duan do bëhen të papëlqyeshëm në publik (kush publik dëshiron të kontrollohet akoma edhe në jetën e tij private…. të paktën ai evropian e urren diçka të tillë). Pra me pak fjalë lufta kundra terrorizmit ka nevojë për një rivështrim të ri nga shtetet!
Nëse gjehet zgjidhja e shkaqeve që shtjellova më sipër besoj se do kemi më pak terrorizëm. Megjithatë nuk besoj se këto shkaqe luftohen me tankë e bombardues ajrorë. Që të luftosh një sëmundje nuk sulmon vetëm shenjat (p.sh. kollën, dhimbjet, të vjellat etj.) por lufton kryesisht shkakun (virusin, bakterin ose mikrobin). Besoj se beteja "anti-terrorizëm" sot lufton shenjat dhe jo shkaqet e sëmundjes. Kështu sëmundja zmadhohet… dhe nëse ne arrijmë t'ia heqim ndonjë shenjë do shfaqen të tjera plot!
Korrik 2005 Erjus Mezini
|