Gjuha është një nga vetitë dalluese të njeriut, e cila lidhet edhe me vet ekzistencën e tij. Shfaqja e dukurisë ‘gjuhë’ duket se përkon me vet shfaqjen e qenies njerëzore (homo sapiens sapiens). Prej atëherë gjuhët lindin, zhvillohen, vijnë në kontakt me njëra-tjetrën por edhe vdesin. Kështu gjuha, nuk është diçka standarde. Ajo përbën pjesë të jetës sonë dhe kurrsesi nuk mund të mbetet e pandikuar. Në çdo periudhë të historisë nevojat dhe ambiciet sillnin në kontakt njerëzit dhe nëpërmjet tyre gjuhët dhe kulturat. Në ditët e sotme -për shkak të rritjes së madhe të telekomunikacionit, bashkëpunimit ekonomik, zhvillimit të udhëtimeve të largëta etj.- është e vështirë të flitet për komunitete gjuhësore të ndara më vete nga të tjerat. Pothuajse çdo komunitet gjuhësor gjendet në lëvizje dhe ndryshim të vazhdueshëm. Disa gjuhë hapen dhe fitojnë më shumë fuqi kurse disa të tjera ngushtohen dhe ndjekin një drejtim rrënues i cili mund të shpjerë deri në vdekje!
Larg këtyre “ligjeve gjuhësore” nuk mund të mbetet as gjuha jonë. Rrënja e sistemit komunist i lejoi Shqipërisë që të bëhet pjesë e zhvillimeve botërore dhe shtyu mijëra Shqiptarë drejt mërgimit. Kështu brenda një periudhe të shkurtër gjuha shqipe do pësojë ndryshime dramatike. Megjithatë me këtë shkrim nuk do mundohem të analizoj çdo aspekt të ndryshimit që po pëson Shqipja. Ajo që më intereson më tepër është qëndrimi i Shqiptarëve jashtë shtetit përballë gjuhës mëmë. Shumë emigrantë sot për shkak të rrethanave por edhe për shkak të disa pikëpamjeve të gabuara po e braktisin përdorimin e Shqipes dhe nuk ia mësojnë gjuhën amënore fëmijëve të tyre. Shpesh herë vet mësuesit e shtetit ku janë vendosur emigrantët i këshillojnë këta të fundit që mos të përdorin Shqipen me fëmijët e tyre, sepse diçka e tillë do vështirësonte fëmijën të mësojë gjuhën e re. Jam i bindur se mendime të këtij lloji shprehen nga njerëz që nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth dukurisë ‘gjuhë’ dhe që nënvleftësojnë zgjuarsinë e fëmijës. Janë këto koncepte që shtyjnë shumë prindër t’iu heqin fëmijëve të tyre këtë të drejtë, të drejtën e të folurit në më shumë se një gjuhë. Dygjuhësia (Angl. ‘bilingualism’) - me të cilin term nënkuptojmë përdorimin e zakontë të dy gjuhëve nga një person- dhe fëmijët dygjuhësh kanë qenë shumë herë qendër e analizave dhe e studimeve të gjuhëtarëve dhe sociologëve. Qëllim i këtyre analizave është që të zbulojnë nëse përdorimi i më shumë se një gjuhe në jetën e përditshme, kryesisht nga të miturit, fsheh pasoja për ta dhe të përcaktojnë nëse pasojat e mundshme janë negative apo pozitive.
Fillimisht rezultatet e këtyre analizave ishin negative për fëmijët dygjuhësh. Konkluzioni kryesor ishte se përdorimi i dy gjuhëve e lodh trurin e fëmijëve dhe e ul nivelin e zgjuarsisë tek ata. E vërteta është se këto eksperimente kishin shumë mangësi dhe nuk merrnin parasysh veçoritë e fëmijëve dygjuhësh ose minoritarë . Kështu, testet që organizoheshin për të dalluar fëmijët që përdornin dy gjuhë nga ata që përdornin vetëm një bazoheshin në standarde të cilat e kanë rrënjën e tyre në sistemin arsimor të një gjuhe. Në atë sistem që i përshtatet politikës shtetërore e cila gjithmonë synon t’i bëjë qytetarët sa më homogjenë. Pra logjike ishte që fëmijët dygjuhësh të kishin më pak rezultate se të tjerët. Siç duket, rritja e pozitivitetit në rezultate kërkonte rritjen e objektivitetit të analizave!
Në vitin 1962, Kanadezët Peal dhe Lambert ndërmorën një sërë analizash duke rregulluar fillimisht saktësinë dhe efektshmërinë e proceseve. Rezultatet e këtyre kërkimeve ishin me të vërtet shpresëdhënëse për fëmijët dygjuhësh. Përfundimi i zotërinjve Peal dhe Lambert ishte se dygjuhësia e bën mendimin më manovrues, përderisa këta persona mendojnë në dy gjuhë, jep mundësinë për të krijuar kuptime më të gjëra, të mënjanuara dhe të larguara nga përkufizimi kuptimor që imponojnë fjalët e një gjuhe, përforcon krijimin e koncepteve dhe ndihmon zhvillimin e nivelit të inteligjencës e cila pasqyrohet edhe në aftësinë e të shprehurit, etj. Konkluzionet e mësipërme shtynë shumë gjuhëtarë të tjerë që të kryejnë kërkime të reja në lidhje me ndikimin e dygjuhësisë mbi inteligjencën dhe mendimin e njeriut.
Kërkimet e reja nuk bën gjë tjetër veçse të pohojnë vërtetësinë e pasojave që sipërpërmenda. Në të njëjtën kohë zbulime të reja do shtojnë respektin e gjuhëtarëve ndaj personave, kryesisht ndaj fëmijëve, që komunikojnë në më tepër se një gjuhë. Shumë gjuhëtarë do theksojnë se përdorimi i më shumë se një gjuhe nga fëmijët në jetën e përditshme nuk përbën rrezik për ta, përderisa këto gjuhë veprojnë në trurin e personave të caktuar në mënyrë të pavarur ose në bashkëpunim. Pra truri i njeriut vepron vet si ndarës por dhe si bashkues ose krahasues i kuptimeve midis gjuhëve të ndryshme, sipas rrethanave. Mjafton që dygjuhëshi të kultivojë gjuhët e përfituara në një nivel i cili nuk do i lejojë atij ngatërresën e kuptimeve. Sipas linguistëve zotërimi i dy ose më shumë gjuhëve mund të rrisë pasurinë, shkathtësinë, veçantinë dhe larminë e mendimit. Ata që zotërojnë dy gjuhë njohin dy ose më shumë fjalë për çdo objekt ose ide, vetvetiu një fjalor dhe botë kuptimore e dyfishtë ia shton atyre mundësitë. Kështu, sipas Ricciardelli (1992), ata që njohin mirë dy gjuhë kanë aftësi më të lartë përballë një krijimtarie të ndërlikuar ose të shumanshme mendimesh sesa personat që zotërojnë vetëm një gjuhë ose njohin pak gjuhën e dytë, të tretë etj. Gjithashtu studime të tjera (p.sh. Ianco-Woprall 1972, Ben-Zeev 1977, Tunmer & Myhill 1984 etj.) tregojnë se fëmijët dygjuhësh – duke bërë krahasimin midis sistemeve gjuhësore që zotërojnë- e shikojnë fenomenin gjuhë në mënyrë më analizuese se të tjerët. Pra mendimi se përdorimi i një gjuhe pengon mësimin e një tjetre është i paqëndrueshëm. Vetëdija dhe kuptimi më i mirë përballë ligjeve të përgjithshme që kushtëzojnë gjuhët i jep mundësinë fëmijës dhe çdo personi që të mësojë më lehtë gjuhën e re. Pra është më e lehtë për të që të mësojë më tepër gjuhë!
Sigurisht përfitimet e përdorimit të më shumë se një gjuhe nuk përfundojnë me kaq. Përfitimi më i madh i personave dygjuhësh është shoqëror ose social. Personat që përdorin dy ose më tepër gjuhë mund të kenë një bagazh më të gjerë përvojash sepse gjenden në kontakt me dy ose më shumë komunitete gjuhësore të cilat përbëjnë edhe komunitete kulturore ose kombëtare. Do thoshte dikush se kjo mënyrë e larmishme jetese i jep këtyre personave mundësinë që t’i përshtaten më lehtë ndryshimeve të rrethanave sociale dhe kulturore. Gjithashtu njohja e dy ose më shumë gjuhëve dyfishon ose shumëfishon aftësinë e çdokujt për të fituar njohuri ose informacione të reja. Pra me pak fjalë, të jesh anëtar i dy ose më shumë komuniteteve gjuhësore ose kulturore –siç po ndodh më shumë Shqiptarë- do të thotë që bëhesh pjesëtar më i qëndrueshëm i një sistemi global i cili mbijeton në sajë të larmisë dhe komunikacionit!
Homogjenizimi shumë herë është kthyer në qëllim të vetëm të politikave shtetërore. Akoma edhe shtetet më demokratike mundohen shpesh të shfaqin larminë gjuhësore ose kulturore si një problem i cili pengon imunitetin social dhe përfshirjen e disa shtresave në realitetin shoqëror ose kombëtar të këtyre shteteve. Përgjigja e mundshme në këtë argument do të ishte se shembulli i Zvicrës, i Luksemburgut, Singaporit etj. tregon se mund të jetë i mundur imuniteti kombëtar ose social edhe në mungesë të njëtrajtësisë gjuhësore ose kulturore. Nëse kemi parasysh se tre shtetet që sipërpërmenda zënë vendet më të larta në rang botëror në lidhje me nivelin e mirëqenies atëherë mund të thoshim se në këto shtete harmonia midis komuniteteve të ndryshme –gjuhësore ose kulturore- arrihet në mënyrë të mirëfilltë përderisa nuk ekzistojnë shkaqe mosmarrëveshjeje të cilat mund të mbuloheshin me justifikime kulturore ose gjuhësore!
Në një studimin e tij në lidhje me shkaqet e përleshjeve civile/të brendshme në, vitin 1989, z. Fishman do shkruante : “koncepti i zakonshëm i gazetarëve dhe i publikut se larmia gjuhësore përbën vetvetiu shkak që shpie në luftën civile, u tregua nga analiza jonë, se është më tepër mit sesa realitet”. Përkundrazi, sipas studiuesit, u vërtetua se shkaqet e përleshjeve ishin mënjanimi, sistemet totalitare dhe “modernizimi” ose homogjenizimi i imponuar! Pra të qenit i ndryshëm nga tjetri nuk përbën as rrezik dhe as turp! Përkundrazi veçimi i dikujt vetëm sepse ndryshon, është abuzim!
Pas kësaj analize të shkurtër mbi fenomenin e dygjuhësisë, ku u mundova të sjell mendimet e gjuhëtarëve me famë, do doja t’i drejtojë një këshillë prindit shqiptar jashtë shtetit. Do doja ta këshillojë atë që të mos ia heqë fëmijës së vet favorin e dygjuhësisë, pra t’ia mësojë fëmijës së tij edhe gjuhën amënore Shqipe. Njeriu – siç do thoshte edhe z. Chomskey- lind me vetinë natyrore për të mësuar gjuhën. Pra nëse prindi do njihte mirë dy ose më shumë gjuhë atëherë mendimi im është që t’i flasë fëmijës së tij që në djep në ato gjuhë. Do ishte më të vërtet mrekulli për një person nëqoftëse do kishte fituar zotërimin e dy ose më shumë gjuhëve që në moshë fare të vogël, dhe sigurisht do mundej të bënte diçka të tillë. Por nëse është e vështirë për emigrantin që t’i flasë fëmijës së tij në dy gjuhë atëherë do e këshilloja që t’i flasë atij në gjuhën që njeh më mirë, në gjuhën amënore. Kam besimin se do ishte më mirë për një foshnjë që të ket një kontakt të rregullt me gjuhën që për herë të parë i transmetohet nga prindi. Gjatë periudhës kohore kur fëmija mëson të flasë, në mendjen e tij krijohen disa rregulla rreth fenomeneve gjuhësore. Do ishte më mirë, për mendimin tim, që fëmija t’i krijojë këto rregulla/konkluzione mbi baza të forta dhe jo mbi bazat e mangëta të një gjuhe gjysmake -të cilën as vet prindi nuk e njeh mire- që i transmetohet nga prindërit. Në të njëjtën kohë, sa më shumë shtohen kontaktet e fëmijës me mjedisin përreth aq më shumë shtohet njohuria e tij mbi gjuhën e atij vendit, gjuhën e dytë. Kështu brenda një kohe të shkurtër fëmija do mundet të flasë rregullisht të dy gjuhët dhe nuk do ndjehet ngushtë as me rrethin shtëpiak ose fisnor, ku flitet Shqipja, por as jashtë këtij rrethi, ku flitet gjuha vendase. Logjike është që çdo prind t’i ofrojë fëmijës së vet sa më shumë mundësi. Nga andej e tutje, fëmija ose i shfrytëzon të gjitha mundësitë që i ofrohen ose merr vetëm ato që i interesojnë. Rëndësi ka që dikur iu dhanë mundësitë!
*më tepër lajmërim rreth temës mund të gjeni ne librin e z. C. Baker “Foundations of Bilingual Education and Bilingualism”
Përgatiti për Rruzull.net: Erjus Mezini
|