OKB-ja ka kundërshtuar një përpjekje të udhëhequr nga amerikanët për të ndaluar të gjitha klonimet e embrioneve njerëzore, përfshirë kërkimet në qelizat bazë. Ajo kundërshtoi gjithashtu alternativën e një ndalimi të pjesshëm dhe vendosi që të mbështeste një deklaratë jodetyruese të sponsorizuar nga italianët për të ndaluar përpjekjet për të krijuar jetë njerëzore nëpërmjet proceseve të klonimit dhe çdo kërkim që synon të arrijë këtë synim.
Një zëdhënës i departamentit amerikan të Shtetit tha se amerikanët ishin të kënaqur që OKB-ja nuk kishte mbështetur klonimin dhe se do të vazhdojë të bëjë fushatë për ndalim të plotë.
Përkrahësit e punës kërkimore në fushën e qelizave zanafillëse thonë se klonimi mund të çojë në kura shumë të efektshme për sëmundje si Alzaimeri, Parkinsoni, kanceri, diabeti dhe dëmtime të shtyllës vertebrore.
Por, kritikët thonë se kjo teknikë është në kundërshtim me normat etike pasi kërkon shkatërrimin e një embrioni njerëzor.
Embrione njerëzore janë krijuar tashmë
Shkencëtarë nga Koreja e Jugut kanë klonuar 30 embrione njerëzore për të përftuar qeliza për të cilat ata shpresojnë se do të mund të përdoren një ditë për mjekimin e sëmundjeve.
Woo Suk Hwang i Universitetit Kombtar të Seulit dhe kolegët e tij, e morën materialin gjenetik nga qeliza normale të femrave donatore dhe e kombinuan atë me vezët e tyre.
Embrionet e përftuara pastaj u zhvilluan që të prodhonin qeliza zanafillëse që mund të kthehen në çdo lloj indi të trupit.
Qëllimi është që ato, të përdoren për të zëvendësuar indet që nuk funksionojnë tek pacientët e sëmurë. Meqë këto qeliza bartin kodin gjenetik të bërthamës qelizore të njeriut, nuk pritet ndonjë kundërshtim imun.
Lejohet klonim edhe në Britaninë e Madhe
Shkencëtarit britanik që krijoi delen e klonuar Dolly, Ian Wilmut, i është dhënë licensa për të përdorur klonimin njerëzor për studimin e një sëmundjeje që çon në paaftësimin e muskujve, për të cilën aktualisht nuk ka kurim.
Profesori Wilmut thotë se kërkon të marrë qeliza nervore nga të sëmurët dhe t'i përdorë ato për të krijuar embrione të klonuara prej të cilave pastaj të shkëpusë qeliza për t'i studiuar. Ai ka deklaruar se të gjitha embrionet pastaj do të shkatërrohen dhe nuk do të lejohen të zhvillohen më shumë se 2 javë.
Burimet:
Kërkohet ndalim i klonimit riprodhues/BBCShkencëtarët koreanojugorë thonë se kanë klonuar një embrion njerëzor/ZAOKB-ja lejon klonimin për arsye shkencore/BBCKlonim për qëllime mjekësore/BBC
|