Nëse rrezet gama mund të shiheshin me sy, në pjesë të ndryshme të qiellit do të shiheshin shkëlqime të herëpashershme, si drita që lëshohet nga llampa e aparatit fotografik. Shpërthimet, që janë më të fuqishmet në hapësirë, janë të paparashikueshme dhe nuk ndodhin kurrë në të njejtën zonë. Shkëlqimet shihen vetëm për një kohë të shkurtër, duke e bërë të vështirë të mësohet më tepër për to.
Astronomët thonë se nuk ka asgjë më të fuqishme se shpërthimi i rrezeve gama. Vetëm një shpërthim i tillë lëshon rreth 100 miliardë herë më shumë energji sesa lëshon dielli për një vit. Askush nuk e di çfarë i shkakton ato shpërthime por sipas një mendimi ato mund të sinjalizojnë formimin e gropave të zeza.
Shpërthimet e rrezeve gama u diktuan për herë të parë në vitin 1967 nga satelitë të ushtrisë amerikane që vëzhgonin respektimin nga ana e sovjetikëve të Traktatit për ndalimin e provave bërthamore. Shpërthimi bërthamor lëshon rrezatim gama. Të dhënat satelitore të viteve 70 tregonin shkelje të traktatit, por shpërthime misterioze ishin jashtë sistemit tonë diellor.
Në vitet 90-të, anije si Compton Gama Ray e NASA-s si dhe sateliti italian Beppo Sax, vërejtën se shpërthimet vinin nga të gjitha drejtimet dhe ndodhnin me miliarda vite drite larg nga galaktika jonë.
Agjensia amerikane e Hapësirës, NASA, ka nisur një satelit i cili siç shpresojnë shkencëtarët do t’u ndihmojë të gjejnë burimet e shpërthimeve misterioze të rrezeve gama. Teleskopi Swift që mbart ky satelit është i projektuar të reagojë menjëherë. Detektorët e teleskopit mund të zbulojnë një shpërthim gama sapo të fillojë duke bërë atë të drejtohet nga vendi ku ndodh shpërthimi.
Reagimi i shpejtë i satelitit Swift ndaj shpërthimeve gama u jep mundësi teleskopëve tokësorë të aktivizohen menjëherë për të marrë të dhëna shtesë nga vëzhgimet. Parashikohet që gjatë misionit të tij fillestar dy vjeçar, sateliti të vëzhgojë rreth 500 deri në 1000 shpërthime gama.
Aftësia e satelitit Swift për të reaguar menjëherë është tepër e rëndësishme të shfrytëzohet jo vetëm për vrojtimin e shpërthimeve gama. Ajo do të përdoret nga shkencëtarët për studimin e fenomeneve të tjera astronomike.
Burimi: NASA në kërkim të burimit të shpërthimeve të rrezeve Gama/ZA
|