Sipas psikologëve evolucionorë gratë edhe burrat shtyhen nga parapëlqime të cilat janë trashëguar brez pas brezi për miljona vjet. Sipas kësaj "psikologjie të kohës së gurit" gratë tërhiqen nga burrat e fuqishëm dhe të gjatë të cilët mund t'u vinin në mbrojtje - ndërsa burrat nga gratë e reja dhe të bukura. Për të dyja gjinitë bukuria duket se vlen si një shenjë e pavetëdijshme që flet mbi "gjene të shëndosha", gjë të cilën e pohojnë edhe etnografët e fushës humane.
Këta kanë hetuar në hollësi se çfarë tiparesh të fytyrës vlenin si tërheqëse për të dyja gjinitë dhe përse.
Njeriu kujdeset të duket bukur duke fshirë rrudhat e fytyrës, rritur gjoksin artificialisht apo duke u ushtruar për të vënë muskuj. Të gjitha këto i bëjmë që të tjerët të na pëlqejnë, para së gjithash gjinia e kundërt.
Gjatë takimit të parë femra do të vërejë mashkullin nëse ky është trupmadh, shpatullgjërë, i sjellshëm dhe a do japë ndonjë shenjë në fytyrë që të tregojë se ai është i shëndetshëm, që nuk është i mbushur me parazitë dhe që nuk ka një sistem të dobët imunitar. Ai duhet të tregohet i sinqertë, i vetësigurt dhe i shkathët si dhe kur t´i afrohet femrës, vështrimi i tij duhet të jetë miqësor dhe i hapur.
Gratë të cilat në kohët e lashta zgjidhnin si partnerë gjuetarë dhe mbrojtës të zotë kishin shanse më të mëdha që fëmijët të mos u vdisnin nga uria. Fëmijët e tyre mbijetuan duke trashëguar prirjet e të ëmave të tyre përmes gjeneve përgjatë mijëra brezave deri në ditët e sotme.
Mashkulli, pa e bërë me qëllim, brenda një kohe të shkurtër i hedh një shikim para e mbrapa trupit të femrës për të parë nëse e ka të asaj që njihet figurë ore rëre. Dhjami në vendin e duhur në trup tregon se gruaja zotëron energjinë dhe qumështin e nënës të nevojshme për të lindur pasardhës të suksesshëm. Pra parapëlqimi që ka mashkulli për disa kurbëzime të trupit të femrës bëhet në baza të kohës së gurit. Hetimet e bëra kanë treguar se sot meshkujt parapëlqejnë femra që kanë përmasa të përmbajtura nga beli tek ija. Femrave me forma ekstreme nuk u hidhen syte.
Burri dhe gruaja nuk janë aspak të vetëdijshëm mbi këto rregulla të mësipërme kur janë duke zgjedhur partnerin. Sjellja e tyre shtyhet nga programe të pavetëdijshme. Kur fillon ajo që quhet "flirt" atëherë tashmë është marrë vendimi. Dhe ky vendim merret që në çastet e para, sepse ne jemi në gjendje të shohim se si na paraqitet tjetri. Një rol tepër të rëndësishëm në këtë vendim luan vlerësimi që i bëhet fytyrës së tjetrit. Të gjithë njerëzve pavarësisht se cilës racë i përkasin, moshe apo seksi tërhiqen nga të njëjtat shenja të fytyrës.
Këto ishin përfundimet që dolën nga një hetim amerikan i përmasave të mëdha mbi 37 kultura. Tek gratë zakonisht shenjat e një shëndeti të mirë shihen tek dhëmbët e bardhë, sytë e shkëlqyer dhe lëkura e lëmuar. Një studim tjetër ka treguar se ne kërkojmë partnerë të cilët duken të ndershëm kur i shikon në fytyrë. Gjithmonë është gruaja ajo që është skeptike kur duhet të zgjedhë sepse do të jetë ajo që do të japë më tepër nga ana biollogjike në rastin e një shtatzanie. Janë shumë gjërat që duhen përputhur, jo vetëm paraqitja dhe karakteri - edhe harmonia në bashkëveprim mund të luante një rol të madh në zgjedhjen e partnerit.
Përgatiti Alvin Ekmekçiu Burimi: Nano Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|