25 udhëheqësit e Bashkimit Evropian nënshkruan më 29 tetor 2004 në Romë kushtetutën e parë të këtij blloku. Nënshkrimi u bë në të njëjtën sallë ku u nënshkrua dokumenti që shënoi themelimin e Bashkimit në vitin 1957. Etiketa "kushtetutë" emërton një marrëveshje të së drejtës ndërkombëtare midis shteteve sovrane, e cila i bashkon në një dokument të vetëm marrëveshjet e deritashme që nga ajo e Romës e deri tek ajo e Mastrihtit, nga ajo e Amsterdamit deri tek ajo e Nicës.
Teksti i kushtetutës, i hartuar nga një grup pune dhe i ndryshuar nga konferenca ndërqeveritare, është një kompromis. Në rrethanat e dhëna më e mira që mund të arrihej. Kushtetuta ka për qëllim që ta bëjë më të lehtë funksionimin e Bashkimit Evropian. E drejta evropiane thjeshtohet. Marrëdhëniet e institucioneve përshkruhen për të parën herë në mënyrë të plotë.
Në bazë të kushtetutës presidenca me rrotacion do të zëvendësohet nga një president të përcaktuar nga Këshilli dhe që e përfaqëson atë për dy vjet e gjysmë. Gjithashtu shtohet dhe një ministër i jashtëm evropian, i cili duhet të formulojë politikën e jashtme të përbashkët, sot ende e pjesshme.
Diçka e re është procesi i votimit. Shumica e dyfishtë prej 55 për qind të shteteve dhe 65 për qind të popullsisë duhet t'i bëjë në të ardhmen më të thjeshta dhe më të tejdukshme vendimet në BE. Në disa sektorë të BE-së do të futen për të parën herë vendimet me shumicë votash. Në sektorë të tjerë si në politikën e jashtme, atë financiare dhe të mbrojtjes ato përjashtohen shprehimisht. Parlamenti do të forcohet edhe më, për shembull në të drejtën e buxhetit dhe për t’u marrë me çështje, si imigracioni.
Përkrahësit e kushtetutës shpresojnë të ketë një identifikim më të madh të shtetasve evropianë me bashkimin e tyre historikisht të vetëm dhe të pakrahasueshëm. Kundërshtarët e kushtetutës besojnë më tepër se marrëveshja komplekse do të përgatisë edhe më shumë terrenin për sundimin e burokratëve të Brukselit që po i kalon kufijtë.
E pasigurt është nëse kushtetuta do të hyjë ndonjëherë në fuqi, sepse në dy vitet e ardhshme ajo duhet ratifikuar në të gjitha shtetet anëtare. Në pjesën më të madhe të rasteve kjo do të bëhet me votë parlamentare, por në të paktën 9 vende qeveritë do ta hedhin çështjen në votë me referendum. Përvoja me referendume të tilla në Francë, Irlandë, Danimarkë dhe Suedi tregon, se ndonjëherë zgjedhësit nuk e ndjekin elitën politike.
Një 'jo' do të thotë gjëra të ndryshme. E kjo varet se nga cila pjesë e Evropës vjen dhe sa e fortë është kjo 'jo'. Edhe në rast se kushtetuta nuk hyn në fuqi në 2007-ën, ky nuk do të ishte fundi i Bashkimit Evropian, marrëveshjet e vjetra mbeten në fuqi. Si edhe shumë herë të tjera pas një goditjeje prapësuese Evropa duhet të riçohej me mund dhe të provonte një nisje të re.
Kushtetuta tregon se sa ka përparuar integrimi paqësor i Evropës pas qindvjeçarit të luftës.
Për të parën herë kushtetuta parashikon edhe të drejtën për të dalë jashtë Bashkimit Evropian.
|