|
Njeriu: Koekzistenca mes njeriut modern dhe neandertalit Nga Njė burim - Monday, 01 November 2004
|
Ballkani, Evropa e Mesme dhe Juglindore janë regjione me një situatë shumë komplekse arkeologjike dhe paleantropologjike. Shumë shkenctarë kanë zbuluar fosile të Neandertalit dhe pas hulumtimeve që i kanë bërë janë përpjekur të argumentojnë një kontuinitet morfologjik të karaktereve të tij me ato të njeriut modern- Homo Sapiens sapiens, por deri më sot nuk kanë pasur sukses.
Shumica e hulumtimeve gjenetike flasin për dy specie të ndryshme. Ekzistenca e neandertalit, rreth 200.000 vite me rradhë, i cili jetoi në kushtet më të vështira klimatike kohore, flet se ka qenë nje specie mjaft e zhvilluar në të gjitha aspektet, prandaj ate nuk guxojmë ta konsiderojmë si specie primitive. Zbulimet e fundit tregojnë se njeriu modern qysh rreth para 120.000 - 90.000 vjetësh ka emigruar nga Afrika dhe në Evropë arrinë diku rreth 40.000 vjet më parë. Me ardhjen e tyre sollën edhe karakteret moderne për sa i përket metodave në punimin e veglave të punës, mënyrës së jetës, të shprehjes së ndiesive shpirtërore si p.sh. religjioni, kultura, arti etj. Në periudhën mes 200.000 dhe 29.000 vjetësh, Neandertali ishte e vetmja specie arkaike në Evropë dhe vetë fakti kohor në ketë rast flet për një bashkekzistencë të tij me njeriun modern për rreth 10.000 vjet, gjë që nuk është rasti i bashkekzistencës së tillë në të gjitha regjionet tjera të Evropës në të njejtën kohë
Nga të dhënat statistikore dhe sekuenc-datat, në katër gjene të Y – Kromozomit të njeriut modern, vërehet se para 28.000 vjetësh prania e tij në Evropë kishte marrë përmasa te mëdha. Për këtë dëshmon edhe gërshetimi i kulturës së Neandertalit (Mousterien) dhe të njeriut modern (Aurignacien). Në Evropë kjo kulturë shfaqet diku para rreth 42.000 deri 40.000 vite më parë. Studiuesit, kohëve të fundit, supozojnë se kjo kulturë është paraqitur pikërishtë në Evropën Juglindore. Regjionet në të cilat hasim fosile të neandertalit dhe njeriut modern të të njejtës kohe janë shumë afër trojeve shqiptare, pikërisht Kosovës, dhe është vetëm çështje kohe se kur do të zbulohen. Në realitet, klima, konfiguracioni, flora dhe fauna në trojet shqiptare, janë padyshim kushte që kanë mundësuar jetën e të dy specieve të sipërpërmendura. Të përmendim këtu si argument numrin e madh të shpellave të zbuluara e të pa hulumtuara, ose të shpellave të njohura nga banorët vendës, zyrtarishtë inkognito. Regjionet më të njohura me fenomenin e bashkekzistencës,të pasura me fosile të neandertalit dhe me fosile të vjetra të njeriut modern ne Ballkan, i gjejmë në Slloveni, Kroaci, Rumani, Bullgari dhe një pjesë në Greqi. Artefakte, si vegla pune nga guri i strallit të periudhës së neandertalit, janë gjetur në Slloveni në shpellën Loza që janë të një vjetërsie prej 250.000 vjet. Zbulimi senzacional, për të cilin një kohë të gjatë është menduar se është fjala për një instrument muzikor të neandertalit, i gjetur në një shtresë stratigrafike 67.000 deri 43.000 vjet e vjetër,pra edhe me mundësinë që i njejti të jet prodhuar nga njeriu modern, është hedhur poshtë, sepse hulumtimet më të reja vertetojnë se është fjala vetëm për një gjeofakt apo artefakt natyre.
Shpella e Krapinës në Kroaci pa dyshim është lokacioni më i njohur me një spektër të gjërë fosilesh me gjithsej 884 fragmente të eshtrave me karaktere tipike morfologjike të neandertalit, si dhe me më se 1000 artefakte guri dhe 280 dhëmbë me karaktere identike moderne. Në fund të shekullit 19, zbuluesi Gorjanoviç-Kramberger, mendon se këto fragmente iu përkasin paraardhësve direkt të njeriut modern.
Gjithashtu shumica e shkencëtarëve besojnë se në Krapinë kemi indiciet e para për kanibalizëm. Për këtë fenomen flasin gjurmët sistematike në eshtrat e tyre.
Po në këtë regjion, në shpellën Vindija afër Varazhdinit, në vitin 1974 pas një gjurmimi sistematik dhe të ndarë në 3 koncentracione stratigrafike kohore, janë zbuluar fosilet më të vonshme të neandertalit në Evropë me një vjetërsi 28.000-29.000 vjet. Po në të njejtën shpellë janë gjetur fosile të njeriut modern të vjetra rreth 26.000-29.000 vjet. Ky zbulim është fakti më konkret që flet për bashkekzistencën e dy specieve, gjë që shihet edhe nga format e veglave të punës të cilat kanë elemente të të dy kulturave, d.m.th Mousterian dhe Aurignacien. Skeletet e zbuluara të neandertalit në përgjithësi kishin një gjatësi trupore rreth 135 deri 138 cm, kurse mosha e tyre përafërsisht sillej rreth 11 deri 13 vjeqare. Vindija ka një vlerë të madhe shkencore antropologjike për morfologjinë e skeleteve, por edhe për të gjitha aspektet tjera. Prezenca e njeriut modern në regjionin e Rumanisë ka qenë deri në vitin 2002 e pa zbuluar. Në “Shpellën e Eshtrave” “Pestera cu Oase” dalin disa fragmente të skeletit, që me metodat më moderne përcaktohen të një vjetërsie prej 34.000-36.000 vjetësh, përkatësisht mund të konsiderohen më të vjetrat në Evropë.
Erik Trinkaus, antropolog i njohur dhe studiues i materialit, gjatë hulumtimeve të bëra, ka vërejtur ndryshime morfologjike të fragmenteve organike, posaçërisht në nofullën- *Mandibulën* në të cilën ka vërejtur një vrimë nervore që është shumë e rrallë tek njeriu modern, kurse në gjysmën e nofullave të neandertalit është e zakonshme. Trinkaus beson në një përzierje gjenetike mes Neandertalit dhe njeriut modern në këtë regjion. Shumë antropolog tjerë janë skeptik në hipotezën e tij, por shumica e tyre,megjithate mbrojnë teorinë e koekzistencës. Deri në vitet e 30-ta në trojet e Bullgarisë, paleoliti i mesëm ka qenë plotësisht i pa zbuluar. Në vitin 1938 nga shpellat Bacho Kiro dhe Temnata Dupka nxirren 8 skelete të fragmentuara. Materiali arkeologjik dhe antropologjik i asaj kohe u hulumtua sistematikisht në vitet e 70-ta nga arkeologët e njohur Ginter dhe Kozlowski, material ky i cili dha definicione dhe hipoteza të reja për rrugën e migrimit shumë më të hershëm të njeriut modern nga Afrika, se sa që mendohej në atë kohë. Hulumtimet treguan se shumica e individëve kishin karaktere morfologjike moderne, kurse pjesa tjetër pa dyshim karaktere neandertaloide. Vjetërsia e fosileve, në bazë të Radiokarbonit, pëcaktohet mes 34.000 dhe 38.500 vjetësh. Bacho Kiro dhe Temnata Dupka janë padyshim dy lokacione që botën arkeologjike shkencore e nxisin për hulumtime më intenzive, përsa i përket teorisë së expandimit të njeriut modern nga Afrika dhe lindjes së kulturës Aurignacien, gjegjësisht paleolitit të mesëm në Ballkan.
Luan Gashi, arkeolog / antropolog
|
|
| |
| Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 4.66 Votues: 3

| |
|