Pa koks nuk ka hekur, pa hekur nuk ka çelik, dhe pa çelik nuk mund të përfytyrohet ekonomia kombëtare. çeliku është një nga elementët e domosdoshëm të industrializimit. Në kohë rritjeje të madhe të ekonomisë botërore koksi dhe çeliku kthehen në mallra të rralla.
Koksi qëndron një shkallë më lartë sesa qymyri. Në furrnalta koksi në bashkëveprim me ajrin, që fryhet brenda, krijon temperatura shumë të larta. Minerali shkrin si gjalpi i lënë në diell. Duke qënë se koksi mbetet për një kohë të gjatë i ngurtë, hekuri i përpërpunuar rrjedh pas nxjerrjes nga furrnalta dhe koksi noton sipër dhe largohet në fund si skorie.
Livruesi më i madh i koksit në botë, Kina, sa vjen dhe e ul eksportin e kësaj lënde të parë të rëndësishme duke e përdorur për rritjen e prodhimit të vet të çelikut. Në këtë kohë të rritjes së nevojës për koks, në Gjermani dhe Evropë ka vite që mbyllen njëra pas tjetër fabrika koksifikimi, prandaj mbizotëron një mungesë e kësaj lënde të parë të rëndësishme për prodhimin e hekurit dhe të çelikut. Meqënëse si rezultat prodhimi i çelikut është më i ulët sesa nevojat për të, çmimi i çelikut është rritur brenda një viti me rreth 50 për qind, një rritje galopante çmimi kjo që duhet quajtur historike.
Nëse dy vjet më parë një ton koks importi kushtonte 70 dollarë, sot koncernet e çelikut paguajnë për të deri në 500 dollarë, po qe se gjejnë koks të cilësisë së kërkuar dhe në sasinë e nevojshme. Por nuk janë vetëm uzinat e çelikut që kanë probleme furnizimi me lëndën e tyre djegëse më të rëndësishme, koksi dhe qymyri i koksifikueshëm, lënda e parë për fabrikat e koskifikimit është bërë e rrallë. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të fundit çmimi i qymyrit të koksifikueshëm është dyfishuar në tregun ndërkombëtar, duke kapur vlerën 120 dollarë për ton. Kjo sepse për të mbuluar nevojën e vet gjigande për energji Kina jo vetëm që e ka pakësuar eksportin e koskit, por sa vjen e shfaqet vetë si konkurrente në blerjen e qymyrit të koksifikueshëm.
Burimi: Valët gjermane
|