Shkencëtarët e tre instituteve britanike, përfshirë edhe Kopshtin Zoologjik dhe Muzeun e Shkencave të Natyrës po mbledhin mostra të ADN-së prej specieve të rrezikuara të zhduken dhe po i ngrijnë ato. Ky projekt i përmasave të mëdha quhet 'Arka e Ngrirë', (e frymëzuar nga historia biblike - Arka e Noes) dhe ka si qëllim të ndihmojë në ruajtjen e informacionit gjenetik të këtyre kafshëve, me qëllim që ky informacion të përdoret në të ardhmen.
Kështu që edhe nëse dështojnë përpjekjet për t'i shpëtuar këto specie, rezultatet e miliona vjetëve evolucion nuk do të zhduken në sytë e shkencës.
Mes specieve që do të jenë të parat në 'Arkën e Ngrirë' janë; gjinkalla britanike e fushës, antilopa arabe dhe kali i detit me ngjyrë të verdhë.
Biologët besojnë se planeti ynë është duke përjetuar valën e gjashtë të shfarosjeve. Por ndryshe nga era e fundit kur u zhdukën dinozaurët, kësaj rradhe mijra kafshë kërcënohen nga një specie e vetme - njeriu. Për momentin, nuk ka plane për t'i përdorur mostrat për klonim, megjithatë ka shpresa se ADN-ja e mbledhur do të ruhet për të ardhmen.
Burimi: BBC në shqip
|