Forcat amerikane dhe britanike përparonin nga perëndimi, sovjetikët nga lindja. Dukej se kishte ardhur koha e përshtatëshme që rezistenca polake, më e madhja në çdonjërin nga vendet e pushtuara nga nazizmi, të ngrihej kundër shtypësit. Më 1 gusht 1944, beteja për çlirimin e Varshavës filloi.
Ishte një luftë e pabarabartë. Megjithëse e organizuar mirë, lëvizja ilegale polake as që mund të krahasohej me forcat gjermane të armatosura mirë. Nga 40 mijë luftëtarët polakë, vetëm një e katërta e tyre kishin armë të përshtatëshme. Të tjerët ishin të armatosur vetëm me gurë dhe tulla.
Ata i kishin varur shpresat tek ndihma e aleatëve. Ndërkohë që forcat aleate po i afroheshin qytetit, Stalini u bëri thirrje polakëve të ngriheshin. Të njëjtën gjë bëri edhe presidenti amerikan Franklin Roosevelt. Por kur trupat sovjetike arritën në periferi të Varshavës, ato u ndalën aty. Duke planifikuar pushtimin e Polonisë pas luftës, Stalini donte që rezistenca polake të mos e pengonte.
Sovjetikët jo vetëm që rrinin dhe shikonin se si nazistët masakronin kryengritësit dhe vrisnin popullatën civile, por për shumë javë me radhë, penguan edhe amerikanët dhe britanikët që t’u jepnin ndihmë kryengritësve. Më në fund, i nervozuar, Çërçilli kërkoi që ndihma të dërgohej, megjithë kundërshtimet e Stalinit, por Presidenti Ruzvelt nuk ishte dakord dhe dukej se nuk e kishte marrë problemin seriozisht.
Historiani Norman Davies thotë se fuqitë e mëdha humbën një rast mjaft të rëndësishëm: ”Aleatët perëndimorë kishin në dorë shumë karta që mund të kishin luajtur. Ata e furnizonin Bashkimin Sovjetik me sasi kolosale pajisjes ushtarake dhe nëse presidenti amerikan do të kishte ndërhyrë, përgjigja e sovjetikëve mund të kishte qenë pozitive.”
Por Brian Porter, profesor i historisë në Universitetin e Miçiganit, dyshon tek ky konkluzion. Ai thotë se presidenti në fakt i kishte duart të lidhura. ”Stalini nuk do të lejonte që polakëve t’u shkonte ndonjë ndihmë, pas fillimit të kryengritjes. Përsa u përket amerikanëve, edhe sikur ata të ishin përpjekur të ndihmonin, vështirë të imagjinosh se çfarë roli mund të kishte luajtur kjo. Duhet të kujtojmë se lufta nuk kishte mbaruar ende dhe megjithëse fitorja dukej e sigurt, akoma kishte luftime. Veç kësaj, Japonia ende nuk ishte mundur.”
Pas 62 ditë luftimesh të ashpra kryengritja polake u shtyp nga nazistët. Të uritur në kulm, polakët hanin çdo kalë apo qen që gjenin dhe pinin ujin që gjenin në gropat e rrugës. Ata shfrytëzuan kanalizimet e qytetit për të shpëtuar, duke notuar nëpër ujin e fëlliqur që u vinte deri në gjoks.
Më shumë se 200 mijë polakë humbën jetën në këtë kryengritje, shumica civilë. Profesor Davies thotë se çdo ditë të kryengritjes vdisnin po aq polakë sa u vranë amerikanë gjatë sulmeve terroriste në Qendrën Botërore të Tregtisë.
Rusia kishte pushtuar një pjesë të mirë të Polonisë nga viti 1795 deri në vitin 1918, thotë Profesor Porter, dhe ajo iu bashkua Hitlerit kur ai filloi Luftën e Dytë Botërore.
”Ne në Shtetet e Bashkuara zakonisht kujtojmë pushtimin gjerman të Polonisë. Kurse polakët e kujtojnë këtë më tepër si një pushtim gjerman dhe rus të vendit të tyre. Gjermanët hynë në Poloni më 1 shtator, por vetëm dy javë më pas, rusët hynë nga ana tjetër pasi kishin nënshkruar një traktat midis Stalinit dhe Hitlerit për ndarjen e Polonisë midis tyre.”
Hitleri e shfarosi sa mundi klasën e edukuar polake. Kurse rusët, thotë profesori, shfarosën pjesën e mbetur.
Në konferencën e Teheranit të fuqive të mëdha më 1943, Ruzvelti dhe Çërçilli ia lanë më shumë se një të tretën e vendit Stalinit. Polakët nuk u pyetën, madje as u informuan për sa po ndodhte.
Pas kësaj, sovjetikët e pushtuan Poloninë dhe e mbajtën të pushtuar për 44 vjet deri sa lindi rezistenca e cila këtë herë fitoi.
Burimi: Zëri i Amerikës
|