Masakra e Srebrenicës në këtë qytet të shpallur në atë kohë si zonë e sigurt, ndodhi pak para përfundimit të luftës 3-vjeçare shkatërrimtare të Bosnjës, e cila shkaktoi vdekjen e 200 mijë vetave dhe la 1 milion e 800 mijë njerëz pa strehë. Më 11 korrik 1995 forcat serbe vranë afro 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, duke shënuar masakrën më të rëndë që pas Luftës së Dytë Botërore në Europë.
Shumë familje u zhdukën plotësisht nga forcat serbe, të cilët i veçuan meshkujt, i larguan nga qyteti, i ekzekutuan në masë e më pas i varrosën në varre masive.
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës gjatë luftës Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak Ratko Mlladiç janë akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Hagës, por ende nuk janë kapur.
Deri tani ekspertë boshnjakë dhe të Kombeve të Bashkuara kanë zbuluar trupat e rreth 5 mijë viktimave në varre masive në Bosnjën lindore. Fati i të tjerëve mbetet i panjohur.
Bosnja tani përbëhet nga Federata myslimano-kroate dhe Republika serbe e Bosnjës ku ndodhet edhe Srebrenica. Vetëm pas nëntë vjetësh, në qershor 2004, zyrtarët serbë të Bosnjës pranuan për herë të parë se serbët e Bosnjës ishin autorë të masakrës së Srebrenicës.
Lexo shkrimin e plotë tek Zëri i Amerikës
|