Ndarjet janë në rritje kudo në botë. Ato po shtohen si në vendet e pasura edhe në ato të varfëra. Shumë nga këto ndryshime janë pjesë e një procesi global që po ndodh në familje në kushtet e modernizimit, në kushtet kur gruaja ka hyrë në tregun e punës. Kjo është diçka që shkakton konflikte sepse gratë tani janë më të pavarura dhe nuk dëmtohen më ekonomikisht nëse ndahen. Në të kaluarën ato nuk mund të largoheshin dot nga bashkëshorti.
Familjet amerikane kanë ndryshuar në mënyrë dramatike krahasuar me vitet 50. Statistikat tregojnë se niveli i ndarjeve është rritur së tepërmi që nga ajo kohë. Sot, 50 përqind e familjeve amerikane përfundojnë me divorc. Një në çdo tre fëmijë ka si nënë një grua të pamartuar. Më pak se 25 përqind të familjeve amerikane përbëhen nga burri, gruaja dhe fëmijët e tyre biologjikë. Vetëm në 10 përqind të rasteve gruaja është plotësisht shtëpiake.
Ndarja është një proces që fillon shumë para nënshkrimit të dokumentave dhe vazhdon për një kohë të gjatë.
Një këngë e njohur amerikane e viteve 70 thotë - dashuria do të na mbajë të bashkuar. Por kjo nuk ishte e vërtetë atëherë dhe nuk është e vërtetë as tani. Dashuria mund t’i sjellë çiftet pranë, kërkohen aftësi të tjera për të mbetur të bashkuar dhe për të mbijetuar të përpjetat dhe tatëpjetat që sjell martesa. Ndëkohë që rastësia apo shansi mund të bëjë që dy njerëz të bien në dashuri, ekspertët pohojnë se janë mbajta e premtimeve të martesës që i mban çiftet të bashkuar dhe në dashuri.
Squire Rushnell përfshin historinë e tij të dashurisë bashkë me disa të tjera në librin e tij Lejo fuqinë e besimit të të drejtojë në dashuri. Ai e përmbledh sekretin për një martesë të gëzuar në gjashtë fjalë të urta.
“Kur i bashkoj ato formojnë akronimin Laughs që do të thotë qeshje. L është për buzëqeshjen. Çdo marrëdhënie e mirë ka nevojë për sensin e humorit, veçanërisht për të kaluar momentet e tensionuara që ekzistojnë në çdo marrëdhënie. A-ja qëndron për mirënjohje. Duhet të shprehësh mirënjohjen për partnerin disa herë në ditë. U-ja është për mirëkuptim dhe jo vetëm të dëgjosh”.
Sipas tij, një lidhje e mirë shpirtërore e bën çdo marëdhënie më të fortë. Ndërsa çiftet harxhojnë shumë kohë dhe para për dasmën, ato i kushtojnë shumë pak vëmendje premtimit që i bëjnë njëri tjetrit.
Fëmijët e ndarjeve të mira
Ata që kanë përjetuar divorcimin e prindërve në fëmijëri thonë se një gjë e tillë nuk çon medoemos në shkatërrimin e një familjeje apo të jetës së fëmijëve. 25 vjet më parë zonja Constance Ahorns intervistoi dhjetëra individë të ndarë dhe shkroi një libër të titulluar “Divorci i Mirë.” Më pas ajo shkroi një libër tjetër me kujtimet e fëmijëve që përjetuan një divorc të mirë, siç e quan ajo: “Pjesa më e madhe e këtyre familjeve e ruajnë strukturën e familjes. Këto janë struktura më komplekse, por megjithatë janë familje. Fëmijët rriten mirë. 78 për qind e tyre janë dakort me vendimin e prindërve për divorc dhe 3 të katërtat e fëmijëve të intervistuar mendojnë se prindërit janë më mirë si rrjedhojë e divorcit”.
Në librin e saj, Ahorns u kundërvihet disa prej ideve të gabuara si për shembull se baballarët nuk janë më të angazhuar në jetën e fëmijëve pas divorcit: “Zbuluam se mbi 50 për qind e fëmijëve vërejtën përmirësim të marrëdhënieve me babain pas divorcit, pasi kishin mundësi të krijonin një marrëdhënie të re të pavarur. Po ashtu edhe baballarët ishin të gatshëm të dedikonin më shumë kohë për fëmijët, pa ndërhyrjen e gruas”.
Gjatë periudhës 25 vjeçare pas divorcit, thuajse të gjithë individët e përfshirë në këtë studim kishin në jetën e tyre një njerk ose motra apo vëllezër prej nënës ose babait.
Rezultatet e studimit treguan se fëmijët kishin krijuar marrëdhënie të mira me bashkëshortin e prindit të tyre, por kjo nuk ndodh menjëherë. Pa dyshim ka edhe probleme, si për shembull fëmijët nga martesat e mëparshme dhe marrëdhëniet mes tyre shpesh herë janë të ndërlikuara dhe të pasuksesshme.
Ka raste kur vite pas divorcit, disa fëmijë ende vuajnë pasojat e tij. Por Ahorns thotë se studimi i saj tregon se kjo nuk nënkupton që divorci është një plagë psikologjike për fëmijët dhe se fëmijët me kalimin e kohës i kuptojnë dhe i vlerësojnë më mirë përpjekjet e prindërve për të ruajtur strukturën e familjes.
Burimet: Familja dhe martesa, Fëmijët e divorceve “të mira”, Sekretet e martesës së suksesshme
|