Gjumi dimëror është ai në të cilin bien disa kafshë me fillimin e dimrit për tu zgjuar përsëri në pranverë. Gjatë këtij gjumi proçesi i metabolizmit në trup që normalisht kryen djegien e karbohidrateve, ndërron gjendjen e tij duke u kthyer kështu të djegë dhjamin dhe yndyrnat.
Kjo bën që të kursehen energjitë, dhe me fjalë të tjera bën të mundur fjetjen pa ndërprerje për një kohë kaq të gjatë, si ç´është periudha e dimrit.
Tani fiziologu i kafshëve Gerhard Heldmaier ka gjetur tek kafshët dy gjene frenuese të cilat aktivizojnë ose çaktivizojnë disa enzima vendimtare në ndryshimin e gjendjeve të mësipërme të metabolizmit. Dy gjene të tjera frenuese janë gjetur një vit më parë nga një grup studiuesish amerikanë. Helmaier thotë se të njëjtët gjene gjenden edhe tek njeriu.
Skenë nga filmi "2001: Një Odise hapësire". Astronauti është duke bërë një lloj gjumi dimëror në një shtrat të posaçëm
| Gjetja e përdorimit. Në filmin trillueso-shkencor "2001: Një Odise hapësire" të vitit 1968, regjizori Stanley Kubrick i vë heronjtë e tij të flënë një lloj gjumi dimëror në rrugën e tyre për në një planet të largët. Regjizorë të tjerë kanë huazuar të njëjtin përfytyrim mbi të ardhmen në filmat trillueso-shkencorë të tyre.
Kështu një ndër palët më të interesuara për arritjen e vënies së njeriut në gjumë dimëror është enti i qeverisë amerikane për hapësirën Nasa, e cila shpreson një ditë të arrijë të dërgojë njerëz drejt galaksive të reja dhe qytetërimeve jashtëtokësore. Që njerëzit në anije kozmike të rronin kaq gjatë do tu duhej të flinin me muaj apo me vite. E interesuar është edhe Ushtria e SHBA-së. P.sh. mund të viheshin në gjumë dimëror, që është një gjendje prehjeje të qëndrueshme, ushtarët e plagosur në fushën e betejës deri kur të arrinin në spital. Nëse do të arrihej të viheshin në gjumë dimëror organe të veçanta të trupit të njeriut do të mundej të ruheshin këto organe me muaj të tërë, çfarë do të përbënte një revolucion në mjekësinë e transplantimeve, sepse sot për sot organet duhet të transplantohen përbrenda disa ditësh, nga shkëputja prej trupit.
E bëjnë edhe majmunët. Para pak kohësh dijetarët e Universitetit në Marburg të Gjermanisë zbuluan diçka tepër mahnitëse. Ata gjetën për herë të parë një lloj majmuni të familjes Lemure nga Madagaskari që bien në gjumë dimëror. Meqënëse majmunët janë kafshët më të afërta me njerëzit, atëherë mendohet se kjo cilësi biollogjike mund të përdorej edhe nga njerëzit.
Haldmaier, që është profesor në Universitetin e Marburg-ut dhe që ka luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e shumë zbulimeve shkencore thotë: "Njerëzit nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor nga gjitarët e tjerë. Nuk ka asgjë që të kundërshtonte idenë se edhe njerëzit mund të bënin gjumë dimëror."
Gjumë dimëror në Sibiri Një shembull gjumi dimëror ndër njerëzit është rasti i një fisi siberian që rronte përpara 100 vjetësh në anët e Pskov. Për shkak të mungesës së ushqimeve gjatë dimrit familjet mblidheshin përqark zjarrit që me rënien e borës së parë dhe nisnin kështu të flinin. Një herë në ditë secili çohej dhe hante një copë bukë, gëlltiste një gllënkë ujë dhe kthehej përsëri për të fjetur. Ata e kryenin këtë punë për gjashtë muaj të tërë derisa të vinin shenjat e para të pranverës. Këtë gjumë dimëror ata e quanin "Lotska".
Përgatiti Alvin Ekmekçiu - Mbështetur tek materiali i revistës austriake Surfmed Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|