Përshtatja e qenieve të gjalla ndaj rrethanave të reja ngjet përmes luhatjeve në masën e trashëgimisë. Kështuqë gjenetika mund të na japë dëshmitë më të rëndësishme për Teorinë e Evolucionit.
Evolucioni i kërbishtorëve
Ky ishte një proces që rrodhi krahasimisht shpejt, pasiqë zgjati vetëm 14 milionë vjet deri në shfaqjen e amfibëve, prej të cilëve u mbrujtën më vonë zvarranikët.
Gjetja e një peshku me këmbë do të ishte një dëshmi tjetër e Teorisë së Evolucionit. Gjetjet fosile kanë treguar se ka pasur me të vërtetë një gjendje të tillë të ndërmjetme. Zhvillimi i këmbëve pati pasoja me ndikim të gjerë. Të gjithë kërbishtorët që jetojnë në stere bartin në trupat e tyre edhe sot këtë trashëgimi: Janë katër gjymtyrë që në parim bëjnë pjesë në strukturën e tyre trupore. Edhe tek balenat dhe delfinët gjymtyrët e prapme kanë mbetur si mbeturina të vogla brenda trupit. Zhvillimi i gjitarëve të detit nxjerr në shesh të papritura të tjera. Balenat vrasëse janë një shembulli i mirë mbi se si vepron evolucioni. Balenat vrasëse mbahen si ujqërit e oqeanit, një titull që nuk i takon vetëm për shkak të sjelljeve të sotme grabitqare por pasiqë stërgjyshët e tyre para miliona vjetësh ishin gjahtarë të ngjashëm me ujqërit. Hapësira e tyre e jetesës u ngushtua gjithnjë e më tepër, gjë që i detyroi këto kafshë të ktheheshin përsëri në ujë. Ata iu përshtatën në përgjithësi jetës në det dhe mbrujtën pamjen e tyre të jashtme tipike.
Ngjashmëri në lëvizje
Pamja e sotme e balenave vrasëse dhe delfinëve nuk të lë aspak të gjesh me mend të kaluarën e tyre plot ngjarje. Në shikim të parë pamja e tyre e jashtme i ngjan krejt asaj të një peshku. Por në të vërtetë ka shumë ndryshim. P.sh. peshqit notojnë ndryshe, ata gjarpërojnë mespërmes ujit. Nëse vëzhgojmë lëvizjet e notimit të delfinit, do të vihen re ngjashmëri shtangëse në lëvizje me kafshët që jetojnë në stere, si tek vidra.
 Vidër
|
Teknika e notimit e vidrës i ngjan asaj të balenave dhe delfinëve. Në vend të gjarpërimit përmes ujit, arrihet të kryhet lëvizja nëpërmjet ngritjes dhe uljes së krejt trupit dhe të përkuljes së shtyllës kurrizore, një metodë, të cilën e ka ruajtur edhe gjatë zhvendosjes në stere. Këtë teknikë e kanë ruajtur gjitarët e detit që nga koha që bënë hapin prapa për brenda në ujë. Kështu, stili i notimit i balenave vrasëse është një shembull ndër shumë, tek i cili mund të shquhen edhe sot e kësaj dite gjurmët e evolucionit.
Molekula e trashëgimisë tregon një prejardhje të përbashkët
 DNA
|
Ka një lidhje më të qartë që hallkëzon qeniet e gjalla me njëra-tjetrën. Kafshët nga më të ndryshmet, bota e madhe e bimëve dhe vetë bakteriet shfaqin një shenjë dalluese të prejardhjes së tyre të përbashkët në DNA, molekulën e trashëgimisë. Pavarësisht nga qenia e gjallë, në të cilën ndodhet DNA, ajo është e përbërë gjithnjë nga katër elementë ndërtimi. Mënyra e renditjes së këtyre përbërësve e bën qenien e gjallë të jetë ajo që është. Ndryshimet më të vogla në kodin gjenetik mund të sillnin ndryshime të mëdha në ndërtimin trupor të saj. Nga variacionet e renditjeve të elementëve të ndërtimit është përftuar shumëllojshmëria e jetës. Nën sundimin e kushteve të mjedisit morën trajtë forma jete të cilat munden të mbijetojnë në një qoshe të ngrohtë të Tokës sonë. Së fundi, edhe njeriu është prodhim i këtij evolucioni.
Krijimistët
Para së gjithash në SHBA po forcohet gjithnjë e më tepër një lëvizje, për të cilën një teori mbi një histori të ndërlikuar zhvillimi të jetës si Teoria e Evolucionit nuk vlen dy lekë. Kjo lëvizje bën propagandë të madhe mbi krijimin në mënyrë të planifikuar të jetës, brenda pak ditësh, nga Krijuesi. Më përpara: Evolucioni dhe shumëllojshmëria
Përgatiti : Alvin Ekmekçiu Burimi: ZDF/Evolution - die große Lüge?/ 09.06.2004 Vë re! Ky shkrim nuk lejohet të kopjohet dhe të përdoret për qëllime komerciale (fitimprurëse). Mbi lejet e përdorimit të shkrimeve të © Rruzull.net lexo këtu.
|