Një libër i ri i titulluar Plani i Sulmit, i shkruar nga ndihmës kryeredaktori i gazetës "Uashington Post" Bob Woodward, po komentohet gjerësisht në mediat amerikane. Libri analizon rrjedhën e ngjarjeve që çuan në ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak.
Në libër thuhet se Presidenti Bush kishte dhënë urdhër për hartimin e planeve të ndërhyrjes vetëm pak muaj pas 11 shtatorit 2001 ndërkohë që ende vazhdonin negociatat në Këshillin e Sigurimit, por këto plane u ishin mbajtur sekrete madje edhe disa prej anëtarëve të lartë të kabinetit.
Zoti Woordward thotë në libër se vendimi i Presidentit Bush për të ndërhyrë u ndikua pjesërisht nga sigurimet që i dha atij drejtori i CIA-s, George Tenet me origjinë himariote. ”Zoti Tenet, i cili ishte ulur në kolltuk, ngrihet dhe thotë, mos u shqetëso, kjo është diçka që zgjidhet menjëherë,” thotë zoti Woodward.
Në libër thuhet se nënpresidenti Dick Cheney kishte informuar ambasadorin saudit në Uashington lidhur me vendimin e Presidentit për të ndërhyrë në Irak para se të informonte sekretarin e shtetit Colin Powell. Powell ishte lënë i painformuar, aq sa Presidenti as që i kishte kërkuar mendim për ndërhyrjen në Irak.
Por ndoshta akuza më e rëndë që bëhet në libër është ajo për një ujdi, që sipas autorit kishte bërë Princi Bandar dhe Presidenti Bush për të ulur çmimet e naftës në prag të zgjedhjeve të nëntorit.
Autori e përshkruan administratën si të përçarë rreth çështjes së luftës në Irak. Sipas tij, Sekretari Powell qendronte në krye të atyre që e kundërshtonin planin.
"Ai kishte rezerva të mëdha ndaj luftës dhe e kishte paralajmëruar presidentin se Iraku mund t'i mbetej në dorë",- thotë Woodward.
Zoti Powell i ka hedhur poshtë shumë nga ato që thuhen në libër.
Lexo shkrimin e plotë tek Zëri i Amerikës
|