Zyrtarët e kompanisë së prodhimit të avionëve Boeing thanë se kishin mundur të lëshonin me sukses një bombë eksperimentale nga një aeroplan i telekomanduar. Kjo provë përbën një hap tjetër përpara për teknologjinë që ata shpresojnë se një ditë do të zevendësojë pilotët në rastet kur ata kryejnë misione të rrezikshme.
Avioni X-45 ishte i paraprogramuar me koordinatat e objektivit dhe e korrigjonte kursin e tij me anë të satelitëve të pozicionimit global.
Kontrollorët qendronin në një qendër telekomandimi 128 kilometra nga objektivi. Nga distanca, ata e autorizuan avionin të lëshonte bombën nga lartësia 10,500 metra. Avioni fluturonte me shpejtësi 710 kilometra në orë.
Një avion i tillë mund të marrë pjesë për shembull në bombardimin e radarëve dhe të baterive kundërajrore të armikut për t’u hapur rrugën aeroplanëve me pilot.
Ky avion nuk ka bisht dhe krahët e tij arrijnë një gjerësi prej 10,2 metrash. Ai peshon 3,600 kilogram pa bomba dhe është avioni i parë pa pilot i prodhuar për qëllime ushtarake, pra për tu përdorur në luftime.
Avionë të tjerë robot, siç është ai i quajtur Predator që po përdoret aktualisht në Afganistan, janë modifikuar për të mbajtur armë. Boeingu shpreson të prodhojë qindra avionë të tipit X-45, të cilët do të kushtonin 10 deri në 15 milionë secili.
|