Në kufijtë e sistemit tonë diellor është gjetur një objekt i ri për të cilin disa mendojnë se mund të jetë planeti i dhjetë i sistemit tonë diellor. Nasa njoftoi më 14 mars (2004) se ende nuk është e sigurt natyra e këtij objekti, prandaj astronomët e quajnë atë tani për tani planetoid.
Ky ndodhet 13 miliardë kilometra larg Tokës ose tre herë më larg nga kjo se sa planeti më i largët i njohur deri tani, Plutoni, duke e bërë atë objektin më të largët që sillet rreth diellit dhe duke zgjeruar kështu më tej kufijtë e sistemit tonë diellor.
Objektit të ri iu dha emri Sedna, perëndesha e oqeaneve në mitiologjinë e popullsisë Inuite, që banon në zonën e Arktikut.
Parashikohet që Sedna, elementet përbërës të së cilit mendohet të jenë akulli dhe guri, ka një diametër prej 1700 kilometrash, më i vogël se Plutoni dhe sa gjysma e Hënës. Ky do të ishte objekti më i madh i zbuluar në sistemin diellor që nga zbulimi i Plutonit në vitin 1930. Sedna ka një ngjyrë të kuqe dhe Nasa e quan atë objektin e dytë të kuq në sistemin tonë diellor, pas planetit Mars. Një tjetër fakt rreth objektit të ri është se për të kryer një rrotullim rreth diellit atij i duhen afro 10 mijë vjet.
Ai është gjetur nga teleskopi Spitzer që vepron në hapësirë.
Kohët e fundit në limitet e sitemit tonë diellor janë gjetur shumë botë të përbëra nga shkëmbinj dhe akuj si Sedna, por më të vogla.
|