Vetëm kohët e fundit ka pasur përfillje dhe dijeni të mjaftueshme për të matur stresin. Stresi apo ndryshe ndemja, nuk është diçka e re, por është gjendur gjithmonë si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët. Stresi ka qenë gjithnjë jetësor kur për shembull është dashur për t'iu shmangur rreziqeve që kanoseshin. Kur truri bën të ditur rrezikun, zemra nis të rrahë më shpejtë, muskujt tkurren dhe në gjak lëshohet adrenalinë për të çliruar shtytje në mënyrë që trupi të kundërvepronte më me të shpejtë dhe të duronte më tepër. Nëse stresi nuk do të gjindej, njeriu nuk do të kishte arritur të mbijetonte.
Pra stresi mund të përshkruhet si kundërveprim i i trurit dhe i pjesës tjetër të trupit ndaj atyre kërkesave, sfidave dhe ngarkesave të cilave i nënshtrohemi në rrethana të ndryshme të jetës. Stresi ka për qëllim të kujdeset që aftësia fizike t'i përgjigjet atyre kërkesave që truri pret të gjejë.
Por sot kundërveprimet nuk janë aq të vyeshme si dikur, për më tepër janë të vështira t'i shfryesh jashtë.
Thyerja psiqike dhe fizike
Thyerja psiqike dhe fizike në kuptimin e dukurisë që shoqëron shoqërinë moderne njihet në gjuhë si suedishtja me termin e vet përkatës (suedisht - utbrändhet) dhe është një gjendje molisjeje.
Një përcaktim që përdoret për gjendjen më sipër është edhe sindromë kapitjeje që do të thotë se bëhet fjalë për shumë simptoma dhe shqetësime që kanë të bëjnë me njëra-tjetrën.
E thënë me pak fjalë, thyerja psiqike dhe fizike është faza më e lartë e stresit. Njeriu nuk u ka kushtuar vëmendje paralajmërimeve mbi atë që trupi dhe shpirti nuk po ndjehen mirë. Atij do t'i duhet një kohë e gjatë për t'u riaftësuar por jo të kuptohet sikur ai ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Stresorët fizikë dhe psiqikë
Fjala stresor është përdorur për ato gjëra që shkrehin stresin në tru dhe trup. Këto mund të jenë fizike ose psikologjike.
Tek stresorët fiziologjikë hyjnë tuhatja, alkoholi dhe ndotësit e mjedisit por edhe dëmtimet fizike ndezin kundërveprimet stresore.
Tek stresorët psikologjikë hyjnë për shembull andrallat në marrëdhëniet ndërnjerëzore, tallja nga shokët, pakënaqësia me punën, humbja e ndonjë të afërmi dhe mungesa e të çmuarit nga të tjerët.
Stresi pozitiv dhe ai negativ
Trupi dhe shpirti mund të kundërveprojnë me stres pozitiv kur njeriu është i ngarkuar me gjëra që i sjellin kënaqësi të cilat njeriu i ka zgjedhur vetë dhe që e cytin përpara. Por edhe nëse njeriut i pëlqen puna që bën, trupi nuk mund t'i përballojë ngarkesat e tepërta. Prandaj stresi pozitiv mund të kthehet në negativ nëse njeriu nuk i dëgjon paralajmërimet e trupit. Të gjitha llojet e stresit kthehen në të dëmshme nëse trupi është i stresuar për një kohë të gjatë pa pasur mundësi për ta marrë veten sërish. Shumë prej atyre që e kanë pësuar kanë qenë të frymëzuar nga një punë nxitëse sa që nuk kanë pasur ndonjë balancë në jetë, dhe nuk u kanë kushtuar vëmendje atyre paralajmërimeve të trupit dhe shpirtit.
Ndërsa stresi negativ shfaqet kur njeriu ndjen pakënaqësi dhe nuk mundet ta ndryshojë këtë gjendje. Kjo mund të vlejë si për jetën private ashtu edhe për atë në punë.
Përgatiti : Alvin Ekmekçiu Burimi: suedezja Infomedica, Stress / Vad är stress?, 2004-03-03 Vë re! Ky shkrim nuk lejohet të kopjohet dhe të përdoret për qëllime komerciale (fitimprurëse). Mbi lejet e përdorimit të shkrimeve të © Rruzull.net lexo këtu.
|