Krejt ndryshe nga çfarë mendohej deri tani, janë gjenet e grave ato që zënë rolin kryesor në historinë njerëzore. Më parë dijetarët kishin menduar se ishin gjenet e meshkujve ato që u shpërndanë më tepër nëpër botë, meqënëse ata ishin luftëtarë, gjuetarë, tregtarë dhe aventurierë.
Përzierja e gjeneve me të tjera nga jashtë është vendimtare që një grup popullate të mund të zhvillohet dhe të qëndrojë. Shumimi mes njerëzve me lidhje farefisnore çon në mutacione të dëmshme dhe ulje të aftësive jetësore si dhe rrënimin e një shoqërie. Llogjika ta thotë se duhet të jenë gjenet e mashkullit ato që ndihmuan më së tepërmi njerëzimin të zhvillohej, pikërisht pasi ato kanë ndërmarrë udhëtime të largëta. Por një student i Harvard-it, Mark Seielstad, ka arritur në përfundime të tjera në punën e tij të dipllomës. - Lëvizjet e grave kanë qenë më domethënëse se të burrave.
Megjithëse burrat shkonin tepër larg shtëpisë, prapëseprapë ata më së shumti bëheshin etër në vendin ku kishin lindur edhe vetë. Gratë me të cilat ata martoheshin lëviznin nga shtëpia e tyre për tek ajo e burrave. Në këtë mënyrë, këto gra, ndihmonin për krijimin e një luhatjeje biollogjike dhe morie në ato shoqëri në të cilat erdhën.
Seielstad dhe kolegja e tij Nadia Singh i mbështesin përfundimet e tyre përmes përdorimit të DNA-së mitokondrionale si gjurmues. Mitokondrioni trashëgohet vetëm nga ana e nënës dhe mund të gjurmohen së prapthi deri tek Eva biollogjike e njerëzimit. Në të vërtetë të gjithë mitokondrionët e njerëzimit rrjedhin prej një gruaje të vetme. Seielstad thotë se do të ishte gabim të mendohej se në atë kohë ka pasur qenë vetëm Eva jonë biologjike. Gra të tjera jetonin në të njëjtën kohë me të, por DNA e tyre nuk ka ardhur deri në kohët tona. Mitokondrioni nuk mund të trashëgohet nëse gruaja nuk lind vajzë.
Seielstad dhe Singh gjetën jo vetëm që gjenet e grave janë shpërndarë nga fshati më fshat, visi më vis, por edhe nga kontinenti më kontinent. Kështu, duke zbatuar këtë metodë ata kanë arritur në përfundimin se shtegtarët prej Azisë arritën në Amerikën e Veriut para jo më tepër se 20 000 vjetësh, ndërkohë që më parë mendohej se këta njerëz mund të kishin mbërritur atje 40 000 vjet më parë.
Kromozomi Y, që trashëgohet nga mashkulli në mashkull nuk është i shpërndarë apo i luhatur po kaq shumë sa DNA-ja mitokondrinale e femrës.
Përgatiti Alvin Ekmekçiu Burimi: Harvard University Gazette Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|