Vendbanimi më i madh i kohës kur njerëzit nisën të ngunjoheshin është ai i Epokës së Gurit në Çatalhöyük të Turqisë. 9 500 vjet më parë aty banonin së bashku dhjetë mijë njerëz. Banesat ishin ngjitur me njëra-tjetrën dhe nuk kishte vend për rrugica në mes tyre.
Rekonstruim i shtëpive
|
Shtëpitë që ishin të ndërtuara prej tulla dheu kishin zakonisht përmasat 6 x 4m dhe në to banonin ngushtë ngushtë shumë njerëz. Brenda tyre kishte një dhomë ku ruheshin ushqimet dhe një depo ku ruhej një lloj xhami që prodhohet nga vullkanet që quhet obsidian. Me këtë material ata bënin thika, heshta, shigjeta biles duke i lëmuar mirë arrinin të bënin edhe pasqyra të cilat mendohet të jenë pasqyrat e para fare që janë bërë ndonjëherë.
Njerëzit zbrisnin me shkallë brenda në shtëpitë e tyre nëpërmjet gropash në çati të cilat luanin edhe rolin e oxhakëve. Shtëpitë ishin të mbytyra në tym. Të vdekurit varroseshin nën dysheme.
Vizatim muri
|
Shtëpitë zbukuroheshin me brinjë demash dhe me vizatime të mrekullueshme nëpër mure.
Familjet banonin në këto shtëpi deri në 100 vjet. Pastaj i mbushnin shtëpitë me dhé dhe ndërtonin shtëpi të reja sipër këtyre. Trarët që mbanin çatinë ia hiqnin shtëpisë së vjetër dhe ia vinin të resë. Këtë punë ata e kanë bërë për 1 000 vjet me rradhë. Si përfundim në fushën e dikurshe është formuar një kodër mbi 20 metra e lartë brenda së cilës ka të paktën dymbëdhjetë shtresa shtëpish dhe varrezash familjare mbi njëra-tjetrën.
Vit për vit banorët suvatonin muret duke mbuluar suvanë e vjetër dhe duke bërë vizatime të reja. Figura që ndeshet më shpesh është e një qenieje të çuditshme me një spirale në bark dhe me krahë apo duar të hapura. Tek tuk haset figura e dy leopardëve duke përplasur kokat. Figura të tjera janë kafshësh të mëdha si derrash të egjër, demash, apo drerësh të cilat janë duke u gjuajtur nga njerëz tepër të vegjël të mbathur me lëkurë leopardi.
Perëndesha Nënë
|
Arkeologët kanë gjetur statuja njerëzish të cilët në pjesën më të madhe nuk dihet çfarë gjinie i përkasin. Më e njohura është statuja e ashtuqujatur Perëndesha Nënë.
Kjo popullatë nuk ka ditur të gatuajë bukë apo të ketë përgatitur pije. Ata janë ushqyer me tranana, mish dhe rrënjë bimësh. Ata ishin njerëz paqësorë dhe nuk ka shenja të tregojnë që janë vrarë njerëz në luftë apo me dhunë. Njerëzit jetonin mesatarisht 30 - 35 vjet dhe ishin rreth një metër e gjysëm të gjatë.
Gërmimet arkeologjike në këtë zonë do të vazhdojnë edhe për 25 vjet të tjera dhe brenda kësaj kohe disa nga teoritë e mësipërme mbi këtë popullatë mund të ndryshojnë. Akoma nuk i është dhënë përgjigje pyetjes përse njerëzit nisën të ngunjoheshin në vendbanime.
Përgatiti Alvin Ekmekçiu Burimi : Dagens Nyheter Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|