Vala e parë - 1448 - Familja Reres e Epirit
Në vitin 1448 Mbretit të Napolit, Alfonsit të Aragonit, iu desh të shtypte një kryengritje të disa baronëve në zonat fshatarake të mbretërisë së tij në Italinë e Jugut.
Ai kishte nevojë për ushtarë të aftë që të mund të mposhtnin kryengritësit dhe kështu i bëri thirrje aleatit të tij Gjergj Kastriotit për ndihmë. Skënderbeu, në përgjigje të thirrjes, dërgoi atje një trupë ushtarake të komanduar nga gjeneral Dhimitër Reres. Kjo trupë thuhet se ka qenë johomogjene, d.m.th e përbërë nga ushtarë të fiseve të ndryshme shqiptare, të cilët sollën me vete gratë dhe familjet.
Këta arbëreshë e shtypën me sukses kryengritjen dhe rivendosën rendin. Mbreti Alfonso e shpërbleu Dhimitër Reres për shërbimet e tij ndaj Napolit duke e caktuar atë Guvernator të Kalabrisë. Ndërsa ushtarëve të tij u dha tokë në zonën malore të provincës së sotme të Catanzaro-s (Katanxaros). Bëhet fjalë për 12 qytetet e mëposhtme: Amato; Andali; Arietta;Caraffa d' Catanzaro; Carfizzi; Gizzeria; Marcedusa; Pallagorio; S. Nicola dell'Alto; Vena; Zagarise; dhe Zangarona.
Mbas dy vjetësh, një trupë tjetër ushtarake shqiptare u dërgua në garnizonin e Siçilisë për të luftuar një kryengritje si dhe çliruar ishullin. Këto trupa u udhëhoqën nga Gjergj dhe Bazil Reres, djemtë e Dhimitrit. Kjo trupë ushtarësh u ngunjua në fushime ushtarake të ndara në provincën e Palermos duke formuar më vonë fshatrat Contessa Entellina; Mezzojuso; dhe Palazzo Adriano.
Vala e dytë: 1462 - Skënderbeu
Në vitin 1458 vdes Mbreti i Napolit, Alfonsi i Aragonës, dhe mbretëria i kalon fëmijës së tij të jashtligjshëm Ferdinandit, gjë që u kundërshtua nga baronët feudalë fshatarakë të mbretërisë të cilët me ndihmë ushtarake nga Franca nisën një kryengritje të re. I mbështetur edhe nga Papa Pius II, Ferdinandi i bën thirrje Skënderbeut të vinte në ndihmë përsëri, poashtu si i ati kishte bërë përpara pothuajse 20 vjetësh.
Në vitin 1461 Skënderbeu zbret në Brindisi së bashku me 5 000 ushtarë shqiptarë nën komandën e tij, dhe thyen rrethimin që ushtria franko-italiane të Giovanni D´Angio-s kishte ushtruar mbi Barletta-n brenda së cilës ndodhej Ferdinandi. Ky e cakton më pas Skënderbeun komandant të ushtrisë së përbashkët napolitano-shqiptare dhe më 18 Gusht 1462 forcat e tij shpartallojnë përfundimisht ushtrinë e baronëve në betejën e Ursara-s, që shënoi edhe fundin e kryengritjes.
Pas fitores Skënderbeu u kthye menjëherë në Arbëri pasi kishte marrë vesh që turqit po bëheshin gati të vërsuleshin atje. Sidoqoftë trupat e tij mbetën në Itali dhe u shpërblyen nga Ferdinandi për shërbimin që i kishin bërë mbretërisë së Napolit me toka në lindje të qytetit të Tarantos në Puglia. Fshatrat që ata themeluan ishin: Carosino, Faggiano, Fragagnano, Monteiasi, Monteneosola, Monteparano, Rocaforzata, S. Crispieri, S. Giorgio Ionico dhe S. Marzano. Vetë Skënderbeut iu dhanë si shpërblim sipërfaqe të mëdha toke në Foggia, pranë S. Giovanni Rotondo, si dhe u titullua si i pari i fshatit të Trojës ku mund të strehohej nëse turqit do të pushtonin Arbërinë.
Përgatiti Alvin Ekmekçiu Burimi: The Italo-Albanian Heritage Pages Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|