Ka vite që studiuesit sjellin sugjerime mbi një sërë masash që duhen marrë për të shmangur të nxehtin e madh të qyteteve të mëdha - që prej përdorimit të shtresave të asfaltit me ngjyrë më të çelur deri në mbjelljen e pemëve më pranë njëra-tjetrës brenda kufijve të qytetit. Por vetëm pak prej këtyre ideve gjejnë zbatim në shkallë të gjërë në praktikë. Një nga idetë që ka filluar të përhapet është kopshti mbi çati.
Kopshte çatie gjenden sot mbi si ndërtesa private ashtu edhe ato shoqërore në këto qytete amerikane: Philadelphia (Filadelfia), Chicago (Çikago), California (Kaliforni).
- Në Europë kopshtet mbi çati janë përdorur për të vënë nën kontroll rrjedhjen e ujit, thotë Charlie Miller i ndërmarrjes amerikane Roofscapes.
Roofscapes përdor një metodë që është zhvilluar nga ndërmarrja gjermane Optigrün. Në fillim rrokulliset mbi sipërfaqen e çatisë një shtresë prej materiali sintetik. Pastaj hidhet deri në 15 centrimetra material izolues, drenimi si dhe dhé apo plehra bujqësore.
- Kopshtet e çative japin mundësinë për të filtruar ndotjet e ajrit, një problem që është gjithnjë e në rritje në qytete, thotë Neil Weinstein, shef i Low Impact Development Center.
Bimësia kthehet në një filter ajri që thith rrezet e diellit për proçesin e fotosintezës. Njëkohësisht
bimësia pakëson edhe nxehtësinë.
Gjatë të nxehtit të madh centralët elektrikë detyrohen të shtojnë prodhimin e rrymës elektrike. Me rënien e temperaturave ulet edhe përdorimi i ventilatorëve dhe kondicionerëve të ajrit. Meqënëse në vendet perëndimore shumë prej centralëve elektrikë punojnë me djegie fosile atëherë një ulje e prodhimit të rrymës elektrike çon në uljen e ndotjeve.