Është një organ solid, ngjyrë kafe të errët dhe gjendra më e madhe e trupit. Ka disa funksione, sekretues-rezervues etj.
Forma e mëlçisë - si prizëm triangular kënddrejtë, pa këndin e djathtë. Ka 5 sipërfaqje: të sipërme, të poshtme, të përparme, të pasme e të djathtë (anësore). Këto ndahen nga njëra-tjetra nga "buzë" të lëmuara (përveç të poshtmes). Gjithashtu mëlçia ka 5 Lobe, ku më i madhi është lobi i djathtë e më i vogli është lobi i majtë. Në mes të sipërfaqes së saj (nga poshtë) është një fisurë (e çarë) ku kalon Arteria Hepatike e Vena Portale, ku kalon gjaku nëpër mëlçi, po ashtu aty ndodhen tubi i djathtë dhe i majtë i mëlçisë që mbajnë bilen që prodhohet në mëlçi. Fshikëza e tëmthit është e ngjitur nën lobin e djathtë, lidhja e tij me mëlçinë është pak si komplekse për ju.
Pozicioni i mëlçisë. Ajo zë pjesën e djathtë/të sipërme të kavitetit të barkut. Nga lart takon diafragmën, rreth 4/5 e mëlçisë shtrihet në linjën e mesme të barkut, nga sipër mushkëria e majtë ja ka "hapur" pak vendin, këtij organi mjaft të rëndësishëm. Qëndron mbi veshkën e djathtë e gjendrën suprarenale, zorrën e trashë, duodenin e stomakun - e të gjitha këto "e mbajnë" - suportojnë mëlçinë ( peshën e saj) . Për ta mbajtur mëlçinë përdoren dhe 5 ligamente ( në formë fije - a litari).
Funksionet e mëlçisë. Mëlçia është nje fabrike gjigande e trupit, nxehtësia e prodhuar nga reaksionet e ndryshme kimike kontribuon në ngrohjen e përgjithshme të trupit. Mëlçia sekreton (prodhon) BILEN (lëngu i tëmthit) që përbëhet, kryesisht, nga kripërat biliare ( glikolati i natriumit e taurokolati), pigmentet biliare (bilirubina e biliverdina), kolesterolin e lecitinën. Përveç prodhimit të lëngut biliar këtu po jap shkurt funksionet e tjera të mëlçisë :
I. Funksion Hemopoetik ( "prodhon gjak"). Në embrion, formon rruazat e kuqe të gjakut, në të rriturit "rezervon" një substancë të domosdoshme për funksionimin e palcës së kockave në prodhimin e rruazave të kuqe.
II. Prodhon Fibrinogjenin e gjakut, ndoshta dhe albuminën e globulinën.
III. Mban rezerva hekuri (Fe) e bakri (Cu), të domosdoshme për prodhimin e Eritrociteve (rruazat e kuqe).
IV. Prodhon Heparine (substancë-që mban gjakun "të holluar") e me ndihmën e vitaminës K-prodhon protrombinën.
V. Qelizat e Kupffer-it ne sinusoidet e gjakut të mëlçisë kanë rëndësi në sistemin retikulo-endotelial, i cili shkatërron rruazat e kuqe të vdekura, e ndoshta manifakturizon Antitrupa.
VI. Funksion Detoksikues, pra neutralizon Helmet e prodhuar në zorrë që absorbohen nga gjaku.
VII. Funksion Rezervues - DEPO. Mban rezervat karbohidrateve (sheqernave) në formë glikogjeni duke mbajtur një proces (me dy kalime): a - shndërron glukozën - në glikogjen. b - kthen glikogjenin në glukozë.
VIII. Formon Vitaminën A nga Karoteni e krijon rezerva të vitaminave të grupit B.
IX. Proceson Amino-acidet e prodhon urenë dhe acidin urik.
X. Ka rol themelor ne rezervat e metabolizmin e yndyrnave.
Steatoza yndyrore / Infiltrimet Yndyrore. ose thjeshtë Mëlçia Yndyrore.
Në ditët tona Steatoza e mëlçisë po haset gjithnjë e më tepër. Këtu vihet re një penetrim, infiltrim i qelizave të mëlçisë nga YNDYRA.
Në pjesën më të madhe të rasteve shohim që Steatoza vjen si pasojë e konsumimit me doza të larta e të vazhdueshme të alkoholit, pra në alkoholistet, por jo gjithmonë.
Haset në të sëmuret me probleme endokrine (hormonale) e në ata obeze, mbipeshë. Mund te vijë nga një dietë e varfër e me mungesë proteinash, e nga konsumimi pa kriter i yndyrnave. Pra shkaktarët lidhen me moshën (dietë e varfër në fëmijëri), vendndodhjen gjeografike, dietën (yndyrna me tepricë - në fëmijë, e në të rriturit) e me gjendjen e metabolizmit të organizmit. Është konstatuar si efekt anësor i barnave, psh.nga përdorimi i kortikosteroideve (steroideve) për një kohë të gjatë. Shihet e shoqëruar me diabetin e me plot sëmundje të tjera. Ku futen çrregullimet e tretjes e thithjes së ushqimit në zorrë, e për pasojë kemi një depozitim të shtuar të yndyrës në qelizat e mëlçisë. Ka lidhje me pankreatitin kronik, insuficiencën (pamjaftueshmerine) kardiake kronike, me kolitin ulceroz etj.
Disa substanca kimike, të cilat helmojnë qelizat e melçisë (pra ulin mundësinë e saj për punë, në mënyrë të ndjeshme) sjellin Steatoze, si psh.helmimi me DDT, me teraklorur karboni ose me Fosfor (fosfor te verdhë).
Rrallë haset në rastet e intoksikacioneve (helmimeve) alkoholike akute. Në shtatëzanësi ka raste të Steatozës, tepër rrallë por kur haset është vdekjeprurëse, në shumicën e rasteve, tek pacientja.
Steatoza, është vënë re në të sëmurët me infeksione masive, të cilët kërkojnë një terapi agresive e voluminoze me antibiotikë, mëlçia duke qenë një nga organet bazë ku shpërbashkohen ilaçet - si pasojë dëmtohet e për rrjedhim kemi Steatoze Yndyrore. Ky tip ndodh tepër rrallë pasi sasi të tilla antibiotiku tanimë monitorizohen me efikasitet, duke ndjekur gradualisht dhe efektin e tyre ne mëlçi.
Mekanizmi i Steatozës. Yndyrnat që depozitohen në mëlçi përbëhen kryesisht nga Trigliceridet, Kolesteroli e Lipidet. Këto depozitime duken si vakuola (xhepa të vegjël) që vendosen në qelizat e mëlçisë, në citoplazmën e tyre. Kur yndyra është tepër e theksuar atëherë preken të gjitha qelizat e mëlçisë dhe dhjami arrin të pushtojë mbi 40%-50% të mëlçisë.
Tiparet e Steatozës. Varen nga koha e infiltrimit deri tek diagnoza e sëmundjes, nga shkalla e infiltrimit e nga sëmundjet shoqëruese të saj. Në përgjithësi zhvillohet pa dhimbje (për një kohë të gjatë) ashtu si shumica e sëmundjeve të mëlçisë. Ka zmadhim të lehtë të organit e ndjeshmëri në prekje. Mjekët janë të predispozuar, të hetojnë për një Steatozë të mëlçisë në këto raste: -Alkoholizëm kronik. -Diabet. -Sëmundje të pamjaftueshmërisë së zemrës (për një kohë të gjatë) -Sëmundje të aparatit tretës. -Shtatëzani. -Obezitet - personat mbi peshë. -Pacientët nën mjekim për një kohë relativisht të gjatë me barna të ndryshme.
Theksojmë këtu se një nga pasojat e Steatozës është RËNIA e kapacitetit mbrojtës të sistemit imun. Pasi sot mendohet se mëlçia ka rol në sistemin imunitar (prodhon antitrupat) e për rrjedhojë trupi është "i hapur" ndaj infeksioneve të ndryshme.
MJEKIMI. Duhet kontaktuar një dietolog, i cili sqaron pacientin për llojin, mënyrën e sasinë e ushqimeve që duhet të marrë. Duhet bërë rënie në peshë pasi kjo e lehtëson gjendjen e të sëmurit. Duhet ndaluar alkoholi - kategorikisht, qoftë dhe te ata që e pijnë me raste, të paktën sa të vihet sëmundja në ecuri të kënaqshme, pra drejt shërimit. Duhet, së fundi, të mbahet kontakt i ngushtë me mjekun Hepatolog ( doktori i mëlçisë) i cili mund të japë mjekim apo jo për të sëmurin, në varësi të stadit të Steatozës. E i cili ndjek mënyrën e menaxhimit të saj. Kuptojmë këtu me ekzaminimet, analizat e testet që ka në dispozicion, perfshirë dhe biopsinë e mëlçisë.
Përgatiti për Rruzullin Dr. Lec Shiroka Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|