Gjoja ishin indianët ata që para 8000 vjetësh shkelën të parët botën e paprekur nga njerëzit. Por një brez i ri dijetarësh që duan të rishkruajnë historinë e zbulimit të Amerikës thotë se në të vërtetë ka qenë krejt ndryshe. Zbulime të reja në Amerikën Jugore dhe Veriore të bëjnë të rishqyrtosh teorinë që deri më sot ka qenë e padyshimtë.
Kështu është vënë përsëri në pikëpyetje se kush ishin njerëzit e parë në Amerikë.
Odisea e njerëzimit fillon para 6 miljonë vjetësh në Afrikë. Këtu gjejnë vend fazat e ndryshme të zhvillimit të njerëzve. Të parët tanë lëshojnë pyjet tropikale dhe mësojnë të ecin me trupin drejtë. Përgjatë zhvillimit të tij njeriu mësoi të përgatisë vegla pune duke u bërë i pavarur nga kushtet e natyrës. Ai e mposht frikën e lashtë ndaj zjarrit. Para dy miljonë vjetësh Homo erectus lë kontinentin e tij të lindjes duke i zgjeruar gjithnjë e më tepër kufijtë e hapësirës në të cilën ai ishte përhapur. Por këta njerëz të hershëm nuk ia dalin mbanë të shkelin Australinë dhe Amerikën. Kudo fillojnë të shfaqen forma të reja njerëzish nga Homo erectus. Në Afrikë krijohet Homo sapiens. Edhe ai e lë Afrikën para rreth 100 000 vjetësh. Ai popullon Australinë dhe më në fund shkel edhe kontinentin amerikan. Shih edhe: Teoria ShumërajonaleTeoria "Prej-nga-Afrika"
Pjesë të mëdha të Amerikës së Veriut ishin të mbuluara nga një shtresë një kilometër të trashë akulli përgjatë periudhës së fundit akullnajore. Kur akulli nisi të tërhiqej, u hap dalëngadalë një korridor toke të thatë nga Azia përmes rrugës së Beringut për në Amerikën e Veriut. Për një kohë të gjatë ky korridor ishte i mbushur me pellgje të stërmëdhenj uji të shkrirë. Stuhi të akullta fishkëllinin përgjatë tij duke krijuar kështu një mjedis armiqësor. Vetëm para 8 000 vjetësh ky korridor u bë i kalueshëm.
Këngët dhe kërcimet e indianëve Pueblo në New Mexico përcillen nga brezi në brez. Në këto rrëfime ndoshta është ruajtur koha e kolonizimit të parë. Ato kallxojnë mbi një shtegëtim tepër të largët dhe mbi një vërshim uji të dërguar si dënim. Sipas gojëdhënës mbetën gjallë vetëm disa njerëz të përzgjedhur. Kur masat e ujit u tërhoqën, njerëzit filluan të kolonizonin vendin.
Gjuetarë të aftë dhe të egër si ç´ishin, kaluan urën tokësore dhe korridorin e çliruar nga bora. Një botë e pazakontë dhe e pasur i priste: tufa mamutësh, megadheresh dhe bufalësh. Mendohej se përbrenda pak qindvjeçarëve këta gjuetarë mbërritën deri majën e gishtit të këmbës së Amerikës së Jugut. Këta njerëz u quajtën Clovis, sipas vendit ku u gjetën për herë të parë maja shtizash të tyre, në Clovis, New Mexico.
Një brez i ri dijetarësh po tundin themelet e teorisë së kolonizimit të Amerikës. James Adovasio i Institutit të Arkeologjisë Mercyhurst (Mërsihërst) në Eroi të Pennsylvania-s, ka bërë gërmime në rrethinat e Meadowcroft (Midaukroft) ku ka hasur në një vendbanim 5 000 vjet më të vjetër se qytetërimi Clovis. Kjo do të thotë se njerëzit Clovis nuk ishin të parët në Amerikën e Veriut dhe se që para 16 000 vjetësh paskan jetuar njerëz në Amerikë. Gjithashtu duhet të jetë i gabuar përfytyrimi i një kolonizimi relativisht të vonshëm të Amerikës. Pjesa më e madhe e shkencëtarëve janë të mendimit se njerëzit e parë e kolonizuan Amerikën përgjatë Bregdetit Perëndimor të saj. Pranë ujit kishin mundësi të gjenin gjithçka që u duhej për të jetuar. Prej këtej ato u futën për në brendësi të kontinentit.
Mjekët jurisprudentë duke krahasuar kafkat e eshtrave të amerikanëve më të vjetër që janë gjetur arritën në përfundimin se ka patur dy grupe të ndryshme njerëzish të cilët dallohen shumë nga njëri-tjetri në përpjestimet e kafkës dhe të fytyrës. Një nga grupet eshtrat e të cilëve janë gjetur në Brazil, nuk ka asgjë të përbashkët me mongoloidin, njeriun tipik aziatikoverior. Përkundrazi ata kanë më tepër afërsi me format e njerëzve në Afrikë dhe Australi. Përmasat e kafkës u ngjajnë atyre të Aboriginëve australianë si dhe disa popullatave afrikane. Por kjo nuk do të thotë se australianët erdhën në Amerikë, por që që të dy kishin të parë të përbashkët. Të dy rrodhën nga një popull që në fillim erdhi në Azi e prej andej shkoi në Australi dhe në fund edhe në Amerikën e Jugut. Por për një kapërcim të mundshëm të Oqeanit Paqësor nga Australia duket se nuk mund të flitet.
Nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet midis këtyre dy grupeve të ndryshme të njerëzve në Amerikë. Por ka dalur se kultura e grupit të parë të kolonizuesve u zhduk nga faqja e dheut para 8 000 vjetësh. Në vend të saj hyri një kulturë e re e cila nuk ka asgjë të përbashkët me të mëparshmen. Kjo tregon mbi dy valë të ndryshme shtegëtimesh njerëzish për në Amerikë.
Tre shtigjet për në Botën e Re. Me blu është treguar shtegu më i hershëm përgjatë bregdetit. Ai me të bardhë është e rrugës së Beringut ndërsa me vija të ndërprera është treguar shtegu përmes Atlantikut të Veriut |
Sot për sot shqyrtohen tre shtigje të mundshme të kolonizimit të Amerikës. Amerikanët e parë vijnë si banorë bregdeti me varka nga Azia e Veriut dhe depërtojnë përgjatë Bregdetit Perëndimor për në Jug. Pas tyre vijnë gjuetarët e egër të kohës së akullnajave, grupi Clovis, përgjatë rrugës tokësore të Beringut për në Alaskë duke depërtuar përgjatë një korridori të çliruar nga akulli për në brendësi të vendit. Këta janë stërgjyshërit e indianëve të sotëm. Ndërsa sipas një teorie krejt spekulative, ishin europianët ata që përmes një udhëtimi aventuresk përmes Atlantikut të Veriut shkelën të parët në Amerikë.
Ndërkohë po vihet në pikëpyetje edhe prejardhja e njerëzve Clovis. Duket sikur të kenë qenë atje që më përpara se të çlirohej korridori prej akullit. Papritmas shfaqen disa maja shtizash tipike për këtë kulturë në Amerikën e Veriut. As në Azinë e Lindjes apo në Siberi dhe Alaskë nuk ishte parë një teknologji e tillë. Tepër befasuese është ajo që kjo teknologji është pothuajse e njëjtë me atë të Europës Jugperëndimore. Kjo teknologji quhet Solutreen. Kështu lindi një teori e re sipas të cilës njerëzit Clovis nuk erdhën nga perëndimi por nga lindja.
Përgatiti Alvin Ekmekçiu Burimi: gjermanja ZDF Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|