Qytetėrime: Ēka mėsojnė fėmijėt nė Arabinė Saudite? Nga Njė burim - E mėrkurė , 24 maj 2006
|
Tanimë një kohë të gjatë shkollat publike në Arabinë Saudite janë të përmendura për demonizimin e Perëndimit, si dhe të të krishterëve, hebrenjve dhe të gjithë "mosbesimtarëve." Por pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 – në të cilat 15 nga 19 kidnapuesit ishin sauditë – mendohej se kjo do të ndryshonte.
Tekstet mësimore saudite. (Pas heqjes së intolerancës)
Nga Nina Shea E Diel, 21 maj, 2006
Tanimë një kohë të gjatë shkollat publike në Arabinë Saudite janë të përmendura për demonizimin e Perëndimit, si dhe të të krishterëve, hebrenjve dhe të gjithë “mosbesimtarëve.” Por pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 – në të cilat 15 nga 19 kidnapuesit ishin sauditë – mendohej se kjo do të ndryshonte. Më 2004 një grup studiuesish nga oborri mbretëror saudit erdhën në përfundim se reformat janë të nevojshme pasi kurrikulumet e studimeve fetare në Arabinë Saudite “e inkurajojnë dhunën kundër të tjerëve, dhe i nxisin gabimisht nxënësit të mendojnë se për të mbrojtur fenë e tyre ata duhet t’i shtypin dhe madje t’i eliminojnë fizikisht ‘të tjerët’.” Që atëherë qeveria saudite vazhdimisht ka deklaruar se i ka ripunuar tekstet shkollore. Princi Turki Al-Faisal, ambasador i Arabisë Saudite në Amerikë, ka punuar në mënyrë agresive për të shpërndarë këtë porosi. “Mbretëria i ka rishikuar të gjitha praktikat dhe materialet arsimore, dhe ka larguar çdo element që s’është në përputhje me nevojën për arsimim modern,” – kishte thënë në një turne të tijin të vonshëm nëpër disa qytete amerikane. “Jo vetëm që kemi mënjanuar atë që mund të shihej si intolerancë nga tekstet e vjetra shkollore që ishin pjesë e sistemit tonë, por kemi zbatuar një plan të brendshëm gjithëpërfshirës për revizion dhe modernizim.” Qeveria saudite madje kishte bërë një reklamë njëfaqëshe në New Republic dhjetorin e kaluar duke u mburrur me suksesin e saj për “modernizimin e planeve tona mësimore për t’i përgatitur më mirë fëmijët tanë për sfidat e së nesërmes.” Para një viti një zëdhënës ambasade deklaroi: “Ne i kemi recensuar kurrikulumet tona mësimore. I kemi hequr materialet që nxisin urrejtje dhe jotolerancë ndaj njerëzve të feve të tjera.” Ambasada është duke shpërndarë edhe një dokument 74-faqësh mbi reformën e kurrikulumit për të treguar se tekstet shkollore janë moderuar. Problemi është se: Këto pohime nuk janë të vërteta. Një analizë e disa teksteve zyrtare saudite për studime islame që janë përdorur gjatë këtij viti akademik zbulon që, me gjithë deklaratat e kundërta të qeverisë saudite, ideologjia e urrejtjes ndaj të krishterëve dhe hebrenjve dhe myslimanëve që nuk e ndjekin doktrinën vehabiste ende mbetet pjesë e sistemit të shkollave publike. Tekstet mësojnë një vizion dualist, duke e ndarë botën në besimtarë të vërtetë të Islamit (“monoteistët”) dhe në jobesimtarë (“politeistët” dhe “të pafetë”). Ky indoktrinim fillon në tekstin e klasës së parë dhe mëpastaj riafirmohet dhe zgjerohet në çdo vit, duke kulminuar në tekstin e klasës së 12-të, që i udhëzon studentët se detyrimi i tyre fetar përfshin xhihadin kundër të pafeve me qëllim të “përhapjes së fesë.”
Freedom House i ka kuptuar këto sepse Ali Al-Ahmedi, disident saudit që është në krye të Institute for Gulf Affairs, na i ka dorëzuar një duzinë tekstesh shkollore fetare që gjoja janë pastruar nga Ministria e Arsimit e Arabisë Saudite. Kopjet e tij nuk i ka siguruar nga qeveria, por nga mësuesit, administruesit dhe familjet fëmijët e të cilëve janë nxënës të shkollave saudite, që i kanë nxjerrë ato një nga një. Disa nga burimet tona janë shiitë dhe sunitë nga traditat jovehabiste – njerëz që etiketohen në këto tekste si “politeistë” ose “të lajthitur” ose “të këqij” – të tjerët janë vetëm të mllefosur që këta libra bëjnë fare pak për t’i përgatitur nxënësit e rinj për botën moderne. Më pas ne i angazhuam dy folës arabë të pavarur për t’i përkthyer ato secili veç e veç. Feja është themeli i ideologjisë politike të shtetit saudit; ajo është gjithashtu lëmë kyç në arsimin saudit ku studentëve u mësohet interpretimi i Islamit i njohur si Vehabizëm (lëvizje e themeluar 250 vjet më parë nga Muhamed ibn Abd Al-Vehhabi) dhe që pasqyrohet në këto tekste shkollore. Dijetarët vlerësojnë se brenda kurrikulumit të shkollave publike saudite studimet islame përbëjnë çerekun ose një të tretën e orëve mësimore në një javë, në arsimin e ulët dhe të mesëm, dhe disa orë çdo javë në shollën e lartë. Mësimdhënësit që vënë në dyshim ose s’pajtohen me interpretimin zyrtar të Islamit mund të pësojnë ndëshkime të ashpra. Në nëntor 2005 një mësues saudit që kishte bërë komente pozitive për hebrenjtë dhe Dhiatën e Re ishte larguar nga puna dhe ishte dënuar me 750 fshikuj dhe burgim. (Ai ishte amnistuar pas protestave publike dhe ndërkombëtare.) Sistemi i shkollave publike në Arabi Saudite përfshin 25000 shkolla, me rreth 5 milionë nxënës. Veç kësaj, Arabia Saudite ka akademi të veta në 19 kryeqytete të botës, përshirë edhe një jashtë Uashingtonit, në Fairfaks Kaunti, që i përdorin disa prej këtyre teksteve. Arabia Saudite gjithashtu u shpërndan tekstet e veta fetare gjithandej botës shkollave islamike dhe medreseve që nuk i kontrollon në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pa u brengosur me statusin historik periferik dhe sektar të Vehabizmit, Arabia Saudite po përpiqet të afirmojë veten si zëri autoritativ në botë i Islamit – si një “Vatikan” për Islamin, siç kanë deklaruar disa zyrtarë sauditë – dhe këto tekste janë pjesë integrale e këtyre përpjekjeve. Si vë re edhe raporti i komisionit për sulmet e 11 shtatorit: “Madje edhe në vendet e begata, shkollat vehabiste të financuara nga Saudia janë shpeshherë të vetmet shkolla islamike.”
Arsimi është në qendër të debatit për lirinë në botën myslimane. Prijësi i Al-Kaidës Usama bin Laden, e kupton këtë fare mirë; së voni në një audioincizim ai mallkonte të gjithë ata që do t’i “ndryshonin kurrikulumet shkollore”
Pasazhet në vijim -- të nxjerra nga po ata libra që citohen në dokumentin 74-faqësh për reformimin e kurrikulumit që tani po shpërndahet nga Ambasada Saudite – janë duke i trajtësuar pikëpamjet e brezit të ri të sauditëve dhe myslimanëve në tërë botën. Nëse mbesin të pandryshuara, ato vetëm do të forcojnë dhe të thellojnë urrejtjen, intolerancën dhe dhunën ndaj feve dhe kulturave të tjera. A këtë e quan Riadi reformë?
KLASA E PARË
“Çdo fe përveç Islamit është e rreme.”
“Mbushni vendet bosh me fjalët e sakta (Islam, ferr): Çdo fe përveç ________ është e rreme. Kush vdes jashtë Islamit do të hyjë në ______.”
KLASA E PESTË
“Kush i bindet Profetit dhe pranon njëjësinë e Zotit nuk mund të mbajë shoqëri besnike me ata që e kundërshtojnë Zotin dhe Profetin e Tij, edhe nëse ata janë kushërinj të vet më të ngushtë.”
“Është e ndaluar për myslimanin të jetë shok besnik i dikujt që nuk beson në Zotin dhe Profetin e Tij, ose i atyre që e luftojnë fenë e Islamit.”
“Myslimani, edhe nëse jeton larg, është vëlla yti në fe. Nëse dikush kundërshton Zotin, edhe nëse është vëllai yt në familje, ai është armiku yt në fe.”
KLASA E GJASHTË
“Ashtu si kanë qenë të suksesshëm në të kaluarën kur janë bashkuar në përpjekjet e tyre të sinqerta për t’i përzënë kryqtarët e krishterë nga Palestina, arabët dhe myslimanët sërish do të dalin fitimtarë, dhëntë Zoti, kundër hebrenjve dhe aleatëve të tyre nëse qëndrojnë të bashkuar dhe luftojnë një xhihad të vërtetë për hir të Zotit, sepse është në fuqi të Zotit ta bëjë këtë.”
KLASA E TETË
“Siç është cituar nga Ibn Abbasi: Majmunët janë hebrenjtë, njerëzit e Sabbatit; ndërsa derrat janë të krishterët, të pafetë e bashkësisë së Jezuit.”
“Zoti i ka thënë Profetit të Tij, Muhamedit, për hebrenjtë, se nga disa pjesë të librave të Zotit [Torës dhe Ungjijve] ata kanë mësuar se vetëm Zoti vlen të adhurohet. Përkundër kësaj, ata shfaqin besime të rreme nëpërmjet idhujtarisë, fallthënies dhe magjisë. Duke vepruar në këtë mënyrë ata i nënshtrohen djallit. Nga mëria dhe armiqësia ata i duan njerëzit e gënjeshtrave në vend të njerëzve të së vërtetës. Prandaj ata janë të mallkuar dhe Zoti na paralajmëron që të mos bëjmë si ata.”
“Ata janë hebrenjtë, të cilët Zoti i ka mallkuar dhe me të cilët Ai është aq i hidhëruar saqë Ai kurrë më nuk do të jetë i kënaqur [me ta].”
“Disa nga njerëzit e Sabbatit Zoti i dënoi duke i shndërruar në majmunë dhe derra. Disa prej tyre u bënë adhurues të djallit, dhe jo të Zotit, nëpërmjet flijimeve, lutjeve, kërkimit të ndihmës dhe formave të tjera të adhurimit të djallit. Disa hebrenj e adhurojnë djallin. Edhe disa pjesëtarë të këtij kombi e adhurojnë djallin, dhe jo Zotin.”
“Aktivitet: Studenti duhet të shkruajë një ese për rrezikun nga imitimi i të pafeve.”
KLASA E NËNTË
“Konflikti ndërmjet kësaj umma-je (bashkësisë myslimanë) dhe hebrenjve dhe të krishterëve i ka bërë ballë kohës, dhe do të vazhdojë aq sa të dojë Zoti.”
“Është pjesë e urtësisë së Zotit që lufta ndërmjet myslimanëve dhe hebrenjve do të vazhdojë deri në ditën e gjykimit.”
“Myslimanët do të triumfojnë ngase janë me të drejtën. Ai që është me të drejtën gjithmonë do të fitojë, edhe nëse shumica e njerëzve janë kundër tij.”
KLASA E DHJETË
Teksti i klasës së dhjetë për jurisprudencë mëson se jeta për jomyslimanët (si dhe për gratë, dhe rrjedhimisht, edhe për skllevërit) vlen vetëm sa një pjesëz e jetës së një “burri të lirë mysliman.” Paratë e gjakut janë shpagim që i bëhet viktimës ose familjes së viktimës për vrasje ose lëndim: “Taksa e gjakut për një të pafe të lirë. [Sasia e saj] është gjysma e parave të gjakut për një burrë mysliman, qoftë ai nga “ithtarët e librit”, qoftë nga të tjerët (jo nga “të librit”, d.m.th. paganë, zoroastrianë etj). “Paratë e gjakut për një grua: Gjysma e parave të gjakut për një burrë, në përputhje me fenë e tij. Taksa e gjakut për një grua myslimane është gjysma e parave për një burrë mysliman, dhe taksa e gjakut për një grua jomyslimane (kafir) është sa gjysma e parave për një burrë jomysliman.”
KLASA E NJËMBËDHJETË
“Përshëndetja “Selamu alejkum [Paqja qoftë mbi ty]” është vetëm për besimtarët. Ajo nuk mund t’u thuhet të tjerëve.”
“Nëse shkoni në një vend ku ka myslimanë dhe të pafe, duhet të ofroni përshëndetjen për myslimanët.”
“Mos iu bind atyre [të krishterëve dhe hebrenjve] në rrugë të ngushtë në shenjë nderimi dhe respekti.”
KLASA E DYMBËDHJETË
“Xhihadi në rrugën e Zotit – që përbëhet nga lufta lundër pabesimit, shtypjes, padrejtësisë dhe bërësve të tyre – është kulminacion i Islamit. Kjo fe është ngritur nëpërmjet xhihadit dhe nëpërmjet xhihadit është ngritur lart flamuri i saj. Ai është një nga veprat më fisnike, që të afrojnë te Zoti, dhe prej akteve më madhështore të bindjes ndaj Zotit.”
Nina Shea është drejtoreshë e Qendrës për Liri fetare në Freedom House.
|
|
| |
Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 3.91 Votues: 12
| |
|