Shoqėri: Kush kėrcėnohet nga Irani? Nga Njė burim - E hėnė , 27 shkurt 2006
|
Ekzistojnë shumë fakte që pohojnë se lufta ndaj Iranit është kurdisur këtu dhe shumë kohë më parë. Njëkohësisht që përgjigja amerikane për rrëmbimin e diplomatëve amerikanë gjatë Revolucionit Islamik-Shiit -mbase një nga revolucionet me popullaritetin më të madh të shek. 20- në 1978/79, nuk ka ardhur ende.
Studiues seriozë pretendojnë se luftërat në Ballkan dhe lufta me Afganistanin apo me Irakun nuk ishte gjë tjetër veçse përgatitje për përleshjen kryesore, atë me Iranin.
Më poshtë piketohen disa elemente në të cilët këta studiues dedikojnë strategjinë e ShBA-së apo të NATO-s mbi zonën që përfshin “trekëndëshin e pasigurisë globale”, Ballkan-Kaukaz- Lindje e Mesme:
1) Tkurrja e influencës ruse në zonë. Hapi i parë i kësaj strategjie sipas analistëve ishte spostimi i frontit antisovjetik/antirus, nga Europa Lindore në Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Po në këtë spostim fronti dedikohet edhe shpërbërja e Jugosllavisë, regjimit të fundit filorus në Ballkan (këtu e ndjej për detyrë të citoj se kjo recetë e thjeshtëzon së tepërmi problemin jugosllav).
2) Gjetja e një armiku të ri i cili do iu lejojë liri në veprime. Ky armik duket se po merr emrin ‘Islam’. Po të kemi parasysh se Islami është fenomen i pranishëm i rreth 1400 vjetëve të Historisë Botërore/Mesdhetare, gjatë të cilëve luftërat ndërkristiane apo ndërmuslimane ishin më të shumëfishta në numër sesa luftërat ndërfetare atëherë do mundeshim të thonim se kjo lufta ndërfetare apo ndërkulturore që na fishkëllehet, deri diku duket si e sajuar!
3) Shpërbërja e shteteve që tradicionalisht përbënin vegla të espansionit rus (Jugosllavia, Iraku dhe tani Irani me Sirinë).
4) Përdorimi dhe kontrolli i gazit natyror dhe naftës. Kjo pikë sipas këtyre analistëve shpjegon edhe politikën amerikane në Ballkan, zona që pritet të jet kanali transferues i këtyre pasurive kundrejt Europës.
5) Mbrojtja e shteteve aleate të ShBA-së (Izrael, Turqi).
6) Reklamimi apo imponimi i protipeve perëndimore, që në vetvete fshehin nevoja të kapitalit dhe të globalizmit neoliberal!
7) Përkufizimi i antiamerikanizmit.
8) Pengimi i fuqizimit të shteteve jo të pëlqyera nga ShBA.
9) Bindja gjeopolitike se kush kontrollon Europën Lindore dhe Lindjen e Mesme mbikëqyr Eurazinë, dhe kush mbikëqyr Eurazinë mbikëqyr Botën! Kjo bindje e gjen ushqimin e vet në disa botëkuptime tradicionale të shkencave strategjike, dhe kryesisht në analizën e Anglezit Mackinder në fillimin e shekullit të 20.
Personalisht e ndjej të nevojshme të shpjegoj se këta studiues e kanë thjeshtëzuar së tepërmi strategjinë amerikane në zonë, në një kohë që politika dhe diplomacia nuk mund të shpjegohen kurrë me ekuacione. Aq më tepër kur flitet për politikën e jashtme amerikane, ku skemat e Max Weber apo Graham Allison duket se bëhen më të vlefshme se dogma tradicionale e “faktorit të arsyetueshëm” -që e vendos shtetin në rolin e një organizmi fizik me personalitet tërësor automatik. Janë këto skema që e shpjegojnë politikën e jashtme më tepër si rezultat të proceseve brendashtetërore ku burokracitë apo organet e ndryshme gjenden në një konkurrencë të vazhdueshme. Pikërisht rezultati i kësaj konkurrence, sipas z. G. Allison, shpjegon edhe sjelljen e jashtme të një shteti.
Megjithatë, përtej këtyre mangësive politiko-shkencore që ngjyrosin kërkimet e këtyre studiuesve ajo që ka më tepër rëndësi është se pikat që u sipërpërmendën lakojnë me njërën apo tjetrën mënyrë Iranin. Pra nëse vërtet janë këta elementët që përkufizojnë strategjinë amerikane në zonë atëherë Irani i plotëson të gjitha kushtet për tu gjendur në të njëjtën fushëbetejë me ShBA-në, në krahun e kundërt sigurisht!
Nga ana tjetër, çështja kompleksohet kur bëhet fjalë për rrezik bërthamor. Dhe pyetja kryesore është nëse Irani e posedon atë aftësi që do i lejonte të kryej një sulm bërthamor apo jo.
Nëse Irani nuk e posedon këtë aftësi por mundohet që ta zotërojë në të ardhmen atëherë lufta pothuajse bëhet e pashmangshme si nga aspekti i shtetit që vepron mekanikisht, teoria e “faktorit të arsyetueshëm”, si nga aspekti i shtetit që vepron në sajë të konkurrencës së pranishme midis burokracive apo grupeve të interesave. Në aspektin e parë lufta është zgjidhje për vet shkakun se shteti amerikan e arsyeton si të domosdoshme përballë një Irani kërcënues. Kurse në aspektin e dytë bëhet zgjidhje nëse mendojmë se grupet e interesave që konkurrojnë në këtë moment në ShBA janë grupe që ndjekin një politikë të caktuar në zonën e Lindjes së Mesme (për më tepër lexoni artikullin e L’Espresso të datës 28/12/2005 mbi skandalin e lobeve në ShBA). Dhe kjo politikë veçse ndesh mund të bjeri më Teheranin, aq më keq kur Teherani bëhet kërcënues/sfidues.
Pasiguria më e madhe është se cilat do jen vendimet apo lëvizjet e Uashingtonit nëse vërtetohet që Irani gëzon aftësitë e një goditjeje bërthamore. Megjithëse mundësia që Irani të gëzojë fuqi të atillë që mund të kërcënojë vet territorin amerikan përjashtohet, një sulm ndaj Iranit do shikohej si jo-efikasës. Dhe kjo sepse do kërcënoheshin aleatët e ShBA-së në zonë por edhe sepse në një zonë ku goditja bërthamore lë shenja nuk ka vend për njerëzit e jo më për interesat amerikane! Pra nëse e konceptojmë ShBA-në si një shtet me personalitet tërësor-automatik që përballon vetvetiu nën ligjin vepër-kundravepër çdo rrezik, sipas teorisë tradicionale, atëherë lufta me Iranin bërthamor është e pamundur. Por nëse politika e jashtme amerikane konceptohet si rezultat i konkurrencës të organeve/grupeve brendashtetërore amerikane, sipas teorisë së z. Allison, atëherë çdo rezultat mbetet i mundshëm!
Dhe nëse lufta bërthamore bëhet fakt –megjithëse e shikoj si të pamundur- atëherë ai që kërcënohet nuk është ShBA por Lindja e Mesme dhe Ballkani. Sepse, siç e citova më sipër, Irani nuk do mundej të ketë fuqi të atillë që të kërcënojë territorin e ShBA-së. Këtë do mundej ta bënte vetëm me zotërimin e predhave bërthamore ndërkontinentale, të cilat kërkojnë një teknologji tepër të lartë ushtarake- privilegj ky i një numri shumë të vogël shtetesh. Pra përballë një superfuqie amerikane nëse Irani bërthamor vendoste pro përdorimit të këtyre armëve atëherë shënjestër do mundeshin të bëhen aleatët e ShBA-së në zonë (si p.sh. Izraeli dhe Turqia) dhe vendet e afërta me Iranin ku strehohen bazat ushtarake aleate. Gjithashtu një goditje ndaj Izraelit do mundej t’i jepte edhe ngjyra ideologjike – „antisioniste“- përpjekjes iraniane.
Sidoqoftë konkluzioni kryesor që mbetet është se shtetet europiane do bënin mirë ta shqyrtonin më tepër fërkimin irano-perëndimor. Përderisa rreziku i radioaktivitetit, nën hipotezën e një goditjeje bërthamore, kërcënon oborrin e Europës -Lindjen e Mesme dhe Ballkanin- më shumë se çdo zonë tjetër të planetit! Pra kur bëhet fjalë për rreziqe të kësaj grade nuk do mundej Europa të rrijë duarkryq përballë zgjidhjeve amerikane. Sepse ajo që ka më tepër rëndësi për te gjithë –më tepër se dhe “demokratizimi” i Iranit- është mosekspozimi i qenieve njerëzore përballë rrezikut nuklear! Dhe nëse Irani posedon predha bërthamore atëherë rreziku nuklear nuk shuhet me luftë –me luftë rritet me tepër ky rrezik- por me afrimitet diplomatik!
Erjus Mezini
|
|
| |
Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 3.93 Votues: 15
| |
|