Qytetėrime: Koncepti strategjik i NATO-s Nga Njė burim - E mėrkurė , 22 shkurt 2006
|
Në takimin e Samitit të Uashingtonit në prill të vitit 1999, Aleatët e NATO-s aprovuan një strategji për të pajisur Aleancën për sfidat e sigurisë dhe mundësitë e shekullit 21 si dhe për të udhëhequr zhvilimin e saj të ardhshëm politik e ushtarak.
Koncepti Strategjik i kohës sjell udhëzim të gjithmbarshëm për zhvillimin e politikave të detajuara dhe të planeve ushtarake. Ai përshkruan Qëllimin dhe Detyrat e Aleancës dhe ekzaminon Perspektivat e tij Strategjike në dritën e mjedisit strategjik që po evoluon dhe të sfidave të sigurisë dhe të rreziqeve. Koncepti parashtron Qasjen e Aleancës ndaj Sigurisë në Shekullin 21, duke rikonfirmuar rëndësinë e lidhjes transatlantike dhe të mirëmbajtjes së aftësive ushtarake të Aleancës. Ai ekzaminon rolin e elementeve të tjera kyçe në qasjen e gjerë të Aleancës ndaj stabilitetit dhe sigurisë, gjegjësisht Sigurinë Evropiane dhe Identitetin e Mbrojtjes; parandalimin e konfliktit dhe menaxhimin e krizës, partneritetin, bashkëpunimin dhe dialogun; zgjerimin; dhe kontrollimin e armëve, çarmatimin dhe mospërhapjen. Koncepti gjithashtu jep Udhëzime për Forcat e Aleancës të bazuara mbi parimet e strategjisë së Aleancës dhe mbi karakteristikat e pozitës së forcave të Aleancës. Këtu përfshihen pjesët që adresojnë misionet e forcave ushtarake të Aleancës dhe udhëzimet për pozitën e forcave të Aleancës, si dhe karakteristikat e forcave konvencionale dhe bërthamore.
Koncepti Strategjik është publikuar së pari më 1991. Versioni i vitit 1999, si dhe paraardhësi i tij, është deklarim autoritar i objektivave të Aleancës dhe sjell udhëzimin e nivelit më të lartë rreth mjeteve politike dhe ushtarake që duhet të përdoren për t’u arritur ato.
Formulimi fillestar i strategjisë së NATO-s njihej si “Koncepti Strategjik për Mbrojtjen e Rajonit të Atlantikut të Veriut”. I zhvilluar midis tetorit të vitit 1949 dhe prillit të vitit 1950, ai parashtronte një strategji të operacioneve në shkallë të gjerë për mbrojtje territoriale. Nga mesi i viteve 1950 u zhvillua strategjia e “kundërgoditjes masive shpaguese”. Ajo theksonte sprapsjen të bazuar mbi kërcënimin se NATO do të përgjigjej në çdo agresion kundër vendeve anëtare me të gjitha mjetet që disponon, duke përfshirë në mënyrë të veçantë armët bërthamore.
Diskutimet për ndryshime të mundshme në këtë qasje strategjike filluan më vonë në vitet 1950 dhe vazhduan deri më 1967 kur, pas debatit intensiv brenda Aleancës, “kundërgoditja masive e shpaguese” u zëvendësua me strategjinë e ”përgjigjes fleksible”. Kjo përqendrohet në dhënien NATO-s të përparësive të fleksibilitetit dhe në krijimin e pasigurisë në mendjen e çdo agresori potencial rreth përgjigjes së NATO-s në rast kërcënimi të sovranitetit apo pavarësisë të cilitdo vend anëtar. Koncepti ishte planifikuar për t’u siguruar se agresioni i çfarëdo lloji do të merrej se involvonte rreziqe të papranueshme. Strategjitë e sipërme mbaheshin në dokumente sekrete, që u ofronin qeverive kombëtare udhëzim dhe pika reference për aktivitetet e planifikimit ushtarak. Ato nuk i adresoheshin publikut të gjerë. Edhe pse konceptet në themel njiheshin mirë, shumë pak diskutim publik rreth detajeve të tyre ishte i mundshëm sepse efektiviteti i tyre varej kryesisht nga fshehtësia.
Ato reflektonin realitetet e Luftës së Ftohtë, ndarjen politike të Evropës dhe situatën konfrontuese ideologjike dhe ushtarake që karakterizonte marrëdhëniet Lindje-Perëndim për shumë vite.
Derisa po vazhdonte Lufta e Ftohtë, ndërkaq, Aleanca gjithashtu kërkonte të zvogëlonte rreziqet dhe të shtronte bazën për progres drejt marrëdhënieve më pozitive me Bashkimin Sovjetik dhe me vende të tjera anëtare të Paktit të Varshavës. Raporti Harmel, i publikuar më 1967, themeloi kështu një dialog rreth mbrojtjes, duke përfshirë kontrollin e armëve, si dy shtylla të qasjes së Aleancës ndaj sigurisë.
Me përfundimin e periudhës së Luftës së Ftohtë, situata politike në Evropë dhe situata e gjithmbarshme ushtarake u transformuan. Një Koncept Strategjik i ri evoluoi gjatë dy viteve pas rënies së Murit të Berlinit. Ky është debatuar dhe diskutuar brenda Aleancës dhe është kompletuar në nëntor të vitit 1991.
Duke qenë shumë pak në relacion me konceptet e përparshme, ky theksonte bashkëpunimin me ish kundërshtarët në vend të konfrontimit. Ai ruante sigurinë e kombeve anëtare si qëllim fundamental të NATO-s por e kombinonte këtë me obligimin specifik për të punuar drejt sigurisë së përmirësuar dhe të zgjeruar për Evropën si tërësi. Në pikëpamje të tjera, po ashtu, Koncepti Strategjik i vitit 1991 ndryshonte në mënyrë dramatike nga të mëparshmit. Ai u lëshua si dokument publik, i hapur për diskutim dhe komentim nga parlamentet, specialistët e sigurisë, gazetarët dhe publiku më i gjerë. Më 1997, liderët e NATO-s u pajtuan se Koncepti duhej të riekzaminohej dhe të sillej në hap me kohën për të reflektuar ndryshimet që kishin ndodhur në Evropë që nga miratimi i tij, duke konfirmuar angazhimin e Aleatëve për mbrojtjen kolektive dhe lidhjen transatlantike dhe duke u siguruar se strategjia e NATO-s u adaptohet plotësisht sfidave të shekullit 21. Është ndërmarrë punë intensive kudo në Aleancë për të përmbyllur revidimin para ardhjes së Samitit të Uashingtonit.
Sikur edhe për punët e tjera të Aleancës, aprovimi i Konceptit kërkon konsensus si për përmbajtjen e dokumentit ashtu dhe për gjuhën e tij nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës. Kundruall sfondit të pranimit të tri vendeve të reja, përfaqësuesit e Republikës Çeke, të Hungarisë dhe të Polonisë ishin të pranishëm që nga fillimi i diskutimeve.
Koncepti Strategjik është deklarim autoritar i qëllimeve dhe detyrave të NATO-s dhe udhëzim i nivelit më të lartë rreth mjeteve politike dhe ushtarake që duhet të përdoren për të arritur objektivat e tij.
Koncepti i vitit 1999 konfirmon se qëllimi esencial dhe i qëndrueshëm i Aleancës është të ruajë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj me mjete politike dhe ushtarake. Ai pohon vlerat e demokracisë, të të drejtave të njeriut, dhe pushtetin ligjor dhe shpreh angazhimin e Aleatëve jo vetëm për mbrojtje të përbashkët por për paqen dhe stabilitetin në rajonin më të gjerë të Evro-Atlantikut.
Strategjia gjithashtu definon detyra fundamentale të sigurisë të Aleancës, si në terma të mbrojtjes kolektive, që ka qenë në qendër të Aleancës që nga themelimi, ashtu dhe në terma të aktiviteteve të reja në fushat e menaxhimit të krizave dhe të partneritetit që po ndërmerr Aleanca me qëllim që ta shtojë sigurinë dhe stabilitetin në rajonit e Evro-Atlantikut. Koncepti përshkruan mjedisin strategjik dhe vlerëson sfidat dhe rreziqet e parashikueshme të sigurisë. Ai vëren se në vitet e vona mjedisi është shenjuar nga një ndryshim i vazhdueshëm dhe përgjithësisht pozitiv dhe se Aleanca ka luajtur rol themelor në forcimin e sigurisë Evro-Atlantike që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Sa u përket rreziqeve, dokumenti rikonfirmon konkluzionin në Konceptin Strategjik të vitit 1991 se rreziku i luftës së përgjithshme në Evropë virtualisht është zhdukur por se ka rreziqe të tjera dhe pasiguri me të cilat përballen anëtarët e Aleancës dhe shtetet e tjera në regjionin e Evro-Atlantikut, siç janë konfliktet etnike, cenimi i të drejtave të njeriut, jostabiliteti politik, brishtësia ekonomike, dhe përhapja e armëve bërthamore, biologjike, dhe kimike si dhe mjetet e dërgimit të tyre.
Një nga tiparet dalluese të strategjisë së 1991-shit të Aleancës ishte përvijimi i një qasjeje të gjerë ndaj sigurisë, duke kapërthyer mjete plotësuese politike dhe ushtarake dhe duke theksuar bashkëpunimin me shtetet e tjera që ndajnë objektivat e Aleancës. Kjo qasje gjithëpërfshirëse mbetet tipar qendror i Konceptit Strategjik të ri dhe përfshinë këto elemente themelore:
Ruajtjen e lidhjes transatlantike. Koncepti Strategjik nënvizon pandashmërinë e sigurisë evropiane dhe të Amerikës së Veriut dhe së këndejmi del rëndësia e një partneriteti të fortë dhe dinamik midis Evropës dhe Amerikës së Veriut.
Mirëmbajtja e aftësive ushtarake efektive. Strategjia bën thirrje për aftësi ushtarake që do të jenë efektive në një gamë të plotë të rrethanave të parashikueshme, nga sprapsja dhe mbrojtja kolektive deri te operacionet në përgjigje të krizave. Koncepti Strategjik gjithashtu ofron udhëzim specifik mbi aftësitë e domosdoshme.
Zhvillimi i Sigurisë Evropiane dhe Identitetit të Mbrojtjes brenda Aleancës. Koncepti Strategjik konfirmon se Siguria Evropiane dhe Identiteti i Mbrojtjes do të vazhdojnë të zhvillohen brenda Aleancës në bazë të vendimeve të marra nga Ministrat e Jashtëm të Aleancës në Berlin më 1996 dhe më pastaj. Ai thotë se ky proces do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë midis NATO-s, Unionit Evropian Perëndimor dhe, nëse dhe kur është e duhur, Bashkimit Evropian. Koncepti konfirmon se ky proces do t’u mundësojë të gjithë Aleatëve evropianë për të dhënë një kontribut më koherent dhe efektiv për misionet dhe aktivitetet e Aleancës; ai do të përforcojë partneritetin transatlantik; dhe do t’u ndihmojë Aleatëve evropianë të veprojnë më vete ashtu siç kërkohet përmes gatishmërisë së Aleancës, mbi bazën rast-për-rast dhe me konsensus, për t’i bërë aktivet dhe aftësitë e saj të disponueshme për operacione me udhëheqje evropiane në të cilat NATO nuk angazhohet ushtarakisht, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e plotë e të gjithë Aleatëve evropianë po qe se ata do të zgjidhnin kështu.
Parandalimi i konfliktit dhe menaxhimi i Krizës. Koncepti definon një rol të rëndësishëm për Aleancën sa i përket parandalimit të konfliktit dhe menaxhimit të krizës, pasi që operacionet në përgjigje të krizës si ato në Bosnjë dhe në Kosovë kanë gjasë të mbeten një aspekt kyç i kontributit të NATO-s për paqen dhe sigurinë Evro-Atlantike.
Partneriteti, bashkëpunimi dhe dialogu. Koncepti thekson vendosmërinë e Aleancës për ta ndjekur politikën e vet të qëndrueshme të partneritetit, bashkëpunimit dhe dialogut me të gjitha vendet Evro-Atlantike demokratike, me qëllim të ruajtjes së paqes, të avancimit të demokracisë dhe për t’i kontribuar prosperitetit dhe progresit. Ai thekson se kjo qasje synon shtimin e sigurisë së të gjithëve, nuk përjashton askënd, dhe ndihmon të tejkalohen ndarjet që do të mund të çonin në konflikt. Ai gjithashtu përshkruan instrumentet kryesorë të kësaj politike - Këshilli i Partneriteti të Evro-Atlantikut, Partneriteti për Paqe, marrëdhëniet speciale me Rusinë dhe Ukrainën, dhe Dialogu Mesdhetar. Zgjerimi. Koncepti konfirmon hapjen e Aleancës për anëtarë të rinj sipas Artikullit 10 të Traktatit të Uashingtonit dhe rithekson se NATO pritet të bëjë thirrje të mëtejshme për pranim në vitet që do të vijnë.
Kontrollimi i Armëve, Çarmatimi dhe Mospërhapja. Më në fund, Koncepti Strategjik parashtron politikën e Aleancës të mbështetjes për Kontrollin e Armëve, Çarmatimin, dhe Mospërhapjen. Ai nënvizon synimin e Aleancës për ta mbajtur këtë aspekt të qasjes së saj ndaj sigurisë në harmoni me qasjen e saj ndaj mbrojtjes; dhe gjithashtu pohon se do të kërkojë ta shtojë sigurinë dhe stabilitetin me nivelin me ulët të mundshëm të forcave në përputhje me aftësinë për të përmbushur gamën e plotë të misioneve të saj.
Pjesa e fundit e Konceptit Strategjik themelon udhëzimet për forcat e Aleancës, duke i kthyer qëllimet dhe detyrat e pjesëve të mëparshme në instruksione praktike - edhe pse domosdoshmërisht të përgjithshme - për planifikuesit operacionalë dhe të forcave të NATO-s. Strategjia thërret për zhvillim të vazhdueshëm të aftësive ushtarake të nevojshme për gamën e plotë të misioneve të Aleancës, nga mbrojtja kolektive deri te mbështetja e paqes dhe operacionet e tjera në përgjigje të krizave.
Ndër aftësitë e spikatura si veçanërisht të rëndësishme janë aftësia për angazhimin e forcave kundërshtare efektivisht; mundësia e dislokimit dhe mobiliteti; mundësia e mbijetimit të forcave dhe infrastruktura; mbështetshmëria, dhe ndëroperueshmëria - duke përfshirë ndëroperueshmërinë me forcat e vendeve Partnere. Përveç këtyre, strategjia nënvizon rolin e pazëvendësueshëm që luajnë forcat e Aleancës në adresimin e rreziqeve që shoqërohen me përhapjen e armëve bërthamore, biologjike dhe kimike dhe me mjetet e dërgimit të tyre.
Koncepti Strategjik po ashtu parasheh se Aleanca do të ruajë në të ardhmen e parashikueshme një përzierje të duhur të forcave bërthamore dhe konvencionale të bazuara në Evropë, të mbajtura në hap me kohën aty ku nevojitet, në nivelin minimal të mjaftueshëm.
Marion Gajda Student i shkencave politike
|
|
| |
Vlerėso shkrimin | Nota mesatare: 4.5 Votues: 2
| |
|