Një gjeneratë e re ilaçesh, përfshirë Taceva-n, Erbitux-in dhe Avastin-in, bllokojnë lëndët kimike apo enët e gjakut që ushqejnë indet e kancerit. Rezultatet e paraqitura në konferencën mbi kancerin në New Orleans të shtetit Luiziana tregojnë se pacientët me tumore të avancuara, të cilët nuk përmirësoheshin nga format e tjera të trajtimit, arritën të jetonin mesatarisht më gjatë duke përdorur ilaçet e reja. Këto barna në përgjithësi i ndihmojnë mjaft pacientët të jetojnë për vite të tëra, por kuptohet se ka pacientë që nuk shohin ndonjë përmirësim.
Studiuesit paraqitën gjithashtu prova të reja për parandalimin e kancerit duke treguar se ilaçet e përdorura gjerësisht për të pakësuar kolesterolin, mund të ulin rrezikun e kancerit. Një anketë publike me gati 3 mijë e 500 individë zbuloi se ata që merrnin ilaçe për uljen e kolesterolit, si Lipitor-i, Zocor-i apo Pravachol-i për të paktën 5 vjet, ishin 50 për qind më pak të rrezikuar të prekeshin nga kanceri i zorrës së trashë. Ndër shpjegimet e mundshme mund të përmendet çaktivizimi i gjeneve kanceroze nga efektet e këtyre barnave dhe zbutja e pezmatimit që shkakton kanceri në zorrën e trashë.
Barnat për uljen e kolesterolit pakësojnë rrezikun e kancereve të gjirit dhe të prostatës. Por meqenëse këto ilaçe mund të shkaktojnë probleme në muskuj dhe mëlçi, në raste të rralla, studiuesit thonë se nuk janë ende të gatshëm t’i rekomandojnë vetëm për trajtimin e kancerit.
Ndër kanceret më të vështirë për t’u trajtuar janë ato të veshkave, mushkërive, të kokës dhe të qafës.
Faza e ardhshme e kërkimeve është përcaktimi i ilaçeve me efekt më të madh tek pacientë të kategorive të caktuara apo edhe i kombinimit të barnave të ndryshme në mënyrë që të arrihet efekti maksimal.
Micërrvalët kundër kancerit
Mikrovalët janë plot energji elektro-magnetike. Kjo energji ndonjëherë është fajësuar si shkaktare e kancerit. Shkencëtarët thonë se këto valë jo gjithmonë janë të rrezikëshme. Gjatë provave klinike ata kanë vënë re se mikrovalët që përdoren për ngrohjen e ushqimit aktualisht mund të parandalojnë kancerin. Një teknologji e re mjekësore i përqëndron këto valë në mënyrë që të godasin vetëm tumorët dhe asgjë tjetër.
Në Takoma të shtetit Washington mjekja Lyn Clark po kryen disa prova klinike për kurimin e kancerit të gjirit. Nje paciente thotë se shpresat e shërimit janë të mëdha, që nga fillimi i provave me mikrovale tumori i saj ka filluar të zvogëlohet. Mjekja Lynn Clark beson se brenda 5 ose 10 vjetëve të ardhshëm mënyra me mikro-valë mund të zëvëndësojë plotësisht metodën kirurgjike të heqjes së tumoreve. Kjo teknologji nuk kufizohet vetëm me kancerin e gjirit. Në shumë klinika në mbarë vendin tani mikrovalët po provohen edhe kundër kancereve në kokë, mëlçi, prostatë e në lëkurë.
Trajtim i kancerit me substanca të lëngshme radioaktive
Shkencëtarët në një klinikë të shtetit Miçigan thonë se kanë zhvilluar një terapi të re kundër kancerit duke përdorur një substancë radioaktive të lëngshme. Shkencëtarët thonë se deri tani kjo mënyrë e re është përdorur për trajtimin e limfomës, dhe rezultatet kanë qënë më të shpejta me më pak efekte anësore se sa në rastet e kimoterapisë.
“Kjo është e para herë që ne po përdorim reze të injektuara për të trajtuar kancerin dhe jo vetëm për diagnostikimin e tij”, thotë doktor Andre Zelenec pranë qëndrës mjekësore Sloan Kettering. Ilaçi radioaktiv vepron si një raketë që shkon pas objektivit të saj. Ilaçi kalon nëpër organizëm, duke u ndalur në një proteinë të veçantë në qelizat e kancerit. “Kur ilaçi arrin në vendin e duhur, lënda radioaktive godet vetëm tumorin, pa prekur qelizat e tjera të shëndetëshme”, thotë doktor Mark Kaminski, pranë qëndrës mjekësore të universitetin e Miçiganit.
Kur kjo mënyrë është përdorur kundër limfomës, 59 përqind e pacientëve nuk patën asnjë rishfaqje të kancerit gjatë 5 vjetëve që zgjati studimi. Doktor Zelenec thotë se këto rezultate janë shumë të ngjashme me rezultatet e kimoterapisë më të përparuar. Megjithatë, përparësia dalluese e metodës së re është se ajo krijon shumë pak efekte anësore dhe nuk shkaton shqetësime për pacientin. Trajtimi me rrezatim të lëngshëm zgjat vetëm një javë, në krahasim me 4 muaj e gjysëm që zgjat trajtimi me kimoterapi. Me metodën e re, pacienti nuk preket nga rënia e flokëve dhe rreziku për infeksione është tepër i vogël.
Trajtimi me rrezatim të lëngshëm mund të jetë i efektshëm edhe për pacientët tek të cilët terapitë e tjera nuk kanë patur sukses. Rezultatet e para janë shumë premtuese dhe shkencëtarët tani po kryejnë prova për përdorimin e kësaj metode edhe për trajtimin e kancerit në pjesë të tjera të trupit si në prostat, zorrën e trashë dhe vezore. Shkencëtarët parashikojnë se brenda 3 vjetëve të ardhëshme, ata do të jenë në gjendje të përcaktojnë shkallën e llojeve e kancereve që mund të trajtohen nëpërmjet substancës së lëngëshme radioaktive.
Vaksinë kundër kancerit në mushkëri
Shkencëtarët thonë se kanë përdorur një vaksinë eksperimentale të quajtur Gvaks për të eleminuar kancerin e mushkërive. Ajo përbëhet nga një molekulë që përmban një gjen të veçantë. Ky gjen vendoset në qelizat kanceroze, gjë që shkakton ndryshim e pamjes së këtyre qelizave dhe në këtë mënyrë kanceri mund të identifikohet lehtë dhe mund të pastrohet siç veprohet në raste infeksionesh, gripi apo të ftohti.
Të dhënat tregojnë se tek disa pacientë tumori në mushkëri u zhduk plotësisht, ndërsa tek të tjerët përparimi i sëmundjes u ngadalësua dukshëm. Tek një numër pacientësh që provuan këtë vaksinë tre vjet më parë kanceri nuk është rishfaqur, thotë doktor John Nemunatis, onkologjist pranë qëndrës mjekësore universitare Baylor në Dallas të Teksasit. Studimi u financua pjesërisht nga ndërmarrja farmaceutike Cell Genesys. Sipas shkencëtarëve, ky është studimi i parë që tregon se kanceri në mushkëri mund të zhduket plotësisht ose për një kohë të gjatë. Një përpjekje e ngjashme kundër kancerit të lëkurës gjithashtu ka dhënë rezultate premtuese.
Burimet: Lajme inkurajuese për trajtimin e kancerit/ZAVaksinë kundër kancerit në mushkëri; Ilaç i ri kundër reumatizmës/ZAMikrovalët kurojnë kancerin. Proteinat e shumta paralajmërojne semundje/ZAMënyrë e re për trajtimin e kancerit/ZA
|