Njerëzit sot trashëgojnë aftësinë për të ruajtur kaloritë edhe në se ato nuk u nevojiten. "Kur njerëzit jetojnë në një vend ku ushqimi është i pamjaftueshëm, mbijetues të evolucionit do të jenë ata që janë të aftë për grumbullimin dhe konsumimin e ushqimeve e të kalorive dhe depozitimin apo ruajtjen e tyre nga frika se javën tjetër nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë ushqim", thotë doktor Arthur Frank pranë universitetit Xhorxh Uashington duke fajësuar kështu midis të tjerash të parët tanë mbi dukurinë e mbipeshës.
"Kur njerëzit jetojnë në një vend ku ushqimi është mëse i mjaftueshëm, kjo gjendje krijon lehtësira dhe në këtë rast shtohet prirja që njerëzit të hanë më shumë dhe të pakësojnë veprimatrinë fizike, kështu që ata shtojnë në peshë".
Vihet re se si në vendet e zhvilluara edhe në ato në zhvillim njerëzit me mbipeshë trupore gjënden si mes të varfërve edhe të pasurve. "Ndonjëherë është më i kushtueshëm përdorimi i frutave dhe sendeve të tjera ushqimore të mira për shëndetin. Ndërkohë që ushqime me shumë yndyrna dhe sheqerna janë më praktike për t’u përdorur nga fëmijët e të rinjtë", thotë doktor Hoksiel Garcia, nëndrejtor i organizatës shëndetësore mbarë amerikane, pranë organizatës botërore të shëndetësisë.
Ai thotë se sipas studimeve, prirja drejt shtimit të mbipeshës në Shtetet e Bashkuara është diçka që zyrtarët e shëndetësisë tani e shohin të shfaqet edhe në Amerikën Latine, Karaibe, si dhe në Evropë e Afrikë.
Shkaqe të tjera që çojnë në mbipeshë
Vërtet që kafeja mund të ketë pak, ose aspak kalori, por qumështi, kremi, apo sheqeri që ne hedhim në të kanë shumë kalori. Një kafe e zakonshme, pa krem ka rreth 10 kalori. Po t’i shtosh asaj pak krem, i ke shtuar edhe 130 kalori të tjera. Një kafe Mocha me qumësht, ka 400 kalori, kurse një gotë e madhe me Java Chip Frapuchino me akull ka 650 kalori.
Çrregullimet hormonale që kanë të bëjnë me stresin mund të çojnë gjithashtu në mbipeshë.
E keqe për shëndetin
Mbipesha trupore apo dhjamosja e trupit shkakton e ndërlikon shumë sëmundje serioze, por bëhet shkak edhe për vdekje. Ajo është shkaktarja numër një e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit dhe vlerësohet se shkakton gati 70 mijë raste të reja me kancer që zbulohen çdo vit në Evropë. Në Shtetet e Bashkuara, mbi 400 mijë veta vdesin çdo vit për shkak të mbipeshës.
Mbipesha ndikon negativisht duke ulur edhe pasqyrën e testosteronit në trup.
Humbja qoftë edhe fare pak në peshë ka një efekt pozitiv të jashtëzakonshëm mbi shëndetin e njeriut.
Mbipesha tek fëmijët
Mbipesha trupore tani quhet një sëmundje që prek jo vetëm vendet e pasura, ashtu siç mund të thuhet se prej saj preken jo vetëm të rriturit por edhe fëmijët. Reklamat ndikojnë mbi sjelljen e fëmijëve ndaj ushqimit, duke i drejtuar nga fastfood-et (ushqimet e gatuara shpejt) apo atyre të paketuara, të mbushura me yndyrna dhe sheqerna të tepërta për dietën e fëmijëve.
Mbipesha e individit rëndon mbi shoqërinë
Lufta kundër kileve të tepërta nuk është vetëm një problem individual, ai tani është kthyer në problem të qeverive, pasi shërbimet shëndetësore falas paguajnë koston e mjekimeve për ata pacientë që vuajnë nga sëmundjet që lidhen me mbipeshën. Në mbarë botën si pasojë e mbipeshës në fushën e prodhimit regjistrohen humbje prej një trilion dollarësh.
Luftimi i mbipeshës
Kjo arrihet duke kombinuar të ushqyerit korrekt, - një dietë e pasur me perime e fruta, - me një rutinë ushtrimesh fizike. Doktor Frank thotë se marrja më pak e ushimeve nuk është çështje alternative. "Tani e dimë se gjatë dekadës së fundit, për marrjen e ushqimit njeriu kontrollohet apo nxitet nga sinjalet e trurit dhe vetëm në disa raste, marrja e ushqimit kontrollohet nga dëshira e personit."
Ndërsa doktor Gracia thotë se për parandalimimin e mbipeshës trupore nevojitet një rol më i gjërë i edukatës ushqimore, industrisë ushqimore, qeverive, shkollave, sistemeve të transportit në mënyrë që çdo njeri të jetë në gjendje të marrë ushqim të mjaftueshëm dhe të kryejë veprimtari të mjaftueshme fizike. Në rast të kundërt, thotë doktor Garcia, sëmundja e peshës trupore do t’ia kalojë kancerit si shkaktar kryesor i vdekjeve. "Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit të bëhen më të vetëdijshëm, pasi mbipesha është një problem nga i cili në një mënyrë apo një tjetër, preken të gjithë".
Përfshirja e familjeve në luftën kundër mbipeshës është diçka që legjislatura e shtetit Teksas ka në plan të bëjë. Ligjvënësit teksan kanë miratuar një ligj që do t’u kërkonte të gjitha shkollave publike t’i peshojnë nxënësit dhe përmasat t’ua dërgojnë prindërve si bashku me kartelën e notave. Senatorja e Teksasit, Letricia Van de Putte thotë se ajo e propozoi këtë ligj pasi prindërit duhet të vihen në dijeni rreth problemeve të fëmijëve të tyre me mbipeshën. "Ne po përpiqemi t’u shpëtojmë jetën fëmijëve. Të dhënat tregojnë se brezi i tanishëm i fëmijëve do të vdesë para prindërve për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore".
Burimet: Mbipesha dhe bimet mjekesore/ZASi mund ta luftojmë apo shmangim mbipeshën?/BBCStresi: Ja çfarë ngjet me trupin tonë/Rruzull.netHormonet - themele rinie/Ruzull.netKujdes nga kafja/ZA
|