"Në emër të Allahut, Më Mëshiruesit, Mëshirëmadhit", kështu fillon secila prej 114 surave të Kuranit, librit të shenjtë të të gjithë myslimanëve. Sipas gojëdhënës, ky iu shpalos profetit Muhamed përgjatë 22 vjetësh nga engjëlli Xhebrail (Gabriel) - që nga 1 shkurti i vitit 610 deri në vdekjen e tij më 632-shin. Për më tepër se një miliard njerëz është bërë sot themeli i besimit të tyre.
Islamizmi është më e reja nga të treja fetë e mëdha monoteiste botërore. Myslimanët shohin në të përmbushjen e feve më të vjetra, asaj çifute dhe asaj të krishtere. Për ta Muhamedi është profeti i fundit nga të gjithë ata që ka dërguar dikur Zoti. Mërgimi (Hixhra) i këtij profeti dhe shoqëruesve të tij nga Meka për në Medina (në Arabinë Saudite të ditëve tona) në vitin 622 shënon fillimin e kalendarit islamik.
99 emrat e Allahut
"Nuk ka zot tjetër përveç meje, prandaj më shërbeni vetëm mua", thuhet në surën e 21-të. Porsi zoti i të krishterëve ashtu edhe Allahu është krijuesi i gjithçkaje, që ka krijuar Botën në gjashtë ditë. Ai është një dhe i vetmi emri i të cilit ndeshet 2685 herë në Kuran. Ndërkaq ka 99 emra, të cilat përdoren si sinonim për Allahun si "i Madhi, i Lartmadhërishmi, i Plotfuqishmi, Bindësi, i Urti, i Gjithëdijshmi, i Drejti".
Po ashtu si bota krishtere edhe ajo islame ka një formulë të saj besimit: "Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Tij". Kjo formulë pranimi, Shehadeti (Shahada), gjendet që në fillim të jetës së një myslimani dhe sjell si pasojë, kur shqiptohet përpara dëshmitarëve myslimanë, përkatësi në fenë islame, e cila zgjat tërë jetën. Shehadeti duhet të jetë edhe fjala e fundit që del nga buzët e një myslimani që është në të vdekur.
Pejgamberët, engjëjt dhe Djalli
Pejgamberët janë sipas besimit islamik lajmëtarët e Allahut. 124 000 të tillë ka dërguar Allahu, 313 prej tyre mbahen si apostuj dhe 28 përmenden me emër në Kuran. Ademi (Adam) është i pari, më pas vijnë midis të tjerësh Ibrahimi (Abraham), Musai (Moses) dhe Isai (Jesus). Me Muhamedin mbaron radha e pejgamberëve, ai është lajmëtari i fundit i Zotit.
Ndër të dërguarit e Allahut llogariten edhe engjëjt e njohur në botën e krishterë. Më të rëndësishmit janë Xhebraili (Gabriel), i cili i bëri zbulimin Muhamedit, Mihajli (Michael), udhërrëfyesi i njerëzve, Israfeli (Raphael), i cili do t'i bjerë trumpetave kur të ringjallen njerëzit, dhe Ezraeli, ëngjëlli i vdekjes. Në islamizëm ka edhe engjëj mbrojtës, të cilët këqyrin veprimet e njerëzve dhe i kallëzojnë Allahut.
Kryesisht Dreqi përfaqësohet nga Shejtani (Satan), një xhind i rrëzuar ose salamandër. Meqënëse ai kundërshtoi urdhërin e Allahut për t'i dhënë hirin Ademit, është dëbuar nga Parajsa deri në Ditën e Gjykimit.
Kiameti
Myslimanët besimtarë jetojnë me pritjen e Ditës së Gjykimit. Sidoqoftë të gjithë myslimanët e vdekur prehen në varret e tyre deri në këtë Ditë. Vetëm ai që bjen në Xhihat, në luftën për çështjen e besimit islamik, ka të drejtë të shkojë pas vdekjes drejt e në Parajsë. Kiameti përshkruhet në surën 81 dhe 82 në mënyrë të ngjashme si në krishterizëm. Ai nis me shfaqjen e Dajxhalit (Antikrishtit), i cili do të mposhtet nga Isai (Jesus) i sërishkthyer. Pastaj shfaqet Mehdiu, nga familja e profetit Muhamed, që pritet të udhërrëfejë ditën e Kiametit. Ai është imami i nderuar nga të gjithë myslimanët, që del nga vendi i tij i fshehtë.
Përpara Gjyqit të Fundit do të vihen më në fund në kandar dhe lahen të bërat e mira apo të këqija të të gjithë njerëzve, të mbajtura shënim në një libër të madh. Pastaj, sipas legjendës, besimtarëve u duhet të përshkojnë një urë, më të hollë se një qime dhe më të mprehtë se një shpatë. Kush qorrolliset, bjen në Skëterrë. Kush, nga ana tjetër, e kalon provimin shkon në një parajsë në të cilën rrjedhin përroj me ujë të pastër, qumësht, mjaltë dhe verë. Të shëlbuarit i jipen virgjëresha të Parajsës si shoqëruese.
Përgjegjësitë e myslimanit
Një pjesë përbërëse qendrore e jetës së myslimanit është Shariah, ligji. Në të janë hedhur të gjitha porositë e Allahut për mënyrën e jetesës së besimtarit. Grumbulli i ligjeve rregullon jetën politike, shoqërore, fetare dhe individuale të myslimanit. Meqënëse islamizmi nuk bën dallim midis shtetit dhe fesë, Shariah ëshë njëkohësisht ligj shpirtëror dhe laik.
Pesë janë përgjegjësitë që vlejnë në mënyrë të detyrueshme për të gjithë myslimanët; formula e besimit, falja e përditshme, bamirësia, agjërimi në muajin e Ramazanit dhe pelegrinazhi për në Meka, të cilin çdo mysliman duhet ta kryejë një herë në jetë. Veç këtyre ka plot këshilla dhe gjëra të ndaluara, të cilat duhet të kihen parasysh. Për raste mosmarrëveshjesh apo kundërvajtjesh është një gjyqtar islamik ai që vendos. Në gjykimin e tij ai duhet të mbajë parasysh ekspertizën, në arabisht njihet si Fatwa, që është hartuar më parë nga një jurist në zë.
Përgatiti : Alvin Ekmekçiu Burimi: ZDF, Im Namen Allahs, Stefan Lehmacher, 24.09.2001 Vë re! Ky version shqip nuk lejohet të kopjohet dhe të përdoret për qëllime propagandistike apo komerciale (fitimprurëse). Mbi lejet e përdorimit të shkrimeve të © Rruzull.net lexo këtu.
|