Përgjatë një zhvendosje tektonike të tokës që ndodhi 3,5 miljonë vjet më parë në mes të Ballkanit në kufirin e sotëm midis Shqipërisë dhe Maqedonisë u krijua Liqeni i Ohrit. Ky është liqeni më i vjetër në tërë Europën.
Në zonën e këtij liqeni rriten bimë dhe kafshë të llojeve tepër të lashta dhe të rralla të cilat nuk gjenden në ndonjë vend tjetër të botës. Për këtë arsye ky liqen ndodhet nën mbrojtjen e Unescos si pjesë e pasurisë së njerëzimit. Mirëpo shqiptarët dhe maqedonasit e ndotin liqenin duke hedhur në të gjithnjë e më tepër mbeturina ushqimesh dhe pisllëqe që vijnë nga shtëpitë, turizmi, agrikultura dhe industria. Kështu sipas llogarive të bëra, nëse ndotja nuk do të pushonte liqeni do të vdiste pas 10 deri 50 vjetëve.
Pisllëqet përbëjnë ushqim për algat e liqenit të cilat po përhapen gjithnjë e më tepër duke ua thithur oksigjenin e ujit peshqve, ngjalave e gaforreve. Si pasojë është ulur dukshëm numri i këtyre të fundit.
Në shumë vende bregu është tërhequr.
Studimet e bëra nga ekspertë të Institutit të Hidrobiollogjisë së Ohrit kanë treguar se uji i liqenit përmban përqindje tepër të larta fosfori që e ndot atë më tepër. Shkaktar për këtë bëhet zbrazja e ujrave të zeza drejtpërdrejt në liqen si rasti i qytetit të Pogradecit që ka 40 mijë banorë. Po punohet për gjetjen e mundësisë që të gjithë vendbanimet përgjatë bregut të liqenit si ato shqiptare edhe ato maqedonase të lidhen me një kompleks pastrimi ujrash të zeza dhe asgjësimi mbeturinash që do t´ia hiqte liqenit një pjesë të barrës.
Një hap tjetër përpara po bëhet në shtimin në mënyrë artificiale të peshqve.
Banka Botërore, Qeveria Zviceriane, Global Environmental Facility (GEF), Instituti Gjerman i Kredive dhe Euronatur po japin një shumë prej disa miljonë dollarësh për këtë projekt që synon që nëpërmjet një bashkëpunimi shqiptaro-maqedonas të mbrohet natyra e këtij liqeni.
Përgatiti ; Alvin Ekmekçiu - Mbështetur në materialet e Nano të 3sat Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|